MINT: Investitori francez nuk po tërhiqet nga Kosova

Në kumtesa të ndara, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe kryetari në largim i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë deklaruar se vonesat procedurale të Qeverisë kanë shtyrë kompaninë franceze “Akuo Energy” të zhvendosë investimin e planifikuar nga Kosova në një shtet tjetër.

Kompania “Akuo Energy”, përmes filialit “Cicavica Ëind Farm” sh.p.k., synon të realizojë projektin e prodhimit të energjisë me erë “Çiçaciva”.

Për këtë ka reaguar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e cila ka demantuar lajmin se Qeveria po nxit largimin e investitorëve

Reklama e sponzorizuar

“Kompania franceze, e cila operon në disa vende të rajonit, i ka konfirmuar edhe sot Ministrisë se NUK po tërhiqet nga projekti investues në Kosovë, por ka edhe projekte tjera në rajon”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.

Projekti është paraqitur fillimisht në fund të vitit 2018, por subjekti propozues ka dorëzuar aplikimin e kompletuar për investim strategjik tek në qershor 2020. Agjencia për Investimet dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve e Kosovës (KIESA) ka rekomanduar që projekti të shpallet investim strategjik, dhe Qeveria ka miratuar rekomandimin e KIESA-s në dhjetor 2020, por nuk ka arritur të sigurojë pëlqimin e Kuvendit të Republikës para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2021.

MINT i ka kumtuar kompanisë “Akuo Energy” se lënda do të riprocedohet shpejt në Komisionin Ndërministror për Investimet Strategjike, me pjesëmarrjen e institucioneve të reja në nivelin qendror dhe nivelin lokal. Pas shqyrtimit në Komision, lënda trajtohet në Qeveri dhe në Kuvendin e Republikës.

Riprocedimi do t’i hapë rrugë realizimit të investimit në përputhje me legjislacionin në fuqi, sidomos normat për ndihmën shtetërore – pra, pa tarifa nxitëse që mund t’u faturohet qytetarëve dhe të cilat ndalohen me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe të Republikës së Kosovës./Buletini Ekonomik/