Gazmend Begolli: Termocentralet “Kosova A” duhet të ndërtohen domosdoshmërisht

Termocentrali "Kosova A"

Për rindërtimin e tre blloqeve (A3, A4 dhe A5) të termocentraleve “Kosova A” hamendësohet se do të nevojiteshin pak a shumë rreth 200 milionë euro dhe do të prodhoheshin rreth 600 megavatë-orë energji elektrike, pra sa një termocentral fare i ri, ndërtimi i të cilit do t’i kushtonte Kosovës miliarda euro. Çka thonë në Zyrën e BE-së rreth idesë për rindërtimin e Kosovës A dhe çka thonë në KEK?

Mehmet GJATA

Tashmë ka shumë zëra nga ekspertët, analistët dhe njohësit e zhvillimeve energjetike që flasin në favor të ndërtimit, ose rivitalizimit rrënjësor të termocentraleve “Kosova”, në vend të përcaktimit për të ndërtuar një termocentral fare të ri të kapacitetit rreth 600 megavatësh, për të plotësuar nevojat gjithnjë në rritje të konsumit të Kosovës për energji elektrike.

Reklama e sponzorizuar

Ekspertët, sidomos ata me përvojë të madhe në energjetikë, tani, pas dështimeve të njëpasnjëshme të nismave për të ndërtuar një termocentral të ri në Kosovë, flasin me bindje se ndërtmi i “Kosovës A” është zgjidhje e mirë. Ata, nuk ngurrojnë fare të numrojnë një vistër arsyesh për të argumentuar tezat e tyre në favor të këtij rivitalizimi: Bëhet shumë më shpejtë, me shumë më pak para dhe njësoj do të sigurohej mbrojtja e ambientit sikundër me një TC të ri dhe njësoj do të siguroheshin 600 megavat-orë energji elektrike, aq pra sa do të prodhonte i riu.

Inxhinieri tani në moshë, Gazmend Begolli, një njohës i mirë i energjetikës, me dhjetëra vjet në pozicione udhëheqëse në KEK, aktualisht këshilltar i Bordit dhe menaxhmentit të KEK-ut për projekte të rivitalizimit dhe strategjive zhvillimore të KEK-ut, thotë se kaherë ka ngritur zërin fuqishëm për domosdonë e ndërtmit të “Kosovës A”.

“Tashmë, fanatikisht jam i përcaktuar, gjithnjë duke u mbështetur në argumente, në anën e rivitalizimit, thotë Begolli për Buletinin Ekonomik.

Sipas tij, konsumi i energjisë elektrike, me vite është rritur, dhe domosdo ky konsum detyrimisht është dashur të mbulohet nga një burim i lirë i rrymës. Në mungesë të këtij burimi, Kosova kushtimisht ka qenë e detyruar në këto vite, kur ka munguar rryma, ose të importojë atë me çmime të shtrenjta, ose të aplikojë reduktime, shumë herë të ashpra.

Ai ka sqaruar se e keqja te konsumi i energjisë në Kosovë qëndron në faktin se pjesën më të madhe të këtij konsumi, të rritur pra, e regjistron kategoria e harxhuesve të amvisërisë, dhe pjesën e vogël konsumatori industrial. Kjo shpërputhje është rrjedhojë e pakësimit evident të aktiviteteteve industriale dhe mbylljes së shumë fabrikave pas luftës.

Në këto rrethana, konsumi vjetor i Kosovës ndër vite është sjellur pak a shumë diku te 6 mijë gigavatëshi. Dhe ky prodhim, pos në raste të defekteve teknike të ndonjë blloku kur detyrimisht është importuar rryma, në të shumtën e rasteve është siguruar nga termocentralet vendore dhe atë 66 për qind nga blloqet e “Kosova B” dhe 33-34 për qind nga “Kosova A”.

Përqindjen e prodhimit të realizuar nga A-ja, e potencoi veçmas Begolli, për të qenë sa më bindës në arsyetimet e tija për domosdonë e ndërtmit të “Kosovës A”.

“Kur në gjithë këto vite Kosova A”, një termocentral i stërvjetruar, me stërgjatje të afateve të prodhimit dhe i stërlodhur , ka mundur të sigurojë një të tretën e energjisë elektrike të nevojshme për konsumin aktual të Kosovës, në rast të rivitalizimit të tërësishëm, siç po synohet, ai do të arrinte 600 megavatshin pa asnjë problem. Dhe kjo sasi e rrymës për 20 vjetët e ardhshëm, sa do të shtohej jetëgjatësia e njësive të rindërtuara, do të stabilizonte dukshëm, aq sa edhe një TC fare i ri, furnizimin e tregut të Kosovës me energji”, shprehet Begolli.

Me rivitalizimin, sipas tij, do të rritej siguria në punë, do të zvogëlohej maksimalisht ndotja e ambientit nga emetimi i gazrave dhe hirit, do të bëhej zvogëlimi i dukshëm i oksideve, azotit, sulfurit dhe dioksid karbonit (do të arrihej mbi 30 për qind dekarbonizimi) dhe do të sigurohej performancë me kapacitet të plotë të prodhimit (7 mijë orë punë në vit), do të shtohej pra dukshëm efiçenca në blloqet A3, A4 dhe A5.

Me rivitalizim saktësisht parashihet që sasia e hirit të zbret në 20 mig/Nm3. Me rivitalizim do të mbeteshin të njëjtat vende të punës sikundër deri më tash (diku rreth 800 punëtorë) dhe për 3-4,5 vjet sa do të zgjaste e gjithë puna e rivitalizimit do të angazhohen edhe plus rreth 1,500 punëtorëë të tjerë nga punëkryesit. Begolli ka sqaruar për Buletinin Ekonomik se puna për rindërtimin e bllokut A parashihet të zgjasë diku rreth 2 vjet, ndërsa për blloqet A4 dhe A 5 diku nga 1,5 vjet, që do të thotë e tërë puna rreth rindërtimit do të zgjaste diku 4-4,5 vjet.

Sipas një studimi të vitit 2005, që ka qenë shumë i detajizuar dhe analitik, i paraparë për t’u financuar nga fonde të BE-së, atëherë ndërtimi i këtyre tri blloqeve në përmasa të këtilla, është llogaritur të kushtonte gjithsej rreth 200 milionë euro, ose ndërtimi i një njësie ishte paraaparë të kushtojë rreth 60 milionë euro, plus investimet dhjetëra milionëshe që janë bërë për ndërrimin e elektrofilterave, për sistemin e largimit të hirit, për blloktransformatorët dhe për kompresorët.

Tani, hamendësohet se rivitalizimi kaq i detajuar, që do të thotë praktikisht rindërtimi i këtyre njësive prodhuese në Kosova A, për një njësi do të kushtonte diku rreth 70 milionë euro, që prap sillet diku