Dekarbonizimi i Kosovës duhet të ndodhë gradualisht

76

Me dekarbonizimin e sektorit të energjisë në mënyrë graduale në Kosovë,  nënkuptohet mbajtja e gjenerimit bazë nga termocentralet ekzistuese sa ma gjatë që të jetë e mundshme (deri sa komercialisht mund të operojnë) por të revitalizuara ashtu që niveli i ndotësve të jetë në kuadër të limiteve të lejuara me standardet europiane.

(Intervista e Buletinit Ekonomik me Gazmend Kabashin, menaxher i Zyrës për Zhvillim dhe Planifikim Afatgjatë në KOSTT dhe një njohës i mirë i sektorit energjetik.)

 Mehmet GJATA

Në  konferencën e Glasgow (Skotlandë), vendet e zhvilluara janë zotuar që të mos financohen në termocentralet e reja nga qymyri (linjiti) si emetuesit ndër më të mëdhenjtë të CO2. Kjo nuk do të thotë që Kosova nuk do të lejohet të përdorë termocentralet ekzistuese, por ndërtim të kapaciteteve të reja nuk do të ketë.

Padyshim që edhe për shumë kohë Kosova si shtyllën kryesore të sigurisë së furnizimit do ta ketë nga termocentralet ekzistuese TC Kosova B dhe A, ka sqaruar Gazmend Kabashi, menaxher i Zyrës për Zhvillim dhe Planifikim Afatgjatë në KOSTT në një intervistë për Buletinin Ekonomik.

Sipas tij, varësisht se si do të përcaktohen kostot e CO2 për vendet e Komunitetit të Energjisë, do të ndikohen edhe orët e operimit të termocentraleve ekzistuese.

Kabashi, një njohës i mirë i sektorit energjetik, thotë se vendet në zhvillim siç është Kosova nuk duhet ta mbajnë barrën e njëjtë me vendet e zhvilluara apo emetuesit e mëdhenjë të CO2. Dekarbonizimi i sektorit të energjisë duhet të ndodhë në mënyrë graduale në Kosovë. Kjo nënkupton mbajtjen e gjenerimit bazë nga termocentralet ekzistuese sa ma gjatë që të jetë e mundshme (deri sa komercialisht mund të operojnë) por të revitalizuara ashtu që niveli i ndotësve të jetë në kuadër të limiteve të lejuara me standardet Evropiane.

Gazmend Kabashi në intervistën e gjatë për Buletinin Ekonomik, ishte i prerë se “gjenerimi nga burimet e ripërtëritëshme duhet të shtohet ashtu që Kosova të përmbushë nivelin e diversifikimit të gjenerimit nga BRE-të”. Integrimi i tregut me Shqipërinë do të jetë faktor shumë i rëndësishëm që do të ndihmojë integrimin më të lehtë të burimeve të ripërtëritshme.

  1. Buletini Ekonomik: Si i vlerësoni rekomandimet e fundit të G20-shit, tashmë fare të ditura rreth “Jo”-së së fortë për të investuar më në energjinë e prodhuar nga qymyri? Si do t’i përballojë Kosova këto restriksione dhe përkufizime shumë sfiduese për vendin tonë, aq më parë kur dihet se edhe për shumë vjet te ne qymyri do të jetë burimi qenësor për prodhimin e energjisë elektrike?

