Stihi në hulumtimet minerare të Kosovës

Hulumtimet minerare, krahas inferioritetit të paparë të institucioneve zyrtare kundrejt minierave ekzistuese dhe atyre tashmë të mbyllyra dhe të dala që nga paslufta jashtë funksionit, është problemi më i theksuar që shprehet drejtpërdrejt në ardhmërinë e xehetarisë kosovare dhe në zbulimin e trupave të ri minerar me mundësi reale të eksploatimit.

Mehmet GJATA & Agon SINANAJ

Një tjetër problem shumë i theksuar i shfrytëzimit të resurseve minerare dhe jominerare të Kosovës gjatë periudhës 20 vjeçare është çështja e hulumtimeve gjelogjike, gjegjësisht hulumtimi për gjetjen e rezervave të reja xehetare në vendin tonë. Hulumtimet, në fakt, krahas inferioritetit të paparë të institucioneve zyrtare kundrejt minierave ekzistuese dhe atyre tashmë të mbyllyra dhe të dala që nga paslufta jashtë funksionit, është problemi më i theksuar që shprehet drejtpërdrejt në ardhmërinë e xehetarisë kosovare dhe në zbulimin e trupave të ri minerar me mundësi reale të eksploatimit.

Reklama e sponzorizuar

Probemi i hulumtimeve tashmë bëhet akut dhe alarmues, pasiqë me ngecjen e hulumtimeve që është e tejdukshme, ngecin proceset zhvillimore të xeheroreve potenciale të Kosovës, eksploatimi i resurseve të reja minerare dhe jominerare dhe shuarja graduale që tash e sa vite ka zënë të ndodhë në Kosovë me mbylljen e 7 minierave që deri në vitet 1990-2000 ishin në punë, punësonin numër të lakmueshëm banorësh të rrethinave ku gjendeshin ato dhe krijonin mirëqenie për ato vise.

Njohësit e këtij sektori, gjeologët, thonë se është fare e pakuptimtë neglizhenca e institucioneve kompetente të Kosovës karshi problemeve të hulumtimeve. Asgjë thuaja nuk funksionon në këtë linjë. Zvarritet me vite dhënia e licencave për hulumtime për ndërmarrjet dhe kompanitë e brendshme dhe sidomos atyre të jashtme, u ipet licencë dhe bëhen licencëmbajtës të pakualifikuarit, jokompetentët dhe joprofesionistët, ndërsa kompanitë serioze të kompletuara më kuadro profesioniste, me gjeologë të dëshmuar, pengohen me gjithfarë mënyrash. Kërkesat e tyre zvarriten me arsyetime absurde.

“Ka 1 vjet e gjysmë që pres për licencë për hulumtime xehetare”, thotë Mentor Demi, drejtor menaxhues në Western Tethyan Resources, dega në Kosovë dhe në Evropën Juglindore.

Kjo kompani që kaherë ka shprehur interesim për hulumtime xehetare në vendin tonë është e specializuar për hulumtimin e arit dhe bakrit. Demi e sheh problem të ndjeshëm në këtë fushë edhe legjislacionin- ligjet sa janë dy-tre sosh, që bien ndesh me njëra tjetrën. Ligji themelor për minierat dhe mineralet ka kontradikta me Ligjin për Investime Strategjike dhe këto kontradikta bëjnë që kërkesat për licenca të zvarriten edhe me vite, thotë Demi.

“Në parim struktura ligjore për këtë sektor është e mirë, mirëpo problemi qëndron tek mosrespektimi i tyre si dhe te pengesat që ligjet i bëjnë njëra-tjetrës”, thotë Demi për Buletinin Ekonomik.

Një problem i ri që i është shtuar sektorit, sipas Demit, është Ligji për Investime Strategjike. Ani pse përmes këtij ligji mund të shmanget legjislacioni aktual dhe t’u hapet rrugë investimeve në këtë sektor, Demi thotë se ligji ka mangësitë e tij dhe si pasojë akoma asnjë investitor nuk ka mundur të kualifikohet si ‘strategjik’. Me këtë ligj secilit investitor në sektorin minerar i kërkohet garancioni maksimal bankar prej 10 për qind të shumës totale të investimit, dhe i cili parashihet të negociohet me qeverinë.

“Kjo kërkesë është absurde”, vlerëson Demi, derisa shton se me të njëjtin ligj, investitorëve do t’ju kërkohet që shuma minimale e investimit të jetë prej 30 milionë euro për 5 vite, e që sipas tij është kushtëzim i panevojshëm.

Poashtu, vlerësohet pengesë edhe caktimi i taksës së tantiemës prej 5 për qind për shtetin pavarësisht rezultateve të hulumtimit. Këtë çështje e kanë fare mirë të zgjidhur Greqia, Bullgaria dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat taksën e tantiemës e përcaktojnë në bazë të çmimit të metalit, ka sqaruar Demi. Këto kritere duket se kanë dekurajuar investitorët potencial.

Të dhënat e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë tregojnë se deri më tani për t’u kualifikuar si investitor strategjik kanë aplikuar gjithsej 26 kompani. Prej tyre, nga sektori minerar janë vetëm katër sosh. Për shkak të mangësive, është bërë para tre vjetësh plotësim-ndryshimi i Ligjit për Miniera dhe Minerale, por këto plotësime dhe ndryshime ende nuk janë miratuar.

Plotësim-ndryshimimin e këtij Ligji, i cili është si draft që nga viti 2018, e sheh si të domosdoshëm edhe Ramiz Krasniqi, kryetar i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM). Sipas tij, sa më shpejt duhet të kalojë në Kuvendin e Kosovës për aprovim ky draft, sepse krijon lehtësira për investime në sektorin minerar në Republikën e Kosovës.

Vonesa e madhe e zgjedhjes së Bordit të KPMM-së, pasi që nga 6 gushti i 2020-ës KPMM-ja është pa Bord, krijon ç’rregullime në sektorin minerar të Kosovës pasi që KPMM-ja është i vetmi institucion që i licencon ndërmarrjet që merren me hulumtimin, shfrytëzimin dhe përpunimin e resurseve minerale, thotë kreu i këtij institucioni.

Çështja e Bordit të KPMM-së ka gjasë të zgjidhet më në fund, pasi që ky Bord-zgjedhja e tij, ishte në rend dite të seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës. Në vitet 2017-2020 kanë qenë 43 kompani të huaja që kanë nisur të investojnë në Kosovë, mirëpo vetëm katër prej tyre kanë pasur licencë për shfrytëzim të resurseve minerare: “SharrCem” dhe “Ferronikeli”, të cilat shfrytëzojnë mineralet industriale si dhe kompanitë “A-Z group” dhe “Esha Materials”.

Të gjitha kompanitë tjera (39) me vite kanë pritur në fazën e hulumtimit. Ka edhe kompani që janë në Kosovë prej vitit 2008 duke kryer hulumtime, por pa mundësinë e sigurimit të lejeve dhe licencave për të shfrytëzuar (eksploatuar) pasuritë nëntokësore. Njëra ndër to është kompania “Peshter Mining JSC” me pronarë kanadezë dhe australianë, e cila deri më tani për hulumtim të plumbit, zinkut dhe argjendit thonë se kanë investuar 8 milionë euro.

Gjeologët kosovarë me përvojë veçojnë një problem tjetër, që sipas tyre është ndër më kryesori, është fjala për një një vendim të vitit 2008, të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave për shpalljen e zonave me interes të veçantë.

“Kur flasim për mosrespektim të ligjeve, kemi parasysh Ligjin për Zonat e Interesit në mënyrë specifike. Që nga viti 2007-2008, 11 zona prosperuese janë bllokuar përmes këtij ligji, dhe me qëllim që në mënyrë grupore ose individuale të shpallen në tender. Asnjë nga këto 11 zona, që nga viti 2007-2008, nuk është shpallur në tender”, ka thënë Demi.

Edhe Ramiz Krasniqi, drejtori i KPMM-së e sheh si problem jo të vogël në proceset zhvillimore minerare, pra edhe në hulumtimet gjeologjike, dhe ai kërkon që sa më shpejtë të lirohen ato zona.

“ 11 zona të interesit të shpallura me një Vendim nga Qeveria në vitin 2008 duhet sa më shpejtë të lirohen, ose t’u jepen ndërmarrjeve të fuqishme minerare për hulumtimin e tyre përmes Ligjit për investime strategjike”, ka thënë Krasniqi për Buletinin Ekonomik.

Deri më tani, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) ka lëshuar rreth 200 e sa licenca për shfrytëzim të resurseve minerare, por pjesa më e madhe për gurëthyes, 57 për hulumtim dhe 88 licenca për aktivitete të veçanta. Kur një investitor e merr licencën në KPMM, atij i duhet të pajiset me leje edhe nga Agjencia Pyjore e Kosovës. Të dy ligjet që i zbatojnë KPMM-ja dhe APK-ja kanë diskrepancë të madhe sa i përket sipërfaqes dhe kohëzgjatjes së lejeve që lëshojnë.

Në bazë të Ligjit bazik për Miniera dhe Minerale, licencat e shfrytëzimit për mineralet energjetike mund të lëshohen për një periudhë prej 30 viteve me mundësi vazhdimi edhe për 15 vite tjera, kurse për të gjitha mineralet tjera kanë kohëzgjatje prej 25 vite dhe mund të vazhdohen edhe për një periudhë prej 25 viteve.

Por, Agjencia Pyjore e Kosovës zbaton kritere tjera. Në bazë të një udhëzimi administrativ, ky institucion, ndryshe nga KPMM-ja, e ka kufizuar kohëzgjatjen e lejes në vetëm 5 vite. Po ashtu, investitorin e pajisë me leje për një sipërfaqe vetëm prej 5 hektarësh. Kjo çështje është duke shkaktuar shumë probleme për investitorët, sepse siç thonë gjeologët, nuk mund të zhvillohet një minierë në një sipërfaqe prej 5 hektarësh.

Çdo miniere i nevojitet minimumi 20 deri në 25 hektarë, dhe për këtë hapësirë bizneset duhet të paguajnë 40 mijë deri në 100 mijë euro në vit në formë të qirasë. Njohësit e rrethanave dhe gjeologë me përvojë konsiderojnë se qiraja është e panevojshme dhe jashtëzakonisht e lartë, pasi që këto biznese nuk e shfrytëzojnë këtë hapësirë duke e punuar, por duke nxjerrë minerale të ndryshme dhe për këto paguajnë në KPMM në bazë të nxjerrjes.

Në anën tjetër, mungesa e investimeve në këtë sektor tregon për dështimin e qeverisë për të implementuar Strategjinë Minerare 2010-2025. Sipas kësaj strategjie, të miratuar nga Qeveria në vitin 2010, shfrytëzimi i të gjitha resurseve minerale, brenda një periudhe prej 25 vjetësh, parashihet të jetë mbi 7.6 miliardë euro dhe paralelisht mundëson krijimin e 20 mijë vendeve të punës.

Zonat me interes të veçantë, në të cilat mund të ketë investime vetëm pas një tenderi të hapur nga Qeveria janë: Vllahi-Zjacë e pasur me plumb/zink; Gumnishtë– Plumb/Zink; Karacë – Plumb/Zink; Baks – Nikel; Terstenik – Nikel; Bushincë- Bolec e pasur me Plumb e Zink; Bresalc – Plumb/Zink; Zhegovc – Plumb/Zink; Deve- Krom. Këto zona janë shpallur me interes të veçantë pas supozimeve të mbështetura në fakte dhe hulumtime të mëparshme rreth potencialit të tyre minerar. Të gjitha së bashku, këto zona përbëjnë pothuajse të gjithë potencialin minerar në vend. Kështu, çfarëdo investimi në to, duhet ta marrë miratimin e Qeverisë së Kosovës, siç saktësohet në nenin 18 të Ligjit bazë për Miniera dhe Minerale. Sa u përket mineraleve metalore, vendburimet më të rëndësishme të plumbit dhe zinkut gjenden në të ashtuquajturin “Brezi metalogjenik i Trepçës”. Në këtë mes hyjnë miniera “Trepça” në Stantërg, Hajvalia, Kishnica, Artana, Bellobërda dhe Cërnaci.

Miniera e Stantërgut me vendbanimet që e rrethojnë, ka rezerva të metaleve në xehe, 1,542,990 tonë plumb, 1,248,672 tonë zink dhe 2,634,294 kg argjend. Po ashtu, kompleksi i minierave Artanë-Hajvali, thuhet se karakterizohet me përbërje të lartë të metaleve të çmueshme të arit dhe argjendit. Në minierën e Artanës, përmbajtja e arit është më e madhe dhe kjo minierë njihet si vendburimi me përbërjen më të lartë të arit në Kosovë.

“Resurset e arit në minierën e Artanës vlerësohen të jenë 2,700 kg”, konstatohet në këtë strategji. /Buletini Ekonomik/