Rritja e çmimit të energjisë po shqetëson disa vende evropiane

Spanja, Franca dhe Greqia bënë thirrje të hënën që Bashkimi Evropian të ketë një përgjigje të përbashkët në lidhje me rritjen e shpejtë të çmimeve të energjisë.

“Kjo nuk është një çështje që ne mund ta trajtojmë në nivel kombëtar pasi kemi nevojë për një përgjigje të koordinuar evropiane”, tha ministrja spanjolle e financave, Nadia Calvino.

Konsumatorët janë duke i ndjerë efektet në shumë vende evropiane nga ngritja e çmimit të gazit dhe energjisë elektrike. Ministrat e BE-së u takuan në Luksemburg për të diskutuar këtë çështje. Deri më tani Franca, Italia, Greqia dhe Spanja po planifikojnë të lehtësojnë pagesat për familjet në nevojë.

Reklama e sponzorizuar

Zyrtarët dhe disa ministra të BE -së theksojnë se rritja e çmimeve është e përkohshme. Çështja e energjisë në BE lidhet edhe me debatet më të ndjeshme sa i takon varësisë nga gazi rus dhe si të vazhdohet me kalimin në energjinë e rinovueshme.

Norma vjetore e inflacionit në 19 vendet që përdorin euron u rrit në 3.4 për qind në shtator, e nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë.

Hera e fundit që inflacioni ishte kaq i lartë ishte shtatori i vitit 2008.