INDEP: Ministria e Ekonomisë të fillojë hartimin e Ligjit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë sa më shpejtë

Për ditën ndërkombëtare të energjisë, INDEP ka publikuar punimin e ardhshëm në fushën e energjisë ‘Roli i energjisë së ripërtëritshme në arritjen e objektivave për 2030’.

‘Energjia e ripërtëritshme është vendimtare për të garantuar zhvillim të qëndrueshëm dhe transformim thelbësor të energjisë në Tokë nga energjia e varur prej karburanteve fosile në atë të gjelbër, të përballueshme dhe rrethore’, thuhet në komunikatën e INDEP me rastin e publikimit të punimit të ri.

Ky publikim është realizuar në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES).

INDEP: Energjia e ripërtëritshme e vetmja formë alternative kundër energjisë ndotëse

Në publikimin e tyre, INDEP ka përsëritur se energjia e ripërtëritshme, deri tani, është e vetmja formë alternative kundër energjisë prej burimeve ndotëse, e cila jo vetëm që është e qëndrueshme por gjithashtu shmang dëmet mjedisore dhe shëndetësore.

‘Energjia e ripërtëritshme është shndërruar nga një ideal dhe vizion për të ardhmen, në një kërkesë të ngutshme drejt tryezave të politikëbërësve’, ka thënë INDEP në komunikatë.

Ndryshe, në kuadër të punimit, INDEP ka bërë edhe një sërë rekomandimesh që për qëllim kanë zhvillimin e mëtutjeshëm të sektorit të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë.

Ligji për BRE-të, reformimi i skemës mbështetëse dhe ‘One Stop Shop’ për investime në BRE, ndër rekomandimet e INDEP

Ndër rekomandimet e para, INDEP ka kërkuar nga Ministria e Ekonomisë të hartojë ligjin për burime të ripërtëritshme të energjisë si dhe vendosjen e synimeve të reja dhe më ambicioze të energjisë së ripërtëritshme.

‘Qeveria të vendosë synime të reja për burimet e ripërtëritshme bazuar në studimin e Komisionit Evropian, qëllimin tonë përfundimtar të dekarbonizimit dhe një vizion për tranzicionin e energjisë dhe faza e thëngjillit’, ka kërkuar INDEP, ndërsa kanë shtuar se duhet krijuar ehde mekanizmi përcjellës elektronik për zbatimin e synimeve të reja.

INDEP ka rekomanduar edhe decentralizimin e burimeve gjeneruese përmes promovimit të burimeve në shkallë të vogël, reformimin e skemës mbështetëse për konsumatorët e kategorisë ‘vetkonsum’, shtimin e rolit të komunave dhe krijimin e një ‘One Stop Shop’ për burime të ripërtëritshme të energjisë.

Rekomandimet

  • Ministria e Ekonomisë, përgjegjëse për sektorin e energjisë, të fillojë hartimin e Ligjit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë sa më shpejt të jetë e mundur;
  • Kosova të vendosë synime të reja të energjisë së ripërtëritshme bazuar në një ambicie më të lartë dhe me një angazhim për një bashkëpunim më të madh me aktorët kryesorë;
  • Qeveria të vendosë synime të reja për burimet e ripërtëritshme bazuar në studimin e Komisionit Evropian, qëllimin tonë përfundimtar të dekarbonizimit dhe një vizion për tranzicionin e energjisë dhe faza e thëngjillit;
  • Kosova të krijojë një mekanizëm përcjellës elektronik për implementimin e synimeve të reja;
  • Qeveria e Kosovës të promovojë decentralizimin e burimeve gjeneruese përmes promovimit të burimeve në shkallë të vogël;
  • Zyra e Rregullatorit të Energjisë të reformojë skemën mbështetëse për konsumatorët me vetë-konsum (Prosumers);
  • Qeveria duhet të krijojë një One Stop Shop për investime në energjinë e ripërtëritshme;
  • Energjia e ripërtëritshme të mbështetet me masa fiskale dhe masa të tjera shtesë të politikave; si dhe
  • Komunat të kenë një rol të shtuar në implementimin e objektivave për vitin 2030.