OSSH në Shqipëri kërkon rritje të tarifave të shpërndarjes së energjisë deri në 74%

Në kulmin e krizës energjetike kur bizneset në treg të lirë po përballen me çmime të jashtëzakonshme për të siguruar konsumin duket se një goditje e re është shfaqur në horizont. Këtë herë bëhet fjalë për tarifat e shpërndarjes së energjisë të cilat nëse do të miratohen nga Enti Rregullator i Energjisë sipas aplikimit të bërë nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (pjesë e OSHEE Group) do të çojë në rëndimin e mëtejshëm të situatës. Referuar aplikimit OSSH ka kërkuar rishikim të tarifës së shpërndarjes për të treja kategoritë e bizneseve.

Kështu tarifa e shpërndarjes për bizneset e lidhur në tension 35 kilovolt që aktualisht është 1.5 lekë është kërkuar të rritet me të paktën 74 për qind duke e çuar atë në 2.61 lekë për çdo kilovat/orë energji të transmetuar.

Sa i takon biznesit të lidhur në 20 kilovolt tarifa aktuale e shpërndarjes e aplikuar nga OSSH është 3.9 lekë për KËh ndërkohë që në aplikimin  ri kërkohet që të bëhet 3.99 lekë me një rritje prej 2.3 për qind në raport me tarifën ekzistuese. Numri i bizneseve që aktualisht përdorin shërbimin e shpërndarjes në këtë nivel tensioni në mënyrë të pavarur është ende i ulët por numri i tyre pritet të rritet me të paktën 7 mijë për shkak të vazhdimit të procesit të liberalizmit një hap që është deklaruar tashmë dhe nga qeveria. Nga janari 2022 këto biznese do të përballen njëkohësisht me çmimet e energjisë në tregun e lirë që janë në nivele rekord si dhe me tarifën e shpërndarjes që do ta paguajnë më vete pranë OSSH.

Reklama e sponzorizuar

Po kështu tarifa e shpërndarjes për ata që janë të lidhur në tension 0.4 është kërkuar që të shkojë në 6.63 lekë duke pësuar një rritje dramatike nëse miratohet nga ana e ERE.

Tarifa mesatare e shpërndarjes që aktualisht është 4.79 lekë për çdo kilovat të transmetuar llogaritet të shkojë në 6.42 lekë me një rritje 34 për qind në raport me ekzistuesen.

Ashtu sikurse është lakuar muajve të fundit për familjarët duket se nuk do të ketë ndryshim të çmimit të energjisë të paktën nëse i referohemi kërkesës zyrtare të bërë nga OSHEE ku e vetmja me një aplikim është nën kompania e saj OSSH.

Aplikim për rritje çmimi edhe nga OST

Operatori i Sistemit të Transmetimit që aktualisht ka një tarifë prej 0.75 lekë për çdo kilovat të transmetuar ashtu sikurse ka ndodhur këto vitet e fundit ka kërkuar rishikim të tarifës. Ky i fundit ka përllogaritur se, të ardhurat e munguara për vitet 2021-2022, “janë në masën 3,457 milionë lekë ose 0.24 Ieke/kWh, e cila duhet të merret në konsideratë nga ERE për tu përfshire në rishikimin tarifave. Tarifa mesatare 3 vjecare e transmetimit përllogaritet të jetë 1.47 leke/kwh”.

OST ka propozuar që të bëhet rishikim i metodologjisë sa i takon mënyrës sesi bëhet përllogaritja e tarifave .

“Ne vlerësimet e metodologjisë së propozuar, të ardhurat e kërkuara do të mund të ndaheshin sipas përdoruesve të rrjetit. Kështu, të ardhurat e kërkuara prej 34.4 miliardë lekë për vitet 2022-2024, do të mund të ndaheshin në 30.1 miliardë lekë për furnizuesit dhe 4.3 miliardë lekë për prodhuesit dhe/ose tregtarët të cilët përdorin rrjetin e transmetimit për transaksione të energjisë elektrike jashtë kufijve te vendit.

Sipas metodologjisë së propozuar, tarifa e transmetimit do të kishte 3 komponentë, të cilët i takojnë

shërbimeve të transmetimit (Transmetim; Operim dhe Treg). Për përdoruesit e rrjetit të transmetimit në funksion të tregut të brendshëm të energjisë, do të mund të aplikoheshin 3 komponentet e tarifës. Per përdoruesit e rrjetit të transmetimit në funksion të tregut të jashtëm td energjisë, do të mund te aplikohej vetëm tarifa e përdorimit të rrjetit të transmetimit. Sipas përllogaritjeve, tarifa mesatare e Furnizuesve do të mund të ishte 1.29 lekë/kWh (0.87 lekë/kWh – Transmetimi; 0.42 lekë/kWh – Operimi; 0.005 lekë/kWh – Tregu), ndërsa për Prodhuesit dhe tregtaret që japin energji jashtë vendit tarifa do të mund të ishte 0.87 lekë/kWh” thuhet në aplikim. /Monitor.al/