Disha: Zvicra, investitori i dytë më i madh në Kosovë

50

Nga 30 anëtarët e Odës Ekonomike Zvicërano-Kosovare, 35 për qind janë me origjinë nga Zvicra. Janë mbi 60 kompani zvicerane që veprojnë në Republikën e Kosovës, ku fushat e investimeve janë të orientuara në ICT, Fintech, përpunimin e drurit dhe BPO. Në kontekstin e IHD-ve, Zvicra është investitori i dytë më i madh në Kosovë me mbi 600 milionë euro të investuara nga viti 2007 deri në vitin 2020. Një ndër storiet e suksesit që mund të veçohet nga investimet e Zvicrës, gjithsesi  është kompania SPEEEX, tanimë lidere në sektorin e shërbimeve ICT dhe BPO.

(Intervistë me Vigan Dishën, drejtor menaxhues i Odës Ekonomike Zvicërano-Kosovare)

Buletini Ekonomik

Oda Ekonomike Zvicërano-Kosovare ka në gjirin e saj 30 kompani, ku rreth 35% e tyre janë me origjinë nga Zvicra. Ndër ta, ka sipërmarrës shqiptar që veprojnë në Zvicër dhe aktivitetin e tyre komercial synojnë ta zgjerojnë edhe në Kosovë, konkretisht në sektorët e ICT, të përpunimit të drurit dhe të agro-produkteve bujqësore.

Vigan Disha, drejtor menaxhues i Odës Ekonomike Zvicërane, në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik, flet për investimet zvicërane në Kosovë dhe orientimin e këtyre investimeve në fushat dhe bizneset e caktuara të ne. Sipas Dishës, janë mbi 60 kompani zvicërane që veprojnë në Republikën e Kosovës, ku fushat e investimeve janë të orientuara në ICT, Fintech, përpunimin e drurit dhe BPO. Në kontekstin e IHD-ve, Zvicra është investitori i dytë më i madh në Kosovë me mbi 600 milionë euro të investuara nga 2007-a deri më 2020.

Një ndër storiet e suksesit që mund të veçohet nga investimet e Zvicrës, gjithsesi është kompania SPEEEX, tanimë lidere në sektorin e shërbimeve ICT dhe BPO dhe që udhëhiqet nga afaristi Fikret Murati, që njëkohësisht është edhe President i Odës Ekonomike Zvicërano-Kosovare. Investimi i kapitalit  për ngritjen e kësaj kompanie rrjedhë nga Zvicra, ndërsa puna realizohet nga punonjës vendorë, pra nga kosovarët. Në këtë kontekst, është siguruar punësimi i më shumë se 1500 të rinjëve, të cilët ofrojnë shërbime të specializuara për operatorët e telekomunikacionit në Zvicër dhe Gjermani.

Në intervistën për Buletinin Ekonomik, Disha ka potencuar se investitorët zvicëranë janë në vazhdimësi të interesuar për të bartur proceset e tyre biznesore në  Kosovë, ndërsa sektorët e preferuar dhe të favorizuar nga ta më shumë janë dizajnimi dhe zhvillimi i shtëpive modulare, dizajni dhe arkitektura si dhe proceset e teknologjisë informative e kontraktimi i proceseve të biznesit. Ndërsa ata janë të fokusuar deri tani me investimet e tyre më shumë në rajonin lindor dhe jugor të  Kosovës.

1. Buletini Ekonomik: Kur është themeluar Oda Zvicërano-Kosovare dhe cili është synimi i themelimit të saj në Kosovë?

Vigan Disha: Oda Ekonomike Zvicërano Kosovare është themeluar në maj të vitit 2021, dhe synimi i themelimit të OEZK-së është promovimi i investimeve kosovare në Konfederatën Zvicërane si dhe mbrojtja dhe promovimi i investimeve zvicërane në Republikën e Kosovës. Për më shumë, përmes platformës së saj, OEZK do të shërbejë si urë-lidhëse në mes të kompanive, organizatave dhe individëve më qëllim të promovimit të tregtisë bilaterale.

2. Buletini Ekonomik: Sa anëtarë janë aktualisht në përberje të Odës dhe prej tyre sa janë biznese zvicerane dhe në këtë kontekst, a ka biznesmen shqiptar që afaron në Zvicërr dhe është i interesuar ta zgjerojë aktivitetin e tij edhe në Kosovë?

Vigan Disha: Aktualisht OEZK numëron 30 kompani anëtare, ku rreth 35% e tyre janë me origjinë nga Zvicra. Padyshim, se ka sipërmarrës shqiptarë që veprojnë në Zvicër dhe aktivitetin e tyre komercial synojnë ta zgjerojnë edhe në Kosovë, konkretisht në sektorët e ICT, përpunimit të drurit dhe agro-produkteve bujqësore.

3. Buletini Ekonomik: Sa kompani zvicerane kanë investuar tashmë në Kosovë dhe në cilat fusha janë të orientuara më shumë këto investime? Ç’mendim kanë investitorët zviceranë rreth mundësive për investime në Kosovë. A kanë ankesa konkrete investitorët potencial zvicëran për ndonjë pengesë eventuale rreth interesimit të tyre për investime?

Vigan Disha: Janë mbi 60 kompani zvicërane që veprojnë në Republikën e Kosovës, ku fushat e investimeve janë të orientuara në ICT, Fintech, përpunimin e drurit dhe BPO. Në kontekstin e IHD-ve, Zvicra është investitori i dytë më i madh në Kosovë me mbi 600 milionë euro të investuara nga 2007-2020. Në anën tjetër, Ligji Nr. 04/L-220 për investimet e huaja, ka pasur një implikim pozitiv në nxitjen e investimeve pasiqë investimet e tyre mbrohen në mënyrë të drejtëpërdrejtë në pajtim me standardet dhe praktikat ndërkombëtare.

