Epoka pas Covid, BE drejt rishikimit të rregullave të buxhetit

Bashkimi Europian fillon këtë të martë rishikimin e rregullave të tij për buxhetin e vendeve anëtare për t’iu përshtatur realitetit post-pandemik të një borxhi të lartë publik, shoqëruar me kostot e mëdha që sjell tranzicioni drejt një ekonomie me emetime zero të dioksidit të karbonit.

Gjatë këtij rishikimi historik që ka të ngjarë se do të zgjasë së paku deri në fund të 2022-it, qeveritarët, ekonomistët dhe akademikët do të diskutojnë rreth mënyrës sesi ata do të thjeshtëzojnë të ashtuquajturin Pakt i Stabilitetit dhe Rritjes, i cili ka marrë përmasa kaq të ndërlikuara, saqë pak njerëz arrijnë ta kuptojnë plotësisht atë.

Ajo çka nisi në 1997-ën si dy rregulla dhe një rezolutë prej 12 faqesh, është shumëfishuar që atëherë duke u shoqëruar nga një manual përdorimi 108 faqesh, i cili përditësohet çdo vit nga Komisioni Europian. Objektivi kryesor i Paktit është të mbrojë vlerën e euros, duke frenuar huamarrjen e qeverisë, sepse në një kohë kur Eurozona ka një politikë monetare të përbashkët në mbështetje të monedhës së saj, secili prej 19 vendeve anëtare vendos vetë për politikat e tij buxhetore. Pikërisht ky fakt ka qenë burimi i shumë fërkimeve ndër vite. Në 2002-in, presidenti asokohe i Komisionit Europian, Romano Prodi e quajti Paktin “budalla”, pohim të cilit ai i qëndron ende sot e kësaj dite.

Reklama e sponzorizuar

“Ky pohim më shkaktoi shumë probleme në atë kohë, por më vonë shumë njerëz më dhanë të drejtë sepse ata e shikuan sesi Pakti nuk funksionoi në periudha të vështira” – tha Prodi për Reuters.

“Unë nuk mendoj se e kam pasur gabim”.

Rreziku për të drejtuar politikat fiskale kombëtare me një monedhë të përbashkët doli në pah në vitin 2010, kur huamarrja e tepërt e Greqisë, e kryer fshehtazi nga statistikat e BE-së dhe rregullat e Komisionit, shkaktoi krizën e borxhit sovran që gati sa nuk e shkatërroi monedhën e përbashkët. Pakti ka ndryshuar tri herë deri më tani: në 2005-ën kur Franca dhe Gjermania nuk pranonin të zbatonin vetë rregullat, në 2011-ën dhe në 2013-ën gjatë krizës së borxhit, me qëllim për t’i garantuar tregjeve se investimet në euro ishin të sigurta.

Ndryshimet e pritshme për t’u debatuar tanimë janë po ashtu rrjedhojë e një krize, këtë herë të shkaktuar nga pandemia e Covid-19, e cila ka rritur borxhin mesatar në vendet e Eurozonës në afro 100% të prodhimit kombëtar, nga 60-70% që ishte në fillim të viteve ’90, kur u hartuan rregullat.

Reduktimet vjetore të borxhit referuar rregullave aktuale janë thjesht jo realiste për vende të cilat borxhi ka prekur pragun e 160% të PBB-së si Italia dhe mbi 200% si Greqia.

“Ruajtja e borxhit në nivelin 60% kishte kuptim kur Traktati i Maastricht*-it u negociua, por tanimë nuk ka asnjë kuptim” – tha Klaus Reging, kreu i fondit të shpëtimit të eurozonës, njëherësh ish-drejtuesi i departamentit ekonomik të Komisionit Europian.

“Aftësitë kredimarrëse të qeverive janë më të mëdha sot nga sa kanë qenë në kohën kur është negociuar Traktati i Maastricht-it. Ndaj ekzistojnë elementë që duhet të rishikohen” – shtoi më tej Regling. Por, teksa shumica e ministrave të financave besojnë se kufizimet që çojnë drejt reduktimit të borxhit janë shumë të rrepta për botën post-pandemike që po jetojmë, nuk ka ende një marrëveshje nëse ato mund të trajtohen përmes kuadrit ligjor aktual apo përmes ndryshimeve të vështira në tekstet ligjore.

Një sfidë tjetër e madhe është të sigurohet se rregullat nuk do të lidhin duart e qeverive të 27 vendeve anëtare të BE-së për të vënë në lëvizje me qindra miliarda euro në funksion të emetimeve zero të CO2 deri në vitin 2050-të. Në analizën e një grupi ekspertësh të kontraktuar për llogari të ministrave të financave të Bllokut u evidentua se investimet publike shtesë, për të përmbushur qëllimet e BE-së për klimën, do të duhet të jenë 0.5% – 1.0% të PBB-së vjetore vetëm për këtë dekadë.

Ekspertët propozuan përjashtimin e investimeve për të luftuar ndryshimet klimatike nga përllogaritja e deficitit të BE-së. Ndërkohë që kjo ide gëzon mbështetjen e përgjithshme të Spanjës, Francës dhe vendeve të tjera, disa zyrtarë nxjerrin në pah vështirësitë që kanë ndeshur në përcaktimin e asaj çka nuk konsiderohet “një investim i gjelbër”. Zëvendës Presidenti i Komisionit Valdis Dombrovskis u shpreh se ideja e përjashtimit të investimeve për frenimin e ndryshimeve klimatike do të jetë padyshim pjesë e diskutimit të ardhshëm./ Reuters./Monitor/