Sivjet në Kosovë parashihet të mbillen rreth 70 mijë hektarë me grurë

Sektori i bujqësisë

Gjatë këtij viti, në gjithë territorin e Kosovës planifikohet që të mbillen 75, 000 deri në 80, 000 hektarë me drithëra, ku prej tyre vetëm me grurë është paraparë që të mbillen rreth 70, 000 hektarë. Kjo sipërfaqe, pak a shumë ka qenë e planifikuar në vitet e fundit. Dhe, edhe në rast të arritjes së rendimenteve të mira, nuk mjafton për t’i plotësuar nevojat e vendit për grurë. Por, si do të ndihmohen kultivuesit e grurit sivjet?

Buletini Ekonomik

Afati optimal për mbjelljet vjeshtore në Kosovë, siç dihet, gjithmonë ka qenë muaji tetor, i cili sapo ka filluar. Në këtë muaj, rëndom ka filluar dhe është përmbyllur fushata e mbjelljeve të vjeshtës, pos në rrethanat e diktimit të kushteve klimatike.

Reklama e sponzorizuar

Në Kosovë, në mbjelljet e vjeshtës dominojnë mbjelljet e drithërave, ku ndër më kryesorët gjithmonë ka qenë dhe vazhdon të jetë gruri.

Me grurë, pra mbjellen sipërfaqet më të mëdha në tokat e fermerëve kosovarë, prandaj edhe përqëndrimi i vëmendjes edhe nga kultivuesit e drithërave, nga fermerët edhe nga institucionet kompetente bëhet te mbjellja e tij.

Sipas ekspertëve, në rast të shtyrjes së mbjelljeve përtej afatit optimal si rrjedhojë e kushteve klimatike, mbjellja e grurit, por edhe e kulturave të tjera mund të bëhet deri në mes të nëntorit. Mirëpo, në këto raste kur mbjelljet shtyhen në muajin nëntor, bujqit domosdoshmërisht duhet të shtojnë sasinë e farës dhe të plehut për 10-15 për qind, në krahasim me standardin e paraparë për të pasur një realizim sa më të mirë të këtyre mbjelljeve.

Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës kanë thënë për Buletinin Ekonomik se kultivuesit e drithërave për mbjelljet e sivjetme vjeshtore tashmë kanë filluar punët përgatitore pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës.

Në MBPZhR theksojnë se konform kompetencave, detyrave dhe obligimeve që i ka, me kohë dhe brenda afateve optimale është realizuar regjistrimi i varieteteve të drithërave, regjistrimi i nevojave për plehra artificiale dhe me kohë është bërë licencimi i kompanive që kanë aplikuar për licencim e të cilat realizojnë furnizimin e tregut dhe vet fermerëve me agroinpute bujqësore (farë dhe plehra artificiale).

Gjatë këtij viti, në gjithë territorin e Kosovës planifikohet që të mbillen 75,000 deri në 80,000 hektarë me drithëra, ku prej tyre vetëm me grurë është paraparë që të mbillen rreth 70, 000 hektarë. Kjo sipërfaqe, pak a shumë ka qenë e planifikuar në disa vitet e fundit. Dhe, edhe në rast të arritjes së rendimenteve të mira, nuk mjafton për t’i plotësuar nevojat e vendit për grurë.

Konsiderohet se këto sipërfaqe të planifikuara për t’u mbjellë me grurë edhe sivjet, praktikisht përmbushin diku rreth gjysmën e kërkesave të kosovarëve për grurë. Ndaj, me vite në sektorin e bujqësisë kosovare, herë edhe me plane të zhvillimit herë në nivel të parashikimeve dhe vizioneve për të shtuar sipërfaqet e mbjella me grurë, është konstatuar se prioritet ndër prioritetet duhet të jetë të kultivuarit e grurit për të shtuar sipërfaqet me këtë drith, por edhe për të shtuar rendimentet.

“Importi i grurit dhe misrit në sasi kaq të madhe e marramendëse është e pajustifikueshme. Konsideroj se sipërfaqet aktuale me prodhimtarinë e ulët që e kemi realizuar, nuk përmbush as gjysmën e kërkesave tona për grurë. Duhet të shtyten dhe të nxiten bujqit, duke u përkrahur në shumë forma për të shtuar sipërfaqet me grurë dhe për të rritur rendimentet e prodhimit”, thotë një ekspert bujqësor që preferoi të mbetet anonim.

Sidoqoftë, edhe realizimi i mbjelljeve të sivjetshme vjeshtore varet nga shumë faktorë, siç janë kushtet klimatike që do të mbretërojnë gjatë afatit të mbjelljeve, çmimet e agroinputeve bujqësore, çmimi i drithërave, çmimi i derivateve, etj. Dhe, siç theksojnë në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, pas përfundimit të këtij procesi, do të dihet saktësisht se sa hektarë të mbjella kemi me kultura lavërtare, përkatësisht sa janë përmbushur parashikimet e institucioneve dhe të bujqëve kosovarë.

Në MBPZhR-ja, pohojnë për Buletinin Ekonomik, se konform kompetencave, detyrave dhe obligimeve që i kanë, me kohë dhe brenda afateve optimale kanë realizuar regjistrimin e varieteteve të drithërave, regjistrimin e plehrave artificiale dhe licencimin e kompanive që kanë aplikuar për licencim e të cilat realizojnë furnizimin e tregut dhe vet fermerëve me agroinpute bujqësore(farë dhe plehra artificiale).

Sa i përket plotësimit të nevojave me farën e grurit, siç bën me dije MPBZhR, vendi ynë një përqindje të nevojave për këtë farë e plotëson, ndërsa pjesën tjetër e importon nga shtetet tjera.

Po ashtu, sa i përket mekanizmit bujqësor, që përdoret në vendin tonë, në këtë aspekt duhet theksuar se bujqit kosovarë nga viti në vit janë përkrahur për investimet në mekanizëm bujqësor, përmes të cilave atyre iu është lehtësuar veprimtaria bujqësore dhe blegtorale.

Ndërkaq, për t’i përkrahur bujqit për rritjen e kapaciteteve të tyre bujqësore, MBPZhR-ja edhe sivjet përmes subvencioneve do ta mbështetë kultivimin e grurit dhe kulturave të tjera bujqësore vjeshtore.

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar ditë më parë se tashmë ka ditë që ka filluar aplikimi për subvencionimin e fermerëve. Në një konferencë për medie, ministri Faton Peci ka thënë se janë në dispozicion 21 milionë euro për Programin për Pagesa Direkte.

“Kjo është java që po bëjmë shpalljen për përkrahjen e bujqve me anë të subvencioneve. Për Programin me Pagesa Direkte kemi në dispozicion 21 milionë euro, ku në total përkrahja gjatë këtij viti fiskal do të arrij shifrën mbi 50 milionë euro. I ftoj të gjithë fermerët që të aplikojnë që nga dita e mërkurë”, ka njoftuar Peci. Dhe një shumë jo e vogël e këtyre mjeteve do të shkojë për të subvencionuar bujqit që janë përcaktuar për të shtuar sipërfaqet me grurë. “Në aspektin e grurit mbështetja do të jetë 50 për qind me anë të sipërfaqeve, ndërsa 50 për qind me anë të rendimetit”, ka saktësuar ministri në prag të mbjelljeve vjeshtore. /Buletini Ekonomik/