Ministrja Hajdari: Kosova nuk është e barabartë në përfaqësim në CEFTA

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës është diskutuar edhe për përfaqësimin e Kosovës në CEFTA, të cilin ministrja Hajdari e ka cilësuar si një përfaqësim jo të barabartë në krahasim me vendet e tjera anëtare.

Kosova, sipas minstres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarit, nuk është e përfaqësuar në këtë mekanizëm si shtet dhe kjo sjellë pengesa shumë të mëdha, sidomos nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, e deri më tani edhe nga përfaqësimi i Kosovës në CEFTA përmes UNMIK-ut. Ajo tha tutje se këto çështje kanë gjeneruar kosto të konsiderueshme të mosnjohjes së Kosovës, dhe konsiderohen edhe si barriera të shumta për eksportuesit dhe kompanitë vendore.

Hajdari konstatoi gjithashtu, se tani ata si ministri kanë dërguar ankesë tek ministri Kreshnik Bekteshi nga Maqedonia e Veriut, i cili aktualisht është kryesues i Komitetit drejtues të CEFTA-s, në të cilën kanë kërkuar një përfaqësim të barabartë si shtet sikurse vendet e tjera anëtare, ndonëse shtoi se priten kundërshtime nga shtetet si Serbia dhe Moldavia.

Reklama e sponzorizuar

Nga ministrja Hajdari u tha se Qeveria është e zotuar që nuk do të vazhdojë me asnjë pajtueshmëri të vendimeve dhe aktiviteteve të CEFTA-së përderisa Kosova nuk është e barabartë në përfaqësim, përcjell Buletini Ekonomik.

“Kemi dërguar letrën me 24 shtator tek kryesuesi të komunitetit drejtues të CEFTA-së, tek ministri Kreshnik Bekteshi nga Maqedonia e Veriut, dhe kjo letër pret një përgjigje e dimë që do kemi kundërshtim nga anëtarët e vendeve CEFTA siç janë Serbia, Moldavia dhe të tjerët, por ne si Qeveri jemi të zotuar se nuk do të vazhdojmë me asnjë pajtueshmëri të vendimeve të CEFTA-së në vijim dhe aktiviteteve të CEFTA-së derisa Kosova nuk është e barabartë në përfaqësim”, deklaroi ministrja gjatë fjalimit të saj në Kuvend.

Ndonëse Kosova ka nivelin më të ulët të eksporteve në rajon, sipas Hajdarit, prodhuesit dhe eksportuesit vendas përballen vazhdimisht me vështirësi dhe pengesa, sidomos me shtetin e Serbisë, të cilat janë kryesisht pengesa tarifore dhe jotarifore. /Buletini Ekonomik/