Masat për dekarbonizimin e sektorit të ngrohjes në Kosovë

Gjatë ditës së sotme, Balkan Green Foundation ka organizuar tryezën e diskutimit me temën “Dekarbonizimi i sektorit të ngrohjes në Kosovë”, ku nga të pranishmit u tha se rruga drejt dekarbonizimit të sektorit të ngrohjes do të jetë sfiduese, veçanërisht, nëse nuk ndërmerren masa tani, pasi situata mjedisore dhe shëndetësore vetëm do të përkeqësohet.

Në tryezë u prezantua punimi diskutuar për këtë sektor i cili përmban edhe praktikat më të mira të përdorura nga vendet e Evropës dhe të rajonit, të cilat duhet të adaptohen edhe në Kosovë në mënyrë që të përmirësohet gjendja e sektorit të ngrohjes në vend.

E pranishme në këtë diskutim ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila theksoi se rishikimi i Strategjisë së Energjisë që do të ndodhë së shpejti do të ketë fokusin kryesor në dekarbonizimin e përgjithshëm të sektorit të energjisë. Sipas saj, shembulli i ngrohtores së Gjakovës si pilotprojekt është me rëndësi, sepse zëvendësimi i lëndës djegëse, mazutit me biomasë, zvogëlon emetimet e dioksidit të karbonit nga 49 mijë tonë në 615 tonë, që do të thotë se është një dallim shumë i madh.

Reklama e sponzorizuar

Pas kësaj, ajo tha se së shpejti do të bëhen edhe studime tjera fizibiliteti për ngrohtore të ngjashme edhe në qendrat kryesore të Kosovës dhe do të shihet nëse shembulli i Gjakovës do të mund të replikohet, gjë që sipas saj do të ishte një gjë shumë e mirë për dekarbonizimin e ngrohjes në vend.

Rizvanolli shtoi tutje se popullata duhet ta ngrisë vetëdijen në lidhje me shpenzimin e energjisë, në mënyrë që të rritet kursimi i energjisë, që kjo të mos reflektojë në tarifa për vitin e ardhshëm. Pra, nga ministrja u kërkua që të ndryshohet sjellja e qytetarëve, në mënyrë që të lirohet më pak ndotje dhe të ketë më pak ajër të ndotur.

Ndërkohë, Visar Azemi, Drejtor Ekzekutiv në Ballkan Green Foundation (BGF), tha se “Kosova është në fazën e hartimit të Strategjisë së Energjisë, dokument ky i cili tani më shumë se kurrë do të duhej të prezantonte hapa të guximshëm të dekarbonizimit të sektorit të energjisë (përfshirë ngrohjen), në mënyrë që ndikimi në mjedis dhe shëndet të jetë më i vogël”.

Azemi gjithashtu u shpreh se e ardhmja padyshim që është drejtë formave të qëndrueshme të ngrohjes të cilat janë miqësore me mjedisin, të cilat gjithnjë e më tepër po mundësohen falë teknologjisë së re dhe burimeve të ripërtëritshme të energjisë të cilat po bëhen gjithnjë e më të lira.

Ndërsa, Arven Syla dhe Besfort Kosova, bashkë-hartues të analizës “Dekarbonizimi i sektorit të ngrohjes në Kosovë – Praktikat më të mira”, ndër të tjera theksuan se mekanizmat kryesorë që përdoren për ofrimin e zgjidhjeve të qëndrueshme të ngrohjes mund të ndahen në disa instrumente, si: mekanizmat financiarë – programe stimujsh, politika tatimore, rritje e ndërgjegjësimit, standardet për pajisjet me djegie, ndalimet dhe kufizimet e përdorimit të karburantit të ngurtë dhe  standardet e kërkesave minimale.

Sipas tyre, vendet që aplikojnë këto mekanizma kanë mbështetur vetëm teknologjitë energjetike që janë të qëndrueshme dhe që ofrojnë efiçiencë të lartë energjetike. Ata shtuan tutje se teknologjitë e mbështetura të energjisë së qëndrueshme janë: pompat e nxehtësisë, kaldaja dhe pajisjet me efiçiencë të lartë, sistemet diellore termike dhe rinovimi i ndërtesave me material të standardizuar.

Gjithashtu, në këtë tryezë u përmend edhe rëndësia urgjente e ndalimit të ngrohjes nga thëngjilli për amvisëritë dhe bizneset dhe u inkurajua shfrytëzimi i metodave të tjera të ngrohjes të cilat janë më pak të dëmshme, për vetë përdoruesit e këtyre burimeve të nxehtësisë, për komunitetin dhe mjedisin përreth. /Buletini Ekonomik/