Rrebesh ngritje çmimesh në Kosovë

Çmimet po ngriten nga çasti në çast, edhe arsyeshëm, por më shumë egërsisht dhe stihikisht, sipas dëshirës dhe vullnetit të tregtarëve me prirje manipulative, zhvatëse dhe të pasurimit brenda natës. Sot ka çmime ndjeshëm më të larta të grurit, miellit, bukës dhe të të gjitha produkteve që kanë si lëndë të parë miellin, por edhe të produkteve të tjera sesa ato që i bëri publike këto ditë ASK-ja.

Mehmet GJATA

Sot, të dhënat e publikuara në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) janë thuaja të pabesueshme, të pavlera dhe si të tilla nuk mund të përdoren për analiza dhe hulumtime të zhvillimeve dhe ecurive të ngritjes së çmimeve në vendin tonë. Sepse, çmimet po ngriten nga çasti në çast edhe arsyeshëm, por më shumë egërsisht dhe stihikisht, sipas dëshirës dhe vullnetit të tregtarëve me prirje manipulative, zhvatëse dhe të pasurimit brenda natës.

Reklama e sponzorizuar

Sot ka çmime ndjeshëm më të larta të grurit, miellit, bukës dhe të të gjitha produkteve që kanë si lëndë të parë miellin, por edhe të produkteve të tjera se sa ato që i bëri publike këto ditë ASK-ja. Dhe kjo ngritje çmimesh, ka tendencë të dukshme që të vazhdojë, duke shfrytëzuar situatën e krijuar në tregjet botërore, por edhe në vendin tonë, si pasojë e rritjes enorme të çmimeve të produkteve energjetike, sidomos të karburanteve dhe gazit të lëngët që ka ndodhur në shumë vende të globit dhe të Evropës.

Sido që të jetë, sipas të dhënave të ASK-së, ditëve të fundit është vërejtur një rritje e theksuar e çmimeve për produktet bazë të konsumit. Dhe, për pasojë e kësaj ngritjeje çmimesh dhe çrregullimit real të tregut kosovar, norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4.9 për qind. ASK-ja konstaton se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.

“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, renditen çmimet e ngritura nga statistikat kosovare.

Sipas ASK-së, një litër vaj ushqimor në muajin shtator 2020 kushtonte 1.06 euro, ndërsa një vit më vonë ky produkt shitet për 1.55 euro. Gjatë shtatorit të vitit të kaluar, një kilogram oriz ka kushtuar 1.38 euro, i cili sivjet blihet për 1.44 euro, kurse 30 copë vezë gjatë muajit shtator janë shitur 2.61 euro nga 1.95 euro më 2020.

Mirëpo, tashmë, pas disa ditësh nga publikimi i raportit të ASK-së, shumica e këtyre çmimeve janë të vjetëruara dhe të tejkaluara, ngase ato janë ngritur sërish edhe më shumë dhe po ngriten përditë sa çelë e mbyllë sytë. Është ngritur vrullshëm çmimi i grurit. Tani thesi me grurë prej 50 kilogramësh është rritur më shumë se përgjysmë, përkatësisht tani 50 kilogramë shiten 17 euro, ndërkohë që para disa muajsh çmimi ka qenë 7 euro. Me rritjen e çmimit të grurit është ngritur edhe çmimi i miellit në tërë vendin. Llogaritet që çmimi i miellit është rritur për diku 10 centë kilogrami, ose për 100 euro për një ton të miellit. Dhe ngritja e çmimeve të produkteve që kanë për bazë grurin, ka shkuar zinxhirë.

Pa vonuar shpejtë janë ngritur edhe çmimet e bukës, gjithandej nëpër furrat e qyteteve të Kosovës. Në të shumtën e rasteve kjo ngritje është bërë prej 5-10 centë për një bukë 500 gramshe, që deri më tani ka kushtuar 30-35 centë, varësisht nga furrat, por edhe nga qytetet e Kosovës. Në disa furra pa humbur asnjë minutë kohë e kanë ngritur çmimin edhe te pjekurinat e tjera, madje deri 30 e më shumë për qind.

Ndërkohë, është ngritur ndjeshëm, pothuaj përgjysmë, edhe çmimi i kafes dhe tani 1 kilogram tregtohet 12 euro nga 7-8 euro se shitej deri para disa ditësh.

Çmimet e pothuaj të të gjitha produkteve nga qumështi po kështu janë të ngritura. Ka paralajmërime për ngritje të reja çmimesh të produkteve esenciale ushqimore, por edhe të shërbimeve. Tregtarët druajnë se shpejtë do të ngriten çmimet e sheqerit, dhe të një varg produktesh të tjera esenciale. Dhe për ngritjen agresive dhe të vrullshme të çmimeve, sikundër edhe për tendencën për të shkuar edhe më lartë këto çmime nuk ka ndonjë shpjegim racional dhe të pranueshëm.

Alarmi për ngritjen kaq egërsisht të çmimeve më në fund ka shqetësuar edhe Qeverinë dhe institucionet kompetente të Kosovës. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke u prononcuar për këtë shfrenim çmimesh, të martën tha se shkalla e inflacionit në Kosovë prej 4.9 për qind është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte.

Sipas tij, edhe Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vjen si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi, i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave.

Kurti theksoi se paniku dhe pritjet se do të ketë rritje çmimesh, mund të ndikojë në blerje të shtyera nga frika, gjë që pastaj rezulton në mungesë të produkteve në rafte, e rrjedhimisht edhe në ngritje të mëtutjeshme të çmimeve. Ai me këtë reagim, duke kërkuar qetësi dhe durim nga qytetarët, ka paralajmëruar edhe një pako masash ditëve në vijim, të cilat thotë se do t’ju vijnë në ndihmë qytetarëve.

Ndërsa, qytetarët këto rritje çmimesh i kanë shpjeguar si katastrofike për të gjithë, duke thënë se rritjet nuk mund të mbulohen me paga të tilla në nivel vendi edhe në kohë pandemie.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) më në fund bëhet e gjallë duke treguar se po e ndjekë me shqetësim rritjen e çmimeve të artikujve esencial në Kosovë. Dhe, sipas tyre, kjo po e rëndon edhe me tepër gjendjen sociale të punëtorëve dhe të qytetarëve në vend. Ata thonë se fatkeqësisht edhe pse po ka rritje të vazhdueshme të çmimeve edhe për artikujt esencial siç janë mielli, vaji sheqeri, etj., nuk kemi rritje pagash për punëtorët si dhe paga minimale në vend vazhdon të mbetet e njëjtë.

“Si kryetar i BSPK-së, dhe njëkohësisht si kryesues i Këshillit ekonomik-social e ftoj publikisht qeverinë që t’i bashkohet Këshillit ekonomik-social dhe të iniciohet rritja e pagës minimale në vend. Është e rëndësishme që kjo të bëhet sa më parë në mënyra që të përfshihet në Buxhetin e vitit të ardhshëm. Njëkohësisht ftoj deputetët e Parlamentit të Kosovës, pa dallim që të përkrahin rritjen e pagës minimale në vend”, është shprehur kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli.

Edhe disa njohës të rrethanave dhe ekspertë të ekonomisë, pas ngritjes kaq të madhe të shumë produkteve, mendojnë se rritja e pagave duhet të jetë çështje me prioritet qoftë në sektorin publik ashtu edhe në atë privat.

Eksperti i pavarur i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, ka deklaruar për medien kosovare se për arsye të rritjes së pakontrolluar të çmimeve në vend duhet të rriten edhe pagat.

“Kemi rritje të pa kontrolluar të çmimeve, ngrirje të pagave qoftë të sektorit privat, publik, qoftë administrate , prandaj nëse kemi këtë trend inflacioni, atëherë duhet kemi prioritet ngritjen e pagave. Nëse analizoni vendet e tjera si Shqipëria, Italia, Franca, kanë marrë masa për të nivelizuar këto përvoja duke paguar faturat elektrike, duke mbështetur familjet me 100 euro çdo muaj apo në forma të ndryshme por në Kosovë një gjë e tillë nuk duket. Kosova po vonohet për ta zënë hapin”, tha ai.

Gërxhaliu tha se nuk mund të flitet për rimëkëmbje kur çmimet janë rritur në mënyrë të pakontrolluar. Prandaj, sipas tij, shteti duhet që t’u ndihmojë familjeve të varfra për arsye se në vend ka rritje të varfërisë ekstreme.

Kujtojmë se paga minimale në Kosovë është më e ulëta në rajon. Ajo aktualisht është 170 euro për të punësuarit mbi moshën 35 vjeçare dhe 130 euro për ata nën këtë moshë.

Kjo pagë, në këtë rrebesh ngritjesh të çmimeve, nuk e mbulon as për së afërmi minimumin e nevojshëm për jetë. Tashmë, vetëm një fakt është i qartë dhe i saktë fund e krye: Këto ditë të tetorit, hapi i ngritjes së çmimeve të produkteve të konsumit të përditshëm është bërë tronditës. Nuk ka ditë që konsumatorin kosovar të mos e pret befasia e pakëndshme e ngritjes së rrufeshme të çmimeve, me të hyrë qoftë në shitore të vogla, në markete apo në megamarketet tona. Dhe ky fakt duhet të shqetësojë secilin nesh- që nga institucionet më të larta deri te tregtari më i vogël. Demokracia, që aq me dashuri e përqafuam para 20 vjetësh pranon vetëm ekonominë e tregut, pra edhe ngitjen e çmimeve deri në një farë mase në bazë të ligjeve ofertë-kërkesë.

Por, sistemi demokratik në të gjitha vendet që kanë përqafuar atë, nuk e pranon në asnjë mënyrë ngritjen e çmimeve pa asnjë bazë ekonomike, pa arsye reale, sikundër që nuk e pranon kurrsesi ngritjen e egër dhe stihike të çmimeve, sipas dëshirës dhe vullnetit të tregtarëve me prirje manipulative, zhvatëse dhe të pasurimit brenda natës.Në këtë kontekst, institucionet e vendit mund të bëjnë më shumë dhe mund të jenë më të prera. /Buletini Ekonomik/