Kosova “mbushet”me produkte boshnjake, rritet eksporti nga Bosnja për 18 milionë euro më shumë

Produktet e kompanive të Bosnjës dhe Hercegovinës në Kosovë kanë pësuar rritje në shitje në 10 muajt e fundit prej 18 milionë eurosh, në krahasim me vitin e kaluar.

Siç raporton mediumi boshnjak ‘Nezavisne’, një gjë e tillë është konfirmuar nga Dhoma e Tregtisë së Jashtme në Bosnje dhe Hercegovinë. Drejtori i kësaj Dhome, Momçillo Komljenoviq,  tha se këtë vit në tregun e Kosovës janë eksportuar mallra në vlerë rreth 50 milionë euro, që është një rritje prej 18 milionë eurosh ose 62.14 për qind krahasuar me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë, përcjell lajmi.net.

“Këtë vit më së shumti kemi eksportuar tela hekuri dhe çeliku të petëzuar në vlerë prej 7,7 milionë euorsh, pastaj produkte të konservuara – produkte mishi me vlerë të përgjithshme prej 6.6 milionë eurosh”, tha Komljenoviq.

“Kur përmbledh strukturën e produkteve që Bosnja eksporton në Kosovë, produktet e industrisë metalike dhe ushqimore kanë kontribuar dukshëm në rritjen e eksporteve”, thekson Komljenoviq.

Sipas tij, në 10 muajt e parë të këtij viti, nga tregu i Kosovës janë importuar mallra në vlerë prej më se 10 milionë eurosh, që është 3,6 milionë euro ose 53.54 për qind më shumë se në 10 muajt e parë të vitit të kaluar.

Kosova vendosi taksë 100% për importin e mallrave ndaj Bosnjës në nëntor të 2018-ës, të cilat u larguan më 31 mars të vitit të kaluar.