Hapet panairi veror i Prishtinës – promovohen prodhimet vendore

Sot në Prishtinë është hapur panairi i artizanateve, në të cilin ditëve në vijim do të prezantohen mallrat dhe produktet vendore të bizneseve dhe artizanëve të ndryshëm.

Panairi do të jetë i hapur 3 ditë, pra nga dita e sotme deri më 22 tetor.

Ky panair ua jep mundësinë prodhuesve të ndryshëm që t’i promovojnë produktet dhe mallrat e prodhuara nga ta, përfshirë këtu edhe mjaltën dhe rakinë.

Reklama e sponzorizuar

Buletini Ekonomik ka vizituar sot procesin e hapjes së këtij panairi dhe ka pasur rast të bashkëbisedojë me disa prej prodhuesve vendor.

Prodhuesja e rakisë, Roza Simani nga Stublla tha se pothuajse qe 7 vjet radhazi merr pjesë në këtë panair. Ajo thotë se produktin që e promovon në këtë sezonë është rakia, të cilën e përpunon nga pemët e ndryshme që i kultivon.

Krahas kësaj, ajo tha se pandemia gjithashtu ka ndikuar në rënien e shitjes së produktit të saj, pasiqë këtë vit kanë pasur shitje shumë pak, ndonëse theksoi se shumicën e produkteve i shesin me shumicë nëpër restaurante dhe kafene të ndryshme varësisht prej kërkesës së tyre.

“Pandemia ka ndikuar shumë në shitjen e rakisë, pasiqë ne punojmë edhe me shumicë, pra rakinë e shesim edhe për biznese më të mëdha, nëpër restaurante, dhe kafene të ndryshme dhe meqë ra pandemia puna e restauranteve u ndal, andaj në këtë formë u ndal edhe puna jonë” ka thënë Simani për Buletinin Ekonomik.

Ndërkaq, në këtë panair mundësinë e promovimit të produkteve të tij e kishte edhe bletari Ferat Bytyçi nga Ferizaji, i cili tha se është viti i gjashtë që merr pjesë në këtë panair.

Meqenëse nuk merret me shitjen me shumicë, ai tha se edhe kështu puna është mjaft e mirë, pasiqë çdo të martë merr pjesë në tregun mobil në Prishtinë, për t’i shitur produktet e tij.

Bytyçi ofron disa lloje të mjaltës që e kultivon. Ai tregon se mjalta të cilin e shet është e prodhuar nga bagremi,nga livadhet, nga ushqyerja e bletëve në lulet e pishës.

“Ne shesim mjaltë vetëm me pakicë, pasiqë nuk kemi sasi të madhe për shitje me shumicë, ndërkaq shitjen e bëjmë çdo të martë në tregun mobil këtu në Prishtinë” ka thënë ndër të tjera Bytyçi.

Ndryshe, ky panair mbahet 2 herë në vit, pra panairi veror dhe dimëror, ku kanë mundësinë e promovimit dhe shitjes së produkteve të gjitha bizneset nga Kosova./Buletini Ekonomik/