Gazmend Kabashi: Është mëse evidente që aktiviteti njerëzor po ndikon në klimën globale. Niveli i emitimit të gazrave serrë ka ndryshuar ndër shekuj me rënie dhe ngritje pothuajse periodike, por pas epokës së industrializimit ky nivel i CO2 është rritur në mënyrë graduale dhe të dhënat tregojnë që niveli aktual i CO2 në atmosferë ka mbërritur vlerën kritike, që sipas parashikimeve do të ketë  efekte dramatike në  ndryshimet klimatike. Këto ndryshime klimatike do të përcillen me efekte të klimës ekstreme të përcjellura me vërshime, thatësi, shtrëngata të fuqishme dhe me rritje të nivelit të detit. Për të parandaluar katastrofën klimatike, që nga 1990 janë bërë zotime në parandalimin apo reduktimin e emitimit të gazrave serrë dhe zëvendësimin gradual të burimeve energjetike nga fosilet me burime të ripërtëritëshme. Përkundër kësaj, matjet tregojnë që niveli i CO2 është në vlerat rekorde. Në vazhdën e kësaj janë edhe rekomandimet nga konferenca për klimën COP26 e mbajtur në Glasgow (Skotlandë). Në këtë konferencë vendet e zhvilluara janë zotuar që mos të financohen në termocentralet e reja nga qymyri (linjiti) si emituesit ndër më të mëdhenjtë të CO2. Kjo nuk do të thotë që Kosova nuk do të lejohet të përdorë termocentralet ekzistuese, por ndërtim të kapaciteteve te reja nuk do të ketë. Padyshim që edhe për shumë kohë Kosova si shtyllë kryesore të sigurisë së furnizimit do ta ketë nga termocentralet ekzistuese TC Kosova B dhe A. Varësisht se si do të përcaktohen kostot e CO2 për vendet e Komunitetit të Energjisë, do të ndikohen edhe orët e operimit të termocentraleve ekzistuese. Në Evropë për vendet e Unionit Evropian ekziston mekanizmi i tregtimit të karbonit ETC, i cili përcakton nivelin e lejuar të emitimit të CO2 për secilin termocentral nga fosilet apo industritë që përdorin energjinë nga fosilet. Pjesa e CO2 që tejkalohet duhet të blehet në tregun e ETC, ku p.sh., çmimi aktual i CO2 ka mbërritur në 60 Euro/ton. Ky nivel i emitimit vit pas viti azhurnohet që nënkupton që reduktohet duke bërë presion tek prodhuesit e energjisë nga fosilet që gradualisht të reduktojnë prodhimin, pasi që komercialisht nuk do të mund të operojnë me kapacitet të plotë. Aktualisht vendet e Ballkanit nuk kanë obligime të tilla por nga 2025 pritet që në mënyrë graduale të adaptohet nga vendet përkatëse taksa e CO2, e cila kuptohet që fillimisht do të jetë e vogël por me ngritje graduale sipas caqeve që do të përcaktohen nga Komuniteti i Energjisë për secilin vend të Ballkanit Perëndimor.

 

  1. Buletini Ekonomik: Kemi nevoja gjithnjë në rritje për energji elektrike, konsum të shtuar sidomos gjatë dimrave dhe pikut. Në anën tjetër gjithë këto restriksione nga bota, nga shtetet e fuqishme financiare dhe nga institucionet monetare ndërkombëtare për ta stopuar qymyrin dhe karbonin. Si do të gjindet Kosova karshi këtyre ndalesave dhe kërkesave për energji të pastër? Ku duhet të fokusohet urgjentisht Kosova e varfër?

Gazmend Kabashi: Vendet në zhvillim siç është Kosova nuk duhet ta mbajnë barrën e njëjtë me vendet e zhvilluara apo emetuesit e mëdhenjë të CO2. Dekarbonizimi i sektorit të energjisë duhet të ndodhë në mënyrë graduale në Kosovë. Kjo nënkupton mbajtjen e gjenerimit bazë nga termocentralet ekzistuese sa ma gjatë që të jetë e mundshme (deri sa komercialisht mund të operojnë) por të revitalizuara ashtu që niveli i ndotësve të jetë në kuadër të limiteve të lejuara me standardet Evropiane. Gjenerimi nga burimet e ripërtëritëshme duhet të shtohet ashtu që Kosova të përmbushë nivelin e diversifikimit të gjenerimit nga BRE-të. Integrimi i tregut me Shqipërinë do të jetë faktor shumë i rëndësishëm që do të ndihmoj integrimin më të lehtë të burimeve të ripërtritëshme.

 

  1. Buletini Ekonomik: Çka duhet të bëjë Kosova, çka në periudhë më të shkurtër kohore dhe çka në periudhë më të gjatë kohore për të pasur rrymë për konsumatorët e vet, duke respektuar sa më shumë rekomandimet e G20-shit?

