Mashtrimet në pagesat online rriten me 208% përpara “Black Friday”

Sezoni i uljeve pëlqehet edhe nga kriminelët informatikë, që përpiqen të fitojnë para, duke krijuar faqe false.

Numri total i sulmeve phishing financiar, të kamufluara nga sisteme pagesash elektronike, është më shumë se dyfishuar nga shtatori (627.560) në tetor 2021 (1.935.905), me rritje 208%. Këto dhe rezultate të tjera bëjnë pjesë në raportin “Black Friday 2021: How to Have a Scam-Free Shopping Day” të shoqërisë Kaspersky.

Sezoni i uljeve tërheq vëmendjen e blerësve dhe shitësve, megjithatë është edhe një nga sezonet e preferuara të kriminelëve informatikë, që përpiqen të fitojnë para, duke krijuar faqe false të cilat imitojnë platformat më të mëdha të shitjes me pakicë dhe sistemet e pagesave elektronike.

Reklama e sponzorizuar

Gjatë dhjetë muajve të parë të 2021, produktet e Kaspersky zbuluan më shumë se 40 milionë sulme phishing, me shënjestër platformat e-commerce, si dhe institucionet financiare. Ndërkohë që dyqanet e morën disi veten në 2021, pas 18 muajve të vështirë, kërkuesit e Kaspersky nuk vëzhguan tendencat tipike sezonale për phishing, të lidhura me blerjet online, të cilat zakonisht karakterizohen nga rritja e faqeve phishing me oferta shitje, shumë të mira për të qenë të vërteta, ose nga rritja e mashtrimeve që lidhen me shitjet me pakicë.

Megjithatë ka një përjashtim. Në vitin 2021, numri total i sulmeve të phishing financiar, që vënë në shënjestër sistemet e pagesave elektronike, është më shumë se dyfishuar nga shtatori (627.560) në tetor (1.935.905) – duke shënuar rritje me 208%. Nga data 27 tetor deri më 19 nëntor, në ditët që u paraprijnë javës së uljeve, kompania për sigurinë informatike ka regjistruar 221.745 email-e spam që përmbajnë fjalët “Black Friday”.

Ekspertët analizuan edhe platformat më të famshme për blerje për të identifikuar se cilat janë përdorur si karrem për të përhapur mashtrimet phishing. Mashtrimet phishing tentojnë të gënjejnë përdoruesit, duke i shtyrë, nëpërmjet email-it, të hapin një dokument të infektuar apo të klikojnë te faqe mashtruese, ku duhet të shkruash informacione personale dhe të dhënat financiare të kartave, shpesh duke rikrijuar faqe të rreme për pagesa elektronike.

Kërkuesit e Kaspersky analizuan edhe se cilat platforma të famshme janë përdorur si karrem për të përhapur faqe phishing. Rezultatet treguan se Amazon është karremi më i përdorur, ndjekur nga eBay, Alibaba dhe Mercado Libre.

Numri i tentativave phishing që përdorin platforma shopping si karrem në vitin 2021

 

Ekspertja e sigurisë në Kaspersky, Tatyana Shcherbakova, thekson se gjatë sezonit të “Black Friday” intensifikohet aktiviteti i kriminelëve.

“Çdo aplikacion me pagesë shihet nga mashtruesit si një mundësi e re për të shfrytëzuar përdoruesit. Për këtë arsye, për të mbrojtur të dhënat dhe paratë tuaja, sigurohuni se po përdorni një faqe të sigurt për pagesa online”. Shikoni për shembull URL e faqes për të kuptuar nëse fillon me HTTPS, në vend të asaj të zakonshme HTTP dhe nëse pranë adresës shfaqet një dryn./Kaspersky/