Bruto Produkti Vendor ndër vite: Kush kontribuon më së shumti në rritjen e BPV-së në Kosovë?

Bruto Produkti Vendor për kokë banori në vitin 2020, ishte 3,772 euro, derisa BPV-ja me çmimet aktuale po në këtë vit kishte arritur në 6 miliardë e 771 milionë euro.

Prishtinë, nëntor– Bruto Produkti Vendor si njëri prej treguesve më të fuqishëm ekonomikë në Kosovë, është duke u rritur me ritme relativisht të ulëta dhe jo të kënaqshme. Nga një shifër krejtësisht e ulët prej vetëm 3 miliardë e 537 më 2008-n, në vitin 2020 kjo shifër ka arritur në 6 miliardë e mbi 771 milionë euro.

Bruto Produkti Vendor për kokë banori në vitin 2020, ishte 3 mijë e 772 euro, derisa BPV-ja me çmimet aktuale po në këtë vit kishte arritur në 6 miliardë e 771 milionë euro.

Reklama e sponzorizuar

Për një periudhë 12 vjeçare (2008-2020), BPV-ja në vend ka arritur të rritet për 3 miliardë e 234 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas raportit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), “Industria Pëpunuese” për vitin 2020, aktivitetet ekonomike kryesore të cilat kanë kontribuar në rritjen e BPV-vë për një periudhë 3 vjeçare (2018-2020) ishin: industria përpunuese, tregtia me shumicë dhe pakicë, bujqësia, gjuetia, pylltaria, peshkimi, afarizmi me pasuri të patundshme si dhe sektori i ndërtimtarisë.

Peshën më të madhe si kontribuesja më e madhe e këtij treguesi ekonomik për vite me radhë, e bartë industria përpunuese në Kosovë, e cila vetëm në vitin 2020 mori pjesë me 13.4% në gjithë BPV-në, kurse menjëherë pas saj vjen tregtia me shumicë dhe pakicë dhe riparimi i automjeteve dhe motoçikletave me 12. 8%. Ndërkohë, në vendin e tretë është sektori i ndërtimtarisë i cili merr pjesë me 7.7%, ndërsa në vendin e katërt qëndron sektori i bujqësisë, gjuetisë, pylltarisë dhe peshkimit, me një përqindje prej 7.4.

Gjithashtu edhe sektori i afarizmit me pasuri të patundshme zë një vend prej 7.3% të pjesëmarrjes në vlerën e përgjithshme të BPV-së, sektori i administrimit publik, i mbrojtjes dhe sigurimi i detyrueshëm social paraqitet me një përqindje prej 6.6, kurse aktivitetet financiare dhe të sigurimit marrin pjesë me 4.1%.

Nga gjithsej 20 aktivitete të llogaritura, më 2020 krahasuar me vitin 2019, kanë shënuar rritje 9 aktivitete, ndër të cilat rritjen më të lartë e ka shënuar aktiviteti i administrimit publik dhe i mbrojtjes; sigurimi i detyrueshëm social, pastaj industria përpunuese, furnizimi me energji elektrike, me gaz etj. E rënien më të lartë të BPV-së, kanë shënuar aktiviteti i hoteleve dhe restoranteve, transporti dhe magazinimi dhe ndërtimtaria.

Nga ky raport, bëhet e ditur se rënia reale në vitin 2020 në krahasim me vitin 2019, ishte 5.34%.

Derisa BPV-ja më 2019 ishte në një shifër më të lartë sesa më 2020, prej 7 miliardë e 56 milionë eurove, kurse më 2020 ishte 6 miliardë e 771 milionë euro, tatimet në produkte kishin ndikuar në një vlerë më të vogël për shkak se më 2020-n ky tatim ishte më i ultë për rreth 200 milionë euro. Kështu, tatimi në produkte më 2019-n, ishte 1 miliardë e 419 milionë euro, ndërsa më 2020 ishte 1 miliardë e 278 milionë.

Pra, viti 2019 ishte i vetmi vit kur BPV-ja e Kosovës kishte arritur në mbi 7 miliardë euro.

Ndërkaq, duke mos përfshirë tatimet në produkte dhe subvencionet në produkte që përbëjnë Bruto Produktin Vendor, shifra reale e Bruto Vlerës së Shtuar (BVSH) të të gjitha aktiviteteve ekonomike më 2020, ishte 5 miliardë e 590 milionë e 522 mijë euro derisa më 2019 kjo shifër ishte 5 miliardë e 698 milionë e 635 mijë euro.

Duhet thënë se në rënien e BPV-së më 2020, krahasuar me vitin 2019, siç u pa edhe në shifrat e sipërshënuara, kanë ndikuar drejtpërsëdrejti dhe në masë të madhe pasojat e pandemisë në vendin tonë.

Bazuar në po të njëjtin raport të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Kosova në vitin 2020, ka eksportuar mallra në vlerë prej 474 miliardë e 9 milionë eurove, ndërsa në vitin 2019 vlera e eksportit ishte 383 miliardë e 5 milionë euro, çka përbën një rritje për 23.83%.

Ndërsa sa i përket importit, në vitin 2020 importi ka shënuar vlerën prej 3.29 miliardë euro, deri sa në vitin 2019 importi ishte 3.49 miliardë euro, ku shihet se ka një rënie për 5.73%.

“Raporti mes eksportit dhe importit në vitin 2020, duke u bazuar nga të dhënat e pasqyruara të shkëmbimit tregtar, paraqet bilanc negativ tregtar, ku mbulimi i importit me eksport është rreth 12.59%”, shpjegohet tutje në raport.

Pjesëmarrja e industrisë përpunuese në eksport, në vitin 2020 ishte 398.46 miliardë euro, ndërsa në vitin 2019 ishte 291.70 miliardë euro, ku e shprehur në përqindje në vitin 2020 eksporti kishte shënuar rritje për 36.6%.

Ndërsa importi në vitin 2020 në këtë sektor, ishte 3.06 miliardë euro, ndërsa në vitin 2019 kishte qenë 3.35 miliardë euro, që tregon se ishte shënuar rënie për 5.9%.

Pjesëmarrja e industrisë përpunuese, në eksportin e përgjithshëm, në vitin 2020 ishte rreth 83.9%, me një rritje të pjesëmarrjes për rreth 8% krahasuar me vitin 2019, ndërsa në importin e përgjithshëm, pjesëmarrja e kësaj industrie ishte 93%, që tregon se nuk ishte shënuar ndryshim nga viti paraprak.

Sipas vlerësimeve të MINT, ekonomia e Kosovës në dekadën e fundit ka shënuar normë pozitive të rritjes ekonomike, përkundër sfidave të shkaktuara nga luhatjet në ekonominë globale, sidomos në atë Evropiane dhe është rritur vazhdimisht mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Si sfida që po e pengojnë zhvillimin ekonomik të Kosovës, MINT përmend shkallën relativisht të lartë të ekonomisë joformale, fuqinë punëtore të pakualifikuar, normën e ulët të pjesëmarrjes në punë (në veçanti të rinjtë dhe gratë) dhe nivelin relativisht të lartë të korrupsionit. /Mirjeta Shabani/ /Buletini Ekonomik/