Çka parasheh marrëveshja e bashkëpunimit në tregjet e energjisë elektrike mes Kosovës dhe Shqipërisë?

Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) dhe Enti Rregullator i Energjisë së Shqipërisë (ERE), kanë nënshkruar dje Marrëveshjen Kornizë të bashkëpunimit në tregjet e energjisë elektrike.

Sipas një komunikate nga ZRRE-ja, bashkimi i tregjeve të energjisë elektrike mes dy vendeve do të kontribuojë në zgjerimin e sigurisë së furnizimit me energji elektrike dhe pritet ta rrisë konkurrencën në tregjet e energjisë elektrike si dhe ruajtjen dhe zgjerimin e një tregu me çmime të drejta.

Kjo marrëveshje do të përcaktojë gjithashtu edhe të drejtat, detyrimet dhe hapat e nevojshëm që palët nënshkruese duhet të ndërmarrin për të bashkëpunuar në lidhje me organizimin e tregjeve të bashkuara të energjisë elektrike të një ditë më herët dhe brenda ditës, për sa i përket roleve dhe përgjegjësive në lidhje me operimet, administrimin dhe vendimmarrjen, përmes organizimit të alokimit të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit në kufijtë e tyre të përbashkët një ditë më herët dhe brenda ditës.

Reklama e sponzorizuar

Nga ZRRE-ja pohojnë se ky bashkëpunim do të përforcojë shfrytëzimin më efikas të interkoneksioneve të përbashkëta ndërkufitare përmes metodave objektive, të bazuara në tregje jo-diskriminuese dhe transparente.

Po ashtu, përmes këtij bashkëpunimi do të ofrohet hyrja korrekte dhe jo-diskriminuese në tregun e ditës në avancë dhe brenda ditës duke nxitur efiçencë të përfitimeve në të dy tregjet e energjisë elektrike.

“Ky bashkëpunim, si i pari në rajon në një treg të përbashkët, do të shërbejë si nxitje për zgjerimin e bashkimit të më shumë tregjeve në rajon e me gjerë”, përfundon komunikata e ZRRE-së. /Buletini Ekonomik/