Ngadalësohet biznesi në Eurozonë në tetor me rritjen e çmimeve

Rritja në aktivitetin e biznesit në Eurozonë është ngadalësuar këtë muaj pasi firmat po përballen me rritjen e kostove për shkak të kufizimeve në zinxhirin e furnizimit, ndërsa industria e shërbimeve ka hasur pengesa për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme në lidhje me COVID-19, tregoi një sondazh të premten.

Indeksi Flash Composite Purchasing Managers nga IHS Markit, një matës i gjendjes së përgjithshme ekonomike, ra në nivelin më të ulët gjashtëmujor prej 54.3 në tetor, nga 56.2, në shtator.

Kjo përputhej me sondazhin nga Reuters, ku ishte parashikuar një rënie më modeste në 55.2, por gjithsesi ishte mbi nivelin 50 që ndan rritjen nga rënia.

Reklama e sponzorizuar

“Një ngadalësim i mprehtë në tetor, nënkupton se Eurozona po përjeton periudhën më të dobët të rritjes që nga prilli”, tha Chris Williamson, kryeekonomist në IHS Markit.

“Ndërsa norma e përgjithshme e rritjes ekonomike mbetet mbi mesataren afatgjatë për momentin, rreziqet duket se po rriten ndërkohë që pandemia vazhdon të ndikojë mbi ekonominë dhe rritjen e çmimeve”.

Ngërçet në zinxhirët e furnizimit të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit, së bashku me mungesën e shoferëve të automjeteve të rënda, kanë bërë që indeksi i çmimeve të inputeve të rritej në 73.1 nga 70.9, deri tani niveli më i lartë që nga fillimi i sondazhit në mesin e vitit 1998.

Indeksi i Menaxherëve të Blerjes (PMI) për industrinë e shërbimeve, ra në 54.7 nga 56.4, niveli më i ulët që nga prilli, dhe nën parashikimin prej 55.5 të sondazhit nga Reuters.

Por firmat punësuan staf me ritmin më të shpejtë që prej 14 vjetësh. Indeksi i punësimit u rrit nga 54.1 në 56.0.

Aktiviteti i prodhimit mbeti i fuqishëm dhe indeksi PMI i fabrikave ra nga 58,6 në 58,5 në shtator, ndërsa indeksi i prodhimit, ra në 53,2 nga 55,6, niveli më i ulët që nga qershori 2020.

Çmimet për lëndët e para që u nevojiten fabrikave u rritën me një ritëm rekord dhe ndërkohë që prodhuesit ua kaluan një pjesë të këtyre kostove klientëve, ata nuk ishin në gjendje të transferonin të gjithë barrën. Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit në 72.3 nga 70.4, niveli më i lartë që kur IHS Markit nisi grumbullimin e të dhënave në fund të vitit 2002.

“Çmimet mesatare të shitjes për mallrat dhe shërbimet po rriten me një ritëm të jashtëzakonshëm në më shumë se dy dekada, gjë që në mënyrë të pashmangshme do të çojë në rritjen e çmimeve të konsumit në muajt e ardhshëm”, tha Williamson.

Kjo tregon se rritja e inflacionit nuk do të zhduket së shpejti, duke hedhur poshtë pretendimin se e Bankës Qendrore Europiane se rritja do të ishte kalimtare.