Shqyrtimi i parë i Projektbuxhetit, Murati: Buxheti 2022 do të jetë 8.7 për qind më i lartë

Sot në Kuvendin e Kosovës në rend dite është edhe Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022.

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka paraqitur këtë Projektligji, ndërkaq tha sa i përket vitit që po e lëmë pas kanë përcjellë me kujdes treguesit kryesorë ekonomik, saktësisht përgjatë periudhës janar-shtator.

Murati para deputetëve të Kuvendit tha se sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, bruto-produkti vendor gjatë gjysmës së parë të vitit ka shënuar një rritje rreth 10 për qind.

“Kjo rritje është në linjë me pritjet tona për rimëkëmbje të theksuar ekonomike”, tha ai.

Sipas tij, rritja e deritashme konfirmon se ekonomia e Kosovës ka rikuperuar pothuajse plotësisht humbjet e shkaktuara nga pandemia në aktivitetin ekonomik.

“Ekonomia e Kosovës gjatë vitit aktual pritet të rritet në mënyrë dyshifrore, pra me rreth 10 për qind në terma real, ndërsa 12.2 për qind në terma nominal”, tha ai.

“Projektligji për buxhetin si shifër parashihet të jetë 2.7 miliardë, pra 8.7 për qind më lartë se buxheti i rishikuar i këtij viti. Deficiti parashihet të kthehet në normalitet…”, ka thënë ai./Telegrafi/