Kosova me numër tronditës të emigracionit, e dyta në rajon

Kur kihet parasysh numri i banorëve të Kosovës, të vogël pra edhe për nga territori edhe për nga numri i banorëve, edhe shifrat e të ikurve nga vendi ynë në periudhën 2008-2020 prej 285 mijë vetave, sado duken ndjeshëm më të vogla se sa ai i të ikurve nga Shqipëria, janë marramendëse, shqetësuese pafundësisht dhe do të duhej të ishin shumë alarmuese për autoritetet shtetërore dhe institucionale tonat.

Mehmet GJATA

Këto ditë, Instituti Europian i Statistikave, Eurostat, bëri publike statistika alarmuese, të dhembshme dhe tejet shqetësuese të emigrimit të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës nga tokat e tyre, vendlindjet ku jetuan me shekuj denbabaden.

Reklama e sponzorizuar

Sipas këtyre statistikave, del se në periudhën 2008-2020, në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria mban rekordin për numrin e shtetasve të saj që kanë zgjedhur të jetojnë e punojnë në një nga shtetet e BE-së.

Që nga viti 2008 deri në 2020-n, janë rreth 700 mijë shtetas shqiptarë që kanë marrë leje qëndrimi në një nga shtetet e Bashkimit Europian. Kur kihet parasysh numri i banorëve të Kosovës, të vogël pra edhe për nga territori edhe për nga numri i banorëve, edhe shifrat e të ikurve nga vendi ynë në këtë periudhë prej 285 mijë vetave, sado duket ndjeshëm më i vogël se sa ai i të ikurve nga Shqipëria, është marramendës, shqetësues pafundësisht dhe do të duhej të jetë shumë alarmues për autoritetet shtetërore dhe institucionale tonat.

Është shqetësues ky numër, sidomos, po të krahasohet me numrin e emigrantëve të shteteve të rajonit në këto vite të trajtuara nga Eurostati. Nga Serbia kanë ikur 426 mijë serbë (sa e sa herë më e madhe territorialisht dhe me numër popullsie se ne), BeH (poashtu më e madhe se vendi ynë) pati në këtë periudhë 337 mijë boshnjakë të ikur, Maqedonia e Veriut 195 mijë shtetas të ikur, ndërsa Mali i Zi gjithsej 20 mijë veta, numër thuaja simbolik krahasuar me kosovarët, që lanë në këtë periudhë vendin e tyre.

Në raport me popullsinë, diferenca del edhe më e lartë, pra më shqetësuese dhe më e frikshme. Sepse, gati 25% e popullsisë të Shqipërisë (të vitit 2020) tashmë jeton e punon në një nga vendet e Bashkimit Europian. Vendi i dytë, fatkeqësisht i takon Kosovës (15.4%), e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina (10.3%), Maqedonia e Veriut (9.4%), Serbia (6.2) dhe Mali i Zi (3.3%).

Institucionet ndërkombëtare e llogarisin numrin e emigrantëve nëpërmjet autorizimeve për lejet e qëndrimit të lëshuara për herë të parë për këto vende nga shtetet e Bashkimit Europian.

Instituti për Studime Ekonomike Ndërkombëtare i Vjenës, në një raport të mëparshëm, gjeti se Shqipëria rezultoi me numrin më të lartë të emigrantëve në krahasim me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën për periudhën 2010-2020. Si faktor themelor, ekspertët e Vjenës evidentojnë nivelin e lartë të varfërisë, fenomen që shpjegon flukset e larta të emigracionit sidomos në Shqipëri dhe Kosovë.

Shqipëria dhe Kosova janë dy vendet me nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë në rajon dhe me nivelet më të larta të varfërisë sipas Bankës Botërore e për rrjedhojë, kanë edhe flukset më të larta emigratore. Këto janë faktet e Eurostatit, që gjithsesi nuk janë të tërë numrat e kosovarëve që ia kthyen shpinën vendit të tyre.

