Inflacioni i lartë, Banka e Anglisë kërkon falje për rritjen e kostove të jetesës

Guvernatori i Bankës së Anglisë ka kërkuar falje që inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar po rritet, në një kohë kur parashikimet thonë se kostoja e jetesës mund të arrijë deri në 5%.

Andrew Bailey tha për BBC-në se familjet tashmë po e ndiejnë ndikimin e rritjes së çmimeve.

“Më vjen shumë keq që po ndodh një gjë e tillë. Askush nga ne nuk dëshironte që kjo të ndodhte”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Të enjten, banka i befasoi tregjet financiare duke vendosur të mbajë të pandryshuar normën e interesit.

Inflacioni aktualisht është mbi nivelin e objektivit të Bankës së Anglisë prej 2%, dhe ka arritur në 3.1%. Ka pritshmëri që mund të rritet në 5% deri në prillin e ardhshëm.

Zoti Bailey tha: “Inflacioni është pa dyshim diçka që ngushton të ardhurat familjare të njerëzve. Jam i sigurt se ata tashmë po e ndjejnë këtë në rritjen e çmimeve”.

Por ai shtoi se banka donte të konstatonte fillimisht se çfarë ndikimi kishin çështjet e brendshme dhe ato globale në koston e jetesës, përpara se të vendoste nëse do të rriteshin normat.

Zoti Bailey tha se kushtet aktuale ishin të ndryshme pasi inflacioni po shkaktohej nga “goditjet e ofertës” globale dhe jo nga presioni i kërkesës në ekonominë e Mbretërisë së Bashkuar.

Banka nuk përjashtoi një rritje të normës së interesit në dhjetor.

‘Një botë e pasigurt’

Zoti Bailey u kritikua të enjten nga analistët e tregut për shkak se sinjalizoi se norma e interesit mund të rritet së shpejti, por nuk e ndryshoi atë. Paundi ra me 1.5% kundrejt dollarit si reagim ndaj këtij vendimi.

Guvernatori tha në tetor se banka “duhet të veprojë” për të frenuar inflacionin e lartë, megjithëse ai nuk dha një afat kohor se kur mund të rriten normat e interesit.

Zoti Bailey tha për BBC se banka kishte qenë e shqetësuar ngaqë po shihte prova se inflacioni po rritej gjatë verës. “Ne menduam se ka të ngjarë që normat të rriten, dhe mendoj se ishte e nevojshme të jepej ai paralajmërim,” tha ai.

Danny Blanchflower, një ish-anëtar i Komitetit të Politikës Monetare, i cili tani është profesor i ekonomisë në Kolegjin Dartmouth në SHBA, tha se banka duhet të jetë e kujdesshme në dhënien e parashikimeve mbi normat e interesit.

Ai u shpreh: “Tashmë po jetojmë në një botë vërtet të pasigurt dhe të gjithë duhet të tregohen të kujdesshëm. Kam frikë se duhet t’i shohim me një sy skeptik deklaratat e guvernatorit të Bankës së Anglisë dhe Komitetit të Politikës Monetare”./BBC/