Murati: Janë dhënë subvencione për grurë për sipërfaqe të cilat nuk kanë ekzistuar fare

Ministri i Financave, Hekuran Murati sot në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere në të cilin u diskutua lidhur me miratimin e raportit financiar për Buxhetin e Qeverisë për vitin 2020, ka thënë se Qeveritë e kaluara kanë dhënë subvencione për sipërfaqe me grurë të cilat sipas tij nuk kanë ekzistuar fare.

Ai tha se në bazë të informatave që ka pranuar nga ministri i Bujqësisë, po të ekzistonin vërtet ato sipërfaqe të mbjella me rendimentin që parashihet mesatarisht, Kosova nuk do të kishte nevojë për import të grurit, mirëpo “ja që importojmë një pjesë të madhe të grurit”.

Sipas tij, mund të kuptohet devijimi me një përqindje të vogël, i cili mund të mbulohet gjatë vitit, por nuk mund të kuptohet dyfishim i subvencionimit.

Reklama e sponzorizuar

“Do të thotë ka pasur edhe abuzime në terren, tash është përgjegjësi e personave që kanë miratuar ato obligime fillimisht pa mbulesë e së dyti edhe pa i verifikuar që po subvencionojnë sipërfaqe të mbjella”, tha Murati në Komision.

Ndërkohë, ky komision nuk e ka miratuar këtë raport, pasiqë nuk pati vota të mjaftueshme të anëtarëve të komisionit./Buletini Ekonomik/