Numri është shumë më i madh, ndoshta pa hamendësuar shumë, dyfishi e më tepër. Nuk ka si të dihet ky numër kur as një institucion i Kosovës, as Enti i Statistikave nuk ka numra të saktë të emigracionit tonë. Madje, ç’është më keq, akoma nuk ka ndonjë institucion që e trajton me përkushtim e seriozitet, qoftë me ndonjë hulumtim, mbajtje të përpiktë të numrit të të ikurve, apo regjistrimeve eventuale që do të duhej dhe që i ka çdo shtet serioz.

Sidoqoftë, numri i kosovarëve po zvogëlohet, madje drastikisht, nga emigrimi. Por autoritetet tona sikur po frikësohen t’i bëjnë publike këto fakte.

Kreu i Kamenicës, Qendron Kastrati, ndër të rrallët, pati kurajën në fillimvitin e kaluar shkollor për të kërkuar mbylljen e disa shkollave të fshatrave të kësaj komune të mbetura pa nxënës ose të mbetura me një, dy, tre ose më së shumti me 7-8 sosh. Kastrati tregoi publikisht se po zbrazen klasat. Se në shkollat e Kamenicës furishëm po zvogëlohet numri i nxënësve. Se popullsia e komunës së Kamenicës po tkurret! Por edhe se po rrallohet ndjeshëm numri i banorëve të Karadakut.

Pak a shumë, ngjashëm sikurse në fshatrat e Kamenicës, ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodhë edhe në fshatrat e komunave të tjera të Kosovës, sado që nuk pati ndonjë zyrtar tjetër për të kërkuar mbylljen e shkollave për mungesë nxënësish. Por, janë mbyllur tashmë edhe shumë shkolla të tjera anembanë Kosovës për mungesë nxënësish. Janë mbyllur shkollat e disa fshatrave të Rugovës, si në Bogaj, në Haxhaj dhe së fundi këto ditë në Drelaj, ku drejtori me lot në sy më kot priste të vinte së paku një nxënës për të mos ia vënë dryrin shkollës shumëvjeçare të Drelajve.

E thënë shkurt, gjithandej në vendin tonë ka kohë që ka vazhduar dhe nuk po ndalet migrimi i njerëzve. Për çdo ditë ndodh shpërngulja pa kthim drejt botës. Kosova po zbrazet pra! Numri i kosovarëve po zvogëlohet, madje drastikisht. Fshatra të tëra me 1, 2, 3… nxënës mbase kanë mbetur tashmë edhe në shumë fshatra në Llap, edhe në Anamoravë, në rajonin e Kaçanikut, të Ferizajt e të Dukagjinit. Këto janë fakte. Por autoritetet tona, para Qeverisë Kurti, sikur u frikësuan t’i bëjnë publike tërë këto. I heshtin, i kamufluan ose objektivisht nuk i dinin shifrat dhe numrat e saktë të kosovarëve, që po ia thonë lamtumirën vendit të tyre.

Disfatizmin tonë me ikjen e popullsisë po e hesht në një farë mënyre edhe qeveria edhe institucionet aktuale të vendit. Por për fat të mirë ose për fat të keq nuk e heshti Eurostati, që me të dhënat e paraqitura doli përtej zyrave të administratorëve të padijshëm dhe të zyrtarëve autoritarë dhe të pandjeshëm, që po alarmon zbrazjen e Kosovës.

Kosova është vendi me shkallën ndër më të lartat të humbjes së popullsisë si pasojë e emigrimit edhe në bazë të statistikave të tjera. Madje, e para, është renditur Kosova në raportin e publikuar nga gazeta prestigjioze “The Guardian”, si dhe nga Eurostat-i për periudhën 11-vjeçare 2007-2018.

