Fajdexhinjtë legalë të Kosovës

Të rriten normat e interesit në kohën kur në gjithë botën vetëm dëgjon për uljen e tyre, ndodhë vetëm në Kosovë. Po ndodhë edhe tani kur kanë kaluar mbi 20 vjet nga paslufta. Kosova vazhdon t’i mbajë në kuotë frikshëm të lartë kamatat në instititucionet mikrofinanciare sikundër që vazhdon t’i ketë akoma çmimet e shërbimeve dhe të produkteve të tjera bankare më të lartat në rajon dhe gjithsesi në Evropë.

Shkruan: Mehmet GJATA

Institucionet financiare të borxhit, më saktësisht ato mikrofinanciare, të ashtuquajtura kështu  me leksikun bankar në Kosovë,  janë kthyer në një kamxhik për qytetarët, dëgjova të thotë këto ditë një koleg imi. Në bazë të të dhënave – kamatave dhe çmimeve të shërbimeve, do të thosha, janë kthyer në protagonistë famëkeq, në zhvatës, në fajdexhinj legal dhe në një farë mënyre në plaçkitës “për lëndinë” të kosovarëve, sidomos të shtresave të varfëra. Sepse, rëndom klientelë e institucioneve mikrofinanciare janë fukarenjtë, që detyrimisht trokasin në dyert e institucioneve të borxhit pasi që te institucionet bankare komerciale këtë kategori klientësh “nuk i lejojnë as të afrohen te dyertë e bankave”.

Reklama e sponzorizuar

Institucionet mikrofinanciare dhe të gjitha  institucionet e tjera financiare (në Kosovë, sipas disa të dhënave, mendohet se operojnë rreth 82 institucione financiare, numrin më të madh të të cilave e përbëjnë ndihmësit financiarë dhe institucionet mikrofinanciare, ose mbi 20 e sa sosh) që me mbështetjen e Bankës Qendore të Kosovës erdhën dhe u instaluan këtu, në vendin në të cilin që nga fillimi i afarizmit të tyre bënë mu çka deshtën, duke u sjellur egërsisht në raport me klientelen, veçmas duke aplikuar normat më të larta të interesit  në botë dhe duke kërcënuar kthimin e tyre me metodat egërsisht represive. Borxhet e rritura në pamundësi të kthimit me kohë të tyre, si rrjedhojë e kamatave enorme për kredi konsumuese janë kthyer në makth për kosovarët borxhlinj. Sepse, sot e kësaj dite, pavarësisht se BQK-ja pohon se kamata për kreditë konsumuese është mbi 23 për qind, dhe për të gjitha llojet e tjera të kredive – mbi 20 për qind, sipas ekspertëve dhe njohësve të kredidhënies, kamata mesatare për kreditë konsumuese realisht është mbi 30 për qind. Ndërsa, duhet thënë se kreditë bëhen me kontrata plotë paqartësi, e që në fund, qytetarët kredimarrës s’ka se si mos t’i shquajnë si grabitje.

Gjendja pothuajse ka vazhduar të mbetet e njëjtë, pra edhe tani kur kanë kaluar 20 vjet nga paslufta. Kosova, edhe pse ka ulur relativisht shumë kamatat bankare (bankat komerciale), vazhdon t’i ketë ato më të shtrenjtat në Evropë te institucionet mikrofinanciare, sikundër që vazhdon t’i mbajë në kuotë frikshëm të lartë çmimet e shërbimeve dhe të produkteve të tjera bankare. Të gjitha këto, sërish dhe gjithnjë vazhdojnë të bëhen me “dijeninë” e  BQK-së.

Pra, për këtë zhvatje institucionet e borxhit nuk ishin dhe nuk janë mëkataret e vetëm. Bashkëfajtor, ose pjesën më të madhe, atë dërrmuesen të fajit, e ka Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e cila lehtësisht pranonte kërkesat e bankave zhvatëse dhe ka pranuar pa humbur kohë kërkesat e kamatarëve të huaj dhe vendorë, gjithnjë duke qenë shumë e mbyllur me publikun dhe gjithnjë jotransparente për pranimin e kërkesave të institucioneve mikrofinanciare. Arsyetimi i vetëm nga bankat dhe nga BQK-ja për kamatat, që ngjasonin me ato të fajdexhinjve, ose ishin fare të përafërta me to, ishte gjoja risku i lartë në këto vite në Kosovën e pasluftës, sado që në vazhdimësi Kosova vlerësohej nga institucionet ndërkombëtare kompetente si një nga vendet fare të sigurta. Kosova nga të gjitha llojet e bankave është njohur edhe si një nga vendet me numër fare të vogël, thuaja simbolik të kredimarrësve të këqinj së paku deri në shpërthimin e pandemisë edhe te ne. Ku i gjente shkaqet BQK-ja  për të vlerësuar Kosovën me risk të lartë nuk u sqarua kurrë bindshëm dhe me argumente të qëndrueshme.

Për këto shkaqe Kosova u bë dhe vazhdon të mbetet eldoradoja e bankarëve dhe e institucioneve të tjera të borxhit. Dhe për të qenë edhe më i saktë dhe më konkret: për shkak të kamatave enorme dhe shërbimeve frikshëm të shtrenjta, institucionet e borxhit në vendin tonë, këto që janë, arkëtojnë në çdo tremujor, gjashtëmujor, nëntëmujor  dhe në fundvit miliona euro neto fitim.

