Guvernatori “kritikon” bankat: Kredidhënia në Kosovë vazhdon të jetë nën mesataren e rajonit

84

Prej 4.6 miliardë euro sa janë depozitat në sektorin bankar të Kosovës, vetëm 3.5 miliardë euro janë të lëshuara kredi. Pjesa tjetër, rreth 1 miliard euro, ‘flenë’ nëpër bankat komerciale.

Ky raport mes depozitave dhe kredive të lëshuara ka shkuar duke u thelluar vitet e fundit, pasi bankat gjithnjë e më shumë janë treguar dorështrënguar tek kredidhënia, duke u orientuar më shumë tek shërbimet, ku fitimi është më i sigurtë dhe pa shumë risk.

Për këtë diferencë mes depozitave dhe kredive të lëshuara nga sektori bankar në Kosovë, ka folur edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, sot gjatë nënshkrimit të marrëveshjes 6 milionëshe mes Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfË), me ç’rast lëshoi edhe një “dozë kritike” për bankat në vend.

Mehmeti theksoi se shkalla e ndërmjetësimit financiar në Kosovë vazhdon të jetë nën mesataren e vendeve të rajonit, gjë që sipas tij, tregon se në raport me madhësinë e ekonomisë, ekziston ende një hapësirë e mëtejme për zgjerim të aktivitetit kredidhënës, përcjell Buletini Ekonomik.

Tutje ai ka shtuar se kreditimi bankar vazhdon të jetë një burim shumë i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i financimit të sektorit privat në Kosovë dhe se vlera e kredive bankare deri në shtator 2021 ka arritur në 3.57 miliardë euro, duke shënuar një rritje të konsiderueshme vjetore prej 12.2%.

“Kreditimi bankar vazhdon të jetë një burim shumë i rëndësishëm dhe i qëndrueshëm i financimit të sektorit privat në Kosovë. Vlera e kredive bankare deri në shtator 2021 ka arritur në 3.57 miliard euro, duke shënuar një rritje të konsiderueshme vjetore prej 12.2%. Sidoqoftë, me gjithë trendin e kënaqshëm të rritjes së kreditimit bankar, konsiderohet se shkalla e ndërmjetësimit financiar në Kosovë vazhdon të jetë nën mesataren e vendeve të rajonit, gjë që tregon se, në raport me madhësinë e ekonomisë, ekziston hapësirë e mëtejmë për zgjerim të aktivitetit kredidhënës”, ka shpjeguar Guvernatori Mehmeti.

Ndërkohë, në raportin e BQK-së mbi performancën mujore në sektorin bankar nuk jepet ndonjë shpjegim mbi arsyet për këtë, megjithatë ajo që dihet është se nevoja e ekonomisë për para asnjëherë nuk ka qenë më e madhe sesa në këto dy vitet e fundit për shkak të pandemisë. /Buletini Ekonomik/