Në tabelën me mbishkrimin “Shumë kombe të Evropës Lindore kanë parë që popullsia e tyre ka rënë ndërmjet viteve 2007 dhe 2018”, Kosova ishte renditur e para në listë me numrin më të madh të migrimit të popullatës jashtë vendit, e pasuar nga Lituania, Letonia, Bonjë e Hercegovina. E shtata në listë renditej Serbia, përderisa e nënta Shqipëria. Tani kanë ndërruar rrolet vetëm sa i përket Shqipërisë që doli para Kosovës.

Të dhënat shqetësuese nuk përfundojnë me kaq. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në vitin 2020 kanë bërë të ditur se vetëm gjatë periudhës janar – gusht të vitit të kaluar, 3519 persona janë liruar nga shtetësia, përkatësisht nënshtetësia e Republikës së Kosovës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nga viti 2009 deri në vitin 2018, mbi 40 mijë shtetas të Kosovës kanë hequr dorë nga shtetësia.

Mesatarisht, në vit nga nënshtetësia e Kosovës janë liruar më shumë se 5 mijë qytetarë. Pra, jemi kampionë. Gjendemi në vendin e parë ose të dytë për zbrazjen e popullsisë, deshëm ose s’deshëm ta pranojmë këtë fakt, ndonëse nuk kemi shifra më të sakta për hemorragjinë migruese të kosovarëve, bashkatdhetarëve tanë, se po të kishim shifra të sakta (të publikuara nga institucionet) numri i qytetarëve që po e braktisin vendin do të na tmerronte.

Emigrimi i popullsisë, madje relativisht shqetësues, po ndodh edhe nga vendet e tjera të rajonit. Por ato vende mbajnë statistika fare të sakta për të ikurit e tyre.

Lexova një një shkrim për emigracionin numerikisht mjaft brengosës nga Kroacia (nga vendi me të hyra vjetore vetëm nga turizmi mbi 10 miliardë euro). Në këtë shkrim, pasi janë kalkuluar numrat e të shpërngulurve nga viset e ndryshme rurale dhe urbane kroate, konstatohej se Kroacinë brenda vitit e ka braktisur aq popullsi sa ka banorë qyteti i Karllovcit ose i Pulas. Secili kroat e di sa popullsi kanë këto qytete, përkatësisht secili kroat e ka të njohur se sa banorë të këtij shteti kanë ikur nga vendi i tyre brenda një viti.

Ne nuk kemi mundësi ta bëjmë një krahasim të tillë. Por sigurisht se po të ekzistonte një numër i saktë i të larguarve nga Kosova, do t’i kalonte përmasat e Karllovcit ose të Pulas kroate. Kjo pasi që përmasat e ikjes së popullsisë te ne janë shumë më agresive sesa te kroatët, gjithsesi. Ne nuk merremi me këto statistika. Nuk merret shumë seriozisht dhe me kompetencë të duhur as Enti i Statistikave i Kosovës, as ministritë përkatëse të Qeverisë së vendit, as shoqatat joqeveritare, të cilat zhvatin jo pak mjete nga donacione të ndryshme dedikuar këtyre statistikave.

Nuk merren as demografët, të cilët flasin me të dëgjuara se “po zbrazet Kosova” dhe një fjalë e vetme nuk u dëgjohet gjëkundi për këtë problem kaq shqetësues. Ka humbur ndjeshmëria tek të gjithë këta edhe për këtë problem akut, sikundër që ka humbur edhe për shumë çështje të tjera jetike dhe të rëndësishme për perspektiven eventuale të Kosovës.

Nuk kanë kohë të preokupohen me shqetësimin e madh as politikanët. Janë të zënë me fushatat shterpe dhe me premtime të stërpërsëritura e stereotipa për ta bërë “parajsë” Kosovën. Kërkojnë votat nga kosovarët, numrin e të cilëve nuk e dinë. A janë mbi 1 milion e nëntëqind mijë, numër i publikuar nga autoritetet, ose nën 1 milion e 400-500 mijë sa përflitet se kanë mbetur të jetojnë tashmë në Kosovë. Pikëpyetja edhe sa kohë do të mbetet?! /Buletini Ekonomik/