Auditorët zbulojnë skandalin e udhëtimeve me ‘biznes klasë’ të zyrtarëve të shtetit

Zyrtarët e institucioneve më të rëndësishme shtetërore kanë vazhduar “ta shterrin” buxhetin e Kosovës në mënyrë jo të drejtë, duke paguar bileta udhëtimi të klasës së parë në vend të asaj ekonomike. Këto çmime ishin gjashtë fish më të shtrenjta sesa çmimi i kontraktuar i biletave për këto udhëtime.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në një raport përmbledhës për udhëtimet ajrore të zyrtarëve shtetërorë, me titull “Kontratat e centralizuara – Shërbimet e transportit ajror”, ka nxjerrë në pah një varg parregullësish sa i përket çmimeve të biletave të shfrytëzuara nga institucionet shtetërore, çmime këto që kapnin shifra marramendëse.

Nga 11 mijë e 993 bileta të cilat ishin të parapara me kontratën e parë publike kornizë për shërbimet e transportit ajror për ministritë dhe disa prej agjencive të tyre, ishin realizuar vetëm 11 mijë e 654 bileta, por duke tejkaluar kështu shifrën e çmimit të biletave për gjithsej 1.1 milionë euro nga çmimi i kontraktuar i kontratës bazë. Kjo për arsye se ministritë dhe organizatat buxhetore që e kanë shfrytëzuar këtë shërbim, kanë blerë bileta për 6-fish më të shtrenjta sesa çmimi i kontraktuar, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Deri në nëntor të vitit 2020, për shërbime të transportit ajror, Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) kishte lidhur dy kontrata kornizë të centralizuara. Kontrata e parë ishte zbatuar 100% ende pa skaduar afati i kontratës, ndërsa e dyta kishte arritur që brenda 12 muajve të realizohet në nivelin 74%.

Vlera e kontratës së parë në fillim, për 11 mijë e 993 bileta ishte vetëm 4 milionë e 773 mijë e 200 euro, ndërsa për 11 mijë e 654 biletat e tjera që i shfrytëzuan institucionet shtetërore (edhe pse për 279 bileta më pak), u pagua çmimi prej edhe 1.1 milionë eurove më shumë.

Zyrtarët që i shfrytëzuan këto bileta kishin paguar bileta të klasës së parë dhe “Business Class”, në vend se të paguanin bileta të klasit ekonomik sipas kontratës, gjë që do ta mundësonte kursimin e buxhetit të shtetit.

Mesatarja e çmimit për biletë nuk ishte 400 euro siç e kishte parashikuar Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) në kontratë, por në fakt ishte 503 euro për biletë, pra Organizatat Buxhetore (OB-të) mesatarisht kanë paguar 103 euro më shumë për çdo biletë të blerë, ose 26% më shtrenjtë se që është parashikuar të paguhen.

Kontrata në fjalë kishte hyrë në fuqi në fillim të gushtit 2016 dhe pritej të zbatohej përgjatë 36 muajve vijues, pra deri në gusht të vitit 2019.

Bazuar në gjetjet e auditimit nga ZKA-ja, rezulton se tre faktorët kryesor që kanë ndikuar në rritjen e vlerës së shpenzimeve për shërbimet të transportit ajror, pra janë udhëtimet në biznes klasë, shtyrjet e udhëtimeve dhe anulimet e udhëtimeve.

Mesatarja e çmimit për biletë bazuar në shpenzimet që ishin realizuar deri në janar 2020 me kontratën AQP 18-008 (kur ishin shpenzuar afër 3.7 milion euro) ishte 456 euro ose 14% më e lartë se çmimi i parashikuar, ndërsa për kontratën paraprake çmimi mesatar për biletë ishte 503 euro, pra OB-të mesatarisht kanë paguar 103 euro më shumë për çdo biletë të blerë, ose 26% më shtrenjtë se që kanë parashikuar të paguajnë.

Çmimi mesatar i parashikuar i biletës për të dy kontratat e centralizuara për shërbime të transportit ajror ishte 400 euro për biletë. Prandaj kontrata e parë kishte arritur tavanin prej 130% nëntë muaj para datës së paraparë të skadimit të kontratës, ndërsa kontrata e dytë brenda vetëm 12 muajve kishte tejkaluar pragun prej 70% duke arritur në 73%.

Sipas ZKA-së, nuk kishte planifikim të duhur as sa i përket çmimit mesatar për biletë nga organizatat buxhetore.

“Shpenzimet për udhëtime në klasat më të larta se klasa ekonomike përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve për shërbime të transportit ajror nga OB-të”, thuhet në raport.

Gjithashtu, shpenzimet mesatare për udhëtime në klasa më të larta se klasa ekonomike për të dyja kontratat ishin afër 29% të shpenzimeve të audituara, që do thotë se afër 1/3 e mjeteve janë shpenzuar në bileta të klasave më të larta se klasa e lejuar me udhëzim administrativ.

Sipas analizës së ZKA-së, për biletat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, ka rezultuar se 36% e shpenzimeve të përgjithshme janë bërë për bileta të klasave më të larta se klasa ekonomike ndërsa kanë pasur mundësi të kursejnë prej 47%-65%-të tyre nëse do të kishin udhëtuar në klasën ekonomike, ku do të mund të kurseheshin gjithsej 229 mijë e 900 euro. Mesatarja e një bilete nga kjo ministri kapte vlerën e 1860 eurove.

“Pjesëmarrja e MPJ-së në këto shpenzime shkon afër 85% të totalit”, vazhdon raporti.

Nëse 212 biletat e klasave më të larta se klasa ekonomike, me vlerë 353,695 euro, që i kemi identifikuar nga mostra e audituar e kontratës AQP 15-003, do të bliheshin në klasën ekonomike nga MPJ-ja, rezulton se të njëjtat bileta OB-të kanë pasur mundësi t’i blejnë për 123,793 euro dhe se kursimi total do të mund të arrinte së paku në 229,900 euro që i bie se do të mund të kurseheshin 65%, ose dy të tretat e mjeteve të shpenzuara, vlerësojnë nga ZKA.

Ndërkohë, nëse 48 biletat e klasave më të larta se ekonomike, me shumë të përgjithshme prej 112,277 eurove, që janë blerë me kontratën AQP 18-008, për 12 muajt e parë të zbatimit të kontratës, do të bliheshin në klasën ekonomike, nga ZKA-ja thonë se kursimi i mundshëm i tyre do të mund të arrinte mbi 52 mijë e 770 euro ose 47% e mjeteve të shpenzuara.

ZKA-ja i paraqet përgjegjëse plotësisht Organizatat Buxhetore, në këtë rast ministritë dhe agjencitë përfituese nga kontratat në fjalë, duke thënë se shkaqet që kanë ndikuar në paraqitjen e faktorëve të lartë-përmendur janë pjesërisht kontrolli i mangët i OB-ve, pasi vendimi për të udhëtuar ose jo në biznes klasë është marrë nga vet organizatat buxhetore shfrytëzuese.

Ndërsa, sa i përket shtyrjeve të udhëtimeve, ZKA-ja thotë se OB-të me një planifikim më të mirë do të mund të arrinin t’i eliminonin tërësisht shpenzimet që kanë rezultuar nga shtyrjet dhe anulimet përveç kur angazhimi për të cilin udhëtojnë jashtë shtetit anulohet ose shtyhet nga faktorë të jashtëm që në rastin e auditimit të ZKA-së nuk kishte një të tillë.

ZKA-ja sqaron tutje në raport se kërkesa e panevojshme nga ana e AQP-së, mund të ketë qenë shkak që çmimi i tarifës në kontratën e dytë krahasuar me të parën, dhe me tarifat e disa kontratave individuale, të jetë më i lartë.

“Kjo ka të bëjë me kërkesën që OE-ja fitues të punësojë dy punëtorë gjatë kohëzgjatjes së kësaj kontrate (një punëtor primar me pagë 600 euro dhe tjetrin sekondar-zëvendësim me pagë 250 euro) pagat e të cilëve janë paguar nga OE-ja përmes tarifës së shërbimit. Pasojë e kësaj kërkese është rritja e çmimit të tarifës së shërbimit për më shumë se dyfish ndërsa që prej kohës kur kontrata ka hyrë në fuqi e deri në kohën kur është realizuar ky auditim, shpenzimi total vetëm për tarifë të shërbimit ka arritur vlerën prej së paku 20,000 euro”, vazhdon raporti.

E shuma e rimbursimit për biletat e anuluara ishte mesatarisht 38% e çmimit blerës, për kontratën e parë dhe 80% për të dytën. Kjo sipas ZKA-së, do të thotë se 62%, përkatësisht 20% e vlerës së biletave të anuluara janë shpenzime për bileta që nuk janë shfrytëzuar gjë që ka kontribuar në rritjen e shpenzimeve të përgjithshme të kontratave për shërbime të transportit ajror duke i quar në skadim të parakohshëm, konstatohet tutje nga raporti i Auditimit.

Ndryshe, ky auditim ka mbuluar vitet 2016-2020, gjatë të cilës kohë OB-të e përfshira në dy kontratat e centralizuara kanë pranuar rreth 8,500 fatura (5,286 + 3,246) vlera e përbashkët e të cilave ishte afër 9.6 milionë euro (5,867,705 euro + 3,729,359 euro). Ndërsa, subjekt i këtij auditimi ishte AQP-ja, që ishte  përgjegjëse për zhvillim të aktivitetit të prokurimit dhe monitorim të zbatimit të kontratave.

Ndërkohë, pagesat e audituara u përkasin nëntë OB shfrytëzuese të kontratave, që janë: Zyra e Kryeministrit (ZKM), Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Ministria e Drejtësisë (MD), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Komuna e Gjilanit, Gjakovës, Vushtrrisë dhe e Suharekës. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/