Gazmend Kabashi: Në bazë të planifikimit të KEK-t, Kosova B do të rivitalizohet dhe do të jetë shtylla kryesore e furnizimit me energji elektrike, ndërsa për termocentralin Kosova A ende nuk ka vendim se si do të veprohet. Për të arritur sigurinë e furnizimit, Kosova duhet të fokusohet në tre faktorë  kryesor: Ngritja e eficiencës së shfrytëzimit të energjisë elektrike, rritja e besueshmërisë së operimit të centraleve ekzistuese, ngritja e kapaciteteve nga burimet e erës dhe diellit si dhe fuqizimit të tregut të përbashkët me Shqipërinë. Aktivitetet e lartpërmendura duhet të reflektojnë në uljen e ndotësve nga aktiviteti i sektorit të energjisë. Gjithashtu duhet të përkrahet gjenerimi për vet konsum dhe akumulim, i cili në mënyrën se si shpërndahet në gjithë territorin e ndihmon shumë në reduktimin e kërkesës për energji elektrike dhe tërthorazi në reduktimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes dhe transmisionit. Në terma afatgjatë kohor deri në vitin 2050, siguria e furnizimit do te mbështetet pjesërisht nga TC Kosova B dhe pjesa e mbetur nga burimet e ripërtëritshme dhe shkëmbimet me Shqipërinë. Pas kësaj periudhe kohore, planifikimi ka pasiguri të lartë për shkak të ndërrimeve dinamike të teknologjive aktuale dhe të reja që ndërkohë janë në proces të zhvillimit apo të rejat që do të zhvillohen. Diskutime të shumta sot në botë fokusohen tek hidrogjeni si burim primar i energjisë së pastër, i cili do të prodhohet nga teprica e energjisë së prodhuar nga burimet e erës dhe ato solare. Pas krizës aktuale energjetike, ka një tendencë të rikthimit të centraleve nukleare, por me kapacitete të vogla dhe shumë më të sigurta se sa teknologjitë aktuale. Se cilin drejtim do ta marrë Kosova pas 2050-s aktualisht është vështirë të përcaktohet, por një gjë është e ditur që edhe Kosova duhet të shkojë drejt dekarbonizimit të ekonomisë, por me kosto të arsyeshme dhe gjithmonë duke mos e cënuar sigurinë e furnizimit.

  1. Buletini Ekonomik: A ka fuqi financiare Kosova që ta financojë vet, me para vetanake deri në vitin 2050, kur nuk do të ketë më thëngjill, prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri? Ose më konkretisht, a ka Kosova potencë financiare për rehabilitimin rrënjësor të termocentraleve Kosova B dhe të rindërtimit eventual të Kosovës A, apo duhet doemos edhe në mungesë të energjisë së rinovueshme kushtimisht për një kohë të gjatë të importojë mungesat e energjisë elektrike?

Gazmend Kabashi: Kosova B veç është në fazën e rivitalizimit dhe kryesisht e përkrahur financiarisht nga fondet e BE-së. Sa i përket TC Kosova A, ende nuk ka vendim.

 

  1. Buletini Ekonomik: Sipas jush, kah duhet të fokusohet me përparësi Kosova, kah rehabilitimi i termokapaciteteve energjetike, apo kah ndërtimi i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme, aty ku ka mundësi dhe potencial?

