Ankandi i valutës, Banka e Shqipërisë blen 5.8 milionë euro

Banka e Shqipërisë zhvilloi këtë javë ankandin e radhës në programin vjetor të blerjeve të Euros në tregun valutor.

Sipas informacioneve nga tregu, në ankand u blenë gjithsej 5.8 milionë Euro, ndërsa ofertat e paraqitura nga pjesëmarrësit në ankand kishin shumën totale të 8.2 milionë Eurove. Shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë të ankandit ishte mes 4 dhe 6 milionë Eurove dhe Banka e Shqipërisë vendosi të blejë 4.8 milionë Euro. Blerjet në raundin e parë u realizuan me një kurs që ishte mes 121.66 dhe 121.77 Lekëve.

Veç 4.8 milionë Eurove në raundin e parë, Banka e Shqipërisë ushtroi edhe opsionin e blerjes në një raund të dytë, për 1 milionë Euro të tjera. Blerjet në raundin e dytë u realizuan me kursin mesatar të ponderuar të raundit të parë, prej 121.73 Lekësh. Shumat e blera në ankandin e fundit janë relativisht të ulëta krahasuar me ankandet e mëparshme dhe me mesataren e gjysmës së parë të vitit.

Reklama e sponzorizuar

Për 6-mujorin 2021, Banka e Shqipërisë zhvilloi gjashtë ankande, në të cilat u blenë gjithsej 56.8 milionë Euro, me një mesatare të blerjeve prej rreth 9.5 milionë eurosh për ankand. Në ditët e fundit, Euro ka nisur të rifitojë terren kundrejt Lekut, pasi kishte shënuar një rënie jo të zakonshme për këtë periudhë të vitit. Të mërkurë, Euro u rrit për të gjashtën ditë radhazi dhe u këmbye me 121.69 Lekë.

Sipas ekspertëve, vala e rritjes së çmimeve dhe shtrenjtimi i mallrave të importit mund të jetë një faktor që po krijon pritshmëri për rritje të kërkesës për Euro në treg. Në këto kushte, Banka e Shqipërisë mund të ulë disi vlerën e blerjeve gjatë këtij tremujori, për të reduktuar presionet nënçmuese mbi kursin e këmbimit të Lekut. Deri në fund të vitit, janë planifikuar edhe tre ankande të tjera për blerje valute, një në muajin nëntor dhe dy në muajin dhjetor. Mbështetur në vendimin e Komitetit të Zbatimit dhe Këshillimit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë, të marrë në dhjetor 2020, gjatë këtij viti parashikohen blerje në tregun valutor të një shume mes 60 dhe 120 milionë eurove.

Blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë bëhen në funksion të menaxhimit të rezervës valutore dhe nuk kanë për qëllim të ndikojnë kursin e këmbimit. Në fund të muajit gusht, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 4.1 miliardë Euro-ve, 1.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Qëllimi kryesor i mbajtjes së rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj, por edhe shmangia e çrregullimeve të tregut të brendshëm valutor, si edhe përmbushja e objektivave të politikës monetare ose të stabilitetit financiar./Monitor.al/