Për ta ilustruar këtë: Sipas të dhënave të BQK-së sektori mikrofinanciar në vend ka përmbyllur tremujorin e dytë të këtij viti me gjithsej 5.2 milionë euro fitim neto, prej të cilave 2.3 milionë euro iu shtuan vetëm gjatë tremujorit të dytë. Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Vlerësimit Tremujor të Sistemit Financiar për tremujorin e dytë 2021”, performanca pozitive financiare në këtë tremujor ishte kryesisht rezultat i rritjes së të hyrave në institucionet mikrofinanciare.

Të hyrat e këtij sektori gjatë tremujorit të dytë kanë shënuar vlerën prej 11.6 milionë euro, që sipas të dhënave në raport, paraqet një rritje të të hyrave për 0.9 milionë euro krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2020, rritje kjo që i atribuohet edhe të hyrave nga interesi.

“Rritja i’u atribua rritjes së të hyrave nga interesi për 0.5 milionë euro në 10.5 milionë euro gjatë TM2 2021”, thuhet në raport.

Në  baza vjetore, gjithsej kreditë e lëshuara nga sektori mikrofinanciar shënuan rritje për 4.6 përqind në fund të muajit qershor 2021, përderisa stoku i tyre arriti në 218.4 milionë euro.

Është tjetër temë pastaj, që të tërë këtë fitim e dërgojnë në shtetet prej nga e kanë origjinën. Këto banka po ta përmbyllnin vitin afarist me 1 të katërtën e  këtij fitimi, edhe më pak fitim, kudo në ndonjë vend tjetër të Evropës, do të bëhej temë medialo-shoqërore.

Të rriten normat e interesit në kohën kur në gjithë botën vetëm dëgjon për uljen e tyre, ndodhë vetëm në Kosovë. Vazhdon të ndodhë edhe tani kur kanë kaluar mbi 20 vjet nga paslufta (lexo raportin të Bankës Qendrore të Kosovës  rreth “Vlerësimit Tremujor të Sistemit Financiar për tremujorin e dytë 2021”). Kosova vazhdon t’i mbajë në kuotë frikshëm të lartë kamatat në instititucionet mikrofinanciare sikundër që vayhdon t’i ketë akoma  çmimet e shërbimeve dhe të produkteve të tjera bankare më të lartat në glob. Të gjitha këto i di BQK-ja dhe zyrtarët e saj. Fundja, me “Po”-në e BQK-së erdhën, morën licencat dhe u instaluan në Kosovë edhe të gjitha institucionet mikrofinanciare (që në fakt po ashtu në Kosovë janë banka dhe kryejnë funksione bankash),  prej të cilave kohë më parë disa dolën të jenë diskutabile, madje dy sosh dolën të jenë edhe të dyshimta, dhe si të tilla u mbyllën.

Institucionet e borxhit të instaluara në vendin tonë me gjasë pa asnjë verifikim paraprak, kanë punuar praktikisht si fajdexhinj tipikë, me kamata reale mbi 30 për qind. Dallimi i vetëm ndërmjet institucioneve mikrofinanciare dhe fajdexhinjëve është se të parët punojnë legalisht, abuzojnë dhe mashtrojnë klientelën paturpësisht dhe egërsisht, ndërsa të dytët ndiqen dhe arrestohen nga policia, siç ndodhi muajin e kaluar në disa vendbanime të Kosovës.

“Jam ndjerë i mashtruar dhe grabitur me borxh të shpejtë? Kam marrë një borxh të shpejtë në një institucion financiar borxhi, dhe ky  borxh po ma zë frymarrjen, do të më mbysë! Nga  kriza e COVID, nuk munda të vijojë pagesat e rregullta për disa muaj. Më kërcënojnë se do ta vënë në lëvizje përmbarimin, tani më kërkojnë thuaja në dyfishin e borxhit të marr”, është  një mesazh i një huamarrësi derguar këto ditë në redaksinë e Buletinit Ekonomik. Dhe, prandaj shtrohet pyetja: A ka kush i mbronë këtë klientelë tashme fatkeqe. Dhe përgjigja është: Tani për tani askush. Këta borxhlinjë vazhdojnë të mbesin nën kamxhikun e ashpër të këtyre institucioneve financiare të borxhit. Pse kanë mbetur këto institucione të ashtuquajtura mikrofinanciare në periferi të mbikëqyrjes financiare por të shtrira goxha shumë gjithandej Kosovës, duhet të jap shpjegim dikush në këtë vend, BQK-ja po se po, por do të duhej të dëgjohej ndonjë zë shpjegues edhe nga Qeveria aktuale e Kosovës, ministritë kompetente të saja. Sepse, duhet mbrojtur njerëzit, nuk mund të grabiten kështu kaq egërsisht dhe kaq legalisht.

Këto janë faktet: Kosova vazhdon t’i ketë kamatat dhe çmimet e produkteve bankare më të lartat në rajon. Po se po në Evropë dhe më gjerë. Dhe prapë me miratimin e BQK-së. Ndërsa, tentativat e zyrtarëve  të kupolës së bankave të vendit që me leksik ekonomistësh dhe bankarësh për ta heshtur dhe kamufluar problemin vetëm sa do ta thellojnë atë.