Ministrja Hajdari prezanton Projektligjin për inspektime

Sot në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti ka raportuar Ministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila para anëtarëve të komsionit ka prezantuar projektligjin për inspektime.

Hajdari tha se ky projektligj për shkak të rëndësisë që ka është mirë që të procedohet në procedurë të përshpejtuar.

Më këtë projektligj, sipas ministres, përcaktohen rregullat e inspektimit, përmirësohet dukshëm sektori i inspektimeve, dhe do të mund të bëhet edhe koordinimi i inspektimeve në të gjithë Kosovën.

Reklama e sponzorizuar

Pal Lekaj nga AAK, reagoi ndaj ministres duke thënë se është e papranueshme që tërë Inspektoriati të mbikëqyret nga Zyra e Kryeministrit, pasi në njërën prej pikave të këtij projektligji është e cekur kjo rregull.

E Hajdari iu përgjigj deputetit Lekaj se ligji për Zyrën e kryeministrit, ia lejon kryeminstrisë ta ketë rolin koordinues për të gjitha agjencitë e shtetit, si nevojë kjo për një reformë në inspektimet.

“Këtë ligj e kemi gjetur si draft në ministri, dhe vjen si kërkesë e Bankës Botërore”, deklaroi Hajdari.

Hajdari u shpreh tutje se kjo nuk është iniciativë për të cenzorizuar apo për të pasur në mbikqyrje agjencitë, por është një reformë e nevojshme për inspektimet.

Ky ligj, sipas Hajdarit padyshim që do të ketë kosto, ku ceku një vlerë prej 1 milionë euro dhe gjithashtu një platformë dixhitale, e cila do të elektronizojë koordinimin e inspektimeve, e cila do të kushtojë 500 mijë euro.

Aktualisht, në Kosovë janë gjithsej 30 Inspektorate të profileve të ndryshme. (M.SH) /Buletini Ekonomik/