Gazmend Kabashi: Duhet që të ndodhë në mënyrë paralele. Ri-vitalizimi i  njësive ekzistuese, operimi i tyre me norma te lejuara mjedisore dhe integrimi i vazhdueshëm i kapaciteteve nga era dhe dielli, por duhet të analizohen edhe kapacitetet e biomasës, ku tanimë kemi një central të tillë në qytetin e Gjakovës i cili është integruar në ngrohjen qendrore të qytetit. Mënyra e shfrytëzimit të energjisë elektrike duhet që gradualisht të ndërrohet. Aktualisht konsumatori shtëpiak është konsumuesi më i madh i energjisë elektrike në Kosovë, pasi që gjatë sezonës dimërore konsumatorët nuk kanë shumë alternativë për ngrohje. Për këtë arsye ndërtimi i Ngrohjeve Qendrore në qytetet e mëdha luan një rol të jashtëzakonshëm në reduktimin e kërkesës për energji elektrike. Se si do të operojnë këto qendra të ngrohjes, me çfarë teknologjie, me çfarë burimi primarë të energjisë është një pyetje e vështirë që tani t’i përgjigjemi. Ka teknologji të ndryshme, me gaz, me konvertim solar në nxehtësi, tepricat e prodhimit nga era dhe dielli në nxehtësi, biomasa etj. Teknologjia e pompave termike me efikasitet të lartë gjithashtu duhet të përkrahet për konsumatorët të cilët nuk mund të kyçen në rrjetin e ngrohjeve qendrore.

 

  1. Buletini Ekonomik: Ku duhet të investojë më urgjentisht dhe më shumë për të siguruar sasi të lakmueshme të energjisë së rinovueshme te energjia në bazë të erës, te ajo solare, apo duhet bërë investime në hulumtimin e ndonjë mundësie të panjohur deri tani për të pasur energji të rinovueshme?

Gazmend Kabashi: Në bazë të karakteristikave të Sistemit Elektroenergjetik të Kosovës, energjia nga era ka përparësitë e saj kundrejt energjisë solare. Energjia nga era është në dispozicion varësisht nga shpejtësia e erës. Kjo nënkupton që prodhimi nga burimet me erë është në dispozicion 24 orë në ditë me variacionet e prodhimit që varen nga shpejtësia e erës. Ndërsa energjia solare kryesisht varet nga niveli i rrezatimit diellor, pra atëherë kur konsumi nacional është më i lartë, disponueshmëria e tyre është zero apo e ulët (sezona dimërore). Në anën tjetër, kostoja e ndërtimit dhe koha e ndërtimit është dukshëm më e ulët të parqet solare. Kosova duhet të integrojë të dy llojet e burimeve, pasi që variacionet e prodhimit nga BRE-të mund të amortizohen për shkak të dy teknologjive të ndryshme. Sa i përket problemit të balancimit të sistemit në kohë reale të shkaktuara nga BRE-të, ky problem mund të zbutet nëse krahas instalimit të parqeve solare instalohen edhe bateri akumuluese. Bateritë akumuluese do të mund të bënin zhvendosjen e ngarkesës në atë mënyrë që gjatë prodhimit maksimal në mesditë nga burimet solare, bateritë do të mbushen, ndërsa gjatë mbrëmjes kur shfaqet piku do të zbrazen. Kombinimi solar + bateri e bënë të mundshme një disponueshmëri 24 orësh të burimeve solare. Kuptohet që kostoja e instalimit do të jetë më e lartë, por tendenca është që kostoja e instalimit të baterive do të bie në vitet në vijim.

 

  1. Buletini Ekonomik: Në cilat lloje të tjera të energjisë së ripërtëritshme ka mundësi dhe potenciale Kosova?

Gazmend Kabashi: Potencial i lartë i vlerësuar në Kosovë është edhe instalimi i Paneleve Solare në kulmet e shtëpive, objekteve komerciale, hapësirave përgjatë autostradave dhe e gjitha e kombinuar me kapacitete te caktuara te baterive akumuluese do të ndihmonte shumë sigurinë e furnizimit. Studime shtesë duhet të bëhen për potencialet e burimeve nga biomasa nga mbetjet urbane. Me këtë rast do të evitoheshin edhe deponitë e mbeturinave urbane anembanë Kosovës. Një formë e akumulimit të energjisë është edhe prodhimi i hidrogjenit, e cila mund të prodhohet me elektrolizën e ujit të furnizuar nga tepricat e BRE-ve. Hidrogjeni mund të depozitohet dhe të shfrytëzohet për më vonë atëherë kur sistemi ka nevojë për energji elektrike apo termike. Pra ekzistojnë teknologji të ndryshme që vendi ynë duhet t’i përcjellë dhe të vendosë në bazë të renditjes sipas kostove më të ulëta dhe që reflektojnë sa më pak në koston e cila përcillet te konsumatori fundor.