4. Buletini Ekonomik: A mund të veçoni ndonjë storie suksesi të një investimi zvicëran në Kosovë?

Vigan Disha: Një ndër storiet e suksesit që mund të veçohen është kompania SPEEEX, tanimë lidere në sektorin e shërbimeve ICT dhe BPO. Investimi i kapitalit rrjedhë nga Zvicra ndërsa puna realizohet nga Republika e Kosovës. Në këtë kontekst, sigurohet punësimi i më shumë se 1500 të rinjëve të cilët ofrojnë shërbime të specializuara për operatorët e telekomunikacionit në Zvicër dhe Gjermani. Ajo çfarë e veçon SPEEEX është zhvillimi i vazhdueshëm organizativ si dhe investimi në kapitalin njerzor që e bëjnë në tregun lokal të Kosovës.

5. Buletini Ekonomik:  A ka projekte investive të gatshme që po presin për të investuar? Nëse po, ku ka më shumë interesime, në cilët sector, dhe në cilat rajone të Kosovës?

Vigan Disha: Investitorët zvicëran janë në vazhdimësi të interesuar për të bartur proceset e tyre biznesore në Republikën e Kosovës, andaj sektorët të cilët po favorizohen më shumë janë në dizajnimin dhe zhvillimin e shtëpive modulare,  dizajni dhe arkitektura si dhe proceset e teknologjisë informative dhe kontraktimi i proceseve të biznesit. Ndërsa rajonet në të cilat janë të fokusuara investimet potenciale janë rajoni lindor dhe jugor i Kosovës.

6. Buletini Ekonomik: Ju personalisht, a mendoni se ende ka pengesa, qoftë ligjore, qoftë administrative, për të qenë ambienti sa më atraktiv dhe i favorshëm për zvicranët?

Vigan Disha: Tanimë, Republika e Kosovës ka rregulluar kornizën e saj ligjore, që për qëllim ka rregullimin, mbrojtjen, promovimin dhe inkurajimin e investimeve të huaja. Gjithashtu, në kontekstin administrativ kjo kornizë parasheh të ju ofrojë investitorëve të huaj të drejta dhe garanci themelore, që u japin siguri investitorëve të huaj që investimet e tyre të mbrohen dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë në pajtim me standardet dhe praktikat e pranuara ndërkombëtare. Andaj, personalisht mendoj se nuk ka ndonjë pengesë potenciale ligjore apo administrative për të penguar investimet e mundshme zvicërane në Kosovë.

7. Buletini Ekonomik: A është bërë sa duhet nga autoritetet kosovare, institucionet kompetente, qeveritë e deritashme të Kosovës, për tërheqjen e investimeve zvicerane?

Vigan Disha: Entitetet qeveritare dhe jo-qeveritare kanë realizuar kampanja të vazhdueshme mbi promovimin dhe mbështetjen e investimeve të huaja në Kosovë. Mirëpo, në aspektin e tërheqjes së investimeve zvicërane në Kosovë nuk është elaboruar plotësisht potenciali që Republika e Kosovës ofron për sipërmarrësit zvicëran. Si rezultat, përgjatë mandatit të saj, OEZK do të promovojë përparësitë krahasuese të Republikës së Kosovës, si destinacion “nearshore” për investimet zvicerane, si dhe do bëjë në vazhdimësi “shoë-case” të storieve të suksesit të sipërmarrësve zvicëran në Kosovë dhe anasjelltas.

8. Buletini Ekonomik: Çka e kishit sugjeruar ju qeverinë aktuale për t’i joshur zvicranët që të angazhojnë paranë e tyre në Kosovën e varfër?

Vigan Disha: Rekomandimi ynë për Qeverinë e Republikës së Kosovës është definimi i sektorëve me interes strategjik për zhvillimin e ekonomisë së Kosovës, si dhe prezentimi i ofertës së vendit tonë ndaj investitorëve potencial zvicëran.

9. Buletini Ekonomik: Oda zvicrano-kosovare, a mund të ndërmarrë ndonjë hap për promovimin e prodhimeve kosovare në Zvicër, respektivisht plasimin e tyre në tregun zvicëran?

Vigan Disha: OEZK përmes mekanizmave të saj organizativ do të organizojë aktivitete të vazhdueshme, të cilat kanë për qëllim promovimin e sektorëve potencial për eksport në Konfederatën zvicërane. Ndër aktivitetet e planifikuara janë: forumi ekonomik, publikimet, promovimi në mediat zvicërane, promovimi i instrumentit të diplomacisë komerciale etj. Gjithashtu, mirëmbajtja e vazhdueshme e databazës së të dhënave të tregut dhe informimi adekuat i ndërmarrjeve të interesuara për eksport në Zvicër do të jetë prioritet kyq i OEZK.

10. Buletini Ekonomik: Çfarë bashkëpunimi keni me asociacionet ekonomike të Kosovës dhe odat simotra të vendeve tjera, tashmë të themeluara te ne?

Vigan Disha: OEZK gëzon partneritet me Odën Ekonomike Gjermane në Kosovë, Odën Ekonomike Austriake në Kosovë, organizatat zvicërane për zhvillimin ekonomik si asosiacionet e bizneseve në Zvicër. /Buletini Ekonomik/