Shteti evropian shpall gjendje emergjente energjetike për 30 ditë

Kuvendi i Moldavisë ka votuar për ta miratuar shpalljen e gjendjes emergjente në sektorin e energjis për një periudhë 30-ditore në përpjekje për ta lehtësuar mungesën e gazit, pasi qeveria e këtij vendi dështoi që të arrinte marrëveshje të re të energjisë me gjigantin rus, “Gazprom”.

“Përballemi me një situatë kritike”, tha para deputetëve Kryeministrja Natalia Gavrilita para se të votohej gjendja emergjente, duke shtuar se shpallja e kësaj gjendjeje do ta mundësojë blerjen e sasisë së nevojshme të gazit natyror nga burimet alternative.

Masa do të zgjasë deri më 20 nëntor dhe do t’ia lejojë qeverisë së shtetit më të varfër në Evropë blerjen e gazit sipas një skeme të thjeshtësuar me fonde shtesë në kohën e rritjes së çmimeve globale të energjisë, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Reklama e sponzorizuar

Kontrata e Moldavisë me kompaninë ruse të kontrolluar nga shteti, “Gazprom”, që është furnizuesi më i madh i Evropës me gaz, skadoi në fund të muajit të kaluar.

Kompania ruse e ka vazhduar kontratën deri në fund të tetorit, por e ka rritur çmimin në 790 dollarë për kubik metër, nga 550 dollarë sa ishte muajin e kaluar.

Kryeministrja Gavrilita i falënderoi Rumaninë e Ukrainën për ofrimin e një sasie të caktuar të gazit për vendin e saj dhe tha se Moldavia do të kërkojë furnizime edhe nga shtetet e BE-së.

Disa ekspertë thonë se Moska e ka rritur çmimin e gazit si ndëshkim për Moldavinë, shtet që vitin e kaluar e zgjodhi presidente politikanen pro-perëndimore, Maia Sandu.