 

  1. Buletini Ekonomik: Po burimet e tanishme të identifikuara si të mundshme të energjisë së rinovueshme sa janë konkretisht në shifra, dhe si të tilla po qe se shfrytëzohen të gjitha potencialet (turbinat e mundshme me erë, panelet solare dhe minihidrocentralet ekzistuese) sa mund të kishte prodhuar Kosova energji të rinovueshme në këto rrethana?

Gazmend Kabashi: Kosova aktualisht pas futjes në operim të Parkut të Erës në Selac ka 138 MW kapacitete nga era, rreth 11.4 MW kapacitete solare dhe rreth 121 MW hidrocentrale. Prodhimi në vitin 2022 pritet të jeteë rreth 540 GWh apo 10% e prodhimit total. Nëse konsiderohet dekarbonizimi intensiv me 45% BRE qe përmban 700MW burime nga era, 600 MW burime solare dhe 156 MW HC, prodhimi i tyre do të mbërrijë vlerën rreth 3300 MWh përafërsisht sa prodhojnë sot dy njësitë e TC Kosova B.

 

  1. Buletini Ekonomik: Pse ekziston gjithë kjo shpërputhje ndërmjet fuqisë së instaluar dhe mundësisë së prodhimit real të kapaciteteve të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme, qoftë të parqeve me erë, qoftë të centraleve solare?

Gazmend Kabashi: Prodhimi i centraleve të gjenerimit varet nga faktori i kapacitetit qe kanë. Faktori i kapacitetit paraqet në të vërtetë fuqinë mesatare vjetore të centralit, i cili kur të shumëzohet me orët e një viti (8760h) e jep prodhimin vjetor. Nëse krahasojmë termocentralet, ato kanë një faktor të lartë të kapacitetit 0.8-0.9, pasi që lëndën primare (djegëse) e kanë gjithmonë në dispozicion. Te BRE-të solare dhe nga era, burimi primar është energjia kinetike e erës dhe niveli i rrezatimit diellor. Këto burime janë variabile dhe të varura nga gjendja klimatike. Aktualisht, faktori i kapacitetit për burimet e erës në Kosovë vlerësohet të jetë rreth 0.32, pra nëse kemi një park me erë me fuqi 100 MW, mund të konsiderohet që prodhimi vjetor i saj është sikur një gjenerator 32 MW të punonte gjatë tërë vitit. Në anën tjetër, te burimet solare faktori është i përgjysmuar dhe në Kosovë sillet në brezin 0.1-0.16, pra një park solar 100 MW prodhon njëjtë sikurse një central gjenerues 16 MW i cili punon pandërprerë gjatë tërë vitit. Pra, në vlerësim fillestar duke u bazuar në fuqi një park solar 100MW duket të jetë i madh, e që në të vërtetë ka orë që prodhon 100 MW, por energjia është prodhim i fuqisë dhe kohës dhe prodhimi i energjisë elektrike nga kjo lloj teknologjie nuk është i lartë.

 

  1. Buletini Ekonomik: Po a ka ndonjë shpresë për mundësinë eventuale për aktivizimin e ndonjë hidrocentrali më potent sa i përket prodhimit të energjisë elektrike, natyrisht pa degraduar lumenjtë tanë?

Gazmend Kabashi: Nuk ka potenciale për hidrocentrale të nivelit si HC Fierza apo HC Komani, por ka mundësi për HC Reverzibile të madhësive të mëdha të cilat e ri-qarkullojnë ujin nga lartë poshtë (gjenerim) dhe nga poshtë lartë (pompim). Kjo teknologji përdoret për rritjen e fleksibilitetit dhe rezervave rregulluese të sistemit, e shkaktuar nga variabiliteti i lartë i BRE-ve dhe pasiguritë në parashikim. /Buletini Ekonomik/