Kreditë në Kosovë arrijnë në 3.56 miliardë euro

Në Kosovë, sivjet, edhe pse ishte vit pandemie, ka pasur rritje të ndjeshme të kredive.

Sipas guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në total kreditë (kreditë biznesore dhe ato individuale) sivjet në Kosovë, më saktësisht në këta 11 muaj të vitit, arrijnë në 3.56 miliardë apo rritje vjetore prej 12.2%.

“Rritja e kredive të reja në baza vjetore sidomos në periudhën e pandemisë po e dëshmon rolin që e ka sektori bankar në mbështetjen e ekonomisë dhe kemi masë të theksuar qasjen në financa që shënojnë rritje rreth 6%”, ka thënë Guvernatori.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, “edhe Fondi i Garantimit të Kredive ka ndikuar në lehtësimin e qasjes në financa sidomos ata individ e biznese që me siguri pa këtë fond do të ishte e pamundur qasja e fondit financiar në vend”.

Nuk është bërë ende publike se a ka ndikuar dhe sa ka ndikuar në numrin e rritur të kredive vendimi i Ministrisë së Financave për përfitimin e subvencioneve e të gjithë atyre që kanë marrë kredi (është fjala për kredi personale) nga 1 tetori e tutje nën vlerë prej 10 mijë euro.

Gjatë javës së parë të nëntorit, dihet, është bërë ekzekutimi për 2 mijë 145 përfitues të masës 3.6 e cila ka të bëjë me mbështetjën e likuiditetit familjar.

Në anën tjetër, është goxha trimërues fakti se me gjithë numrin e shtuar të kredimarrësve, qoftë sosh biznesore, qoftë individuale, kreditë joperformuese ose kreditë e këqija nuk janë rritur, madje ato kanë shënuar ulje.

“Kredit jo-performuese është 2.5 për qind”, ka thënë këto ditë guvernatori Mehmeti. Kjo shifër është ndjeshëm më e vogël se në shumë shtetet të rajonit. Në Shqipëri, bie fjala kreditë e këqija në periudhën janar-tetor kanë qenë 8,5 për qind. /Buletini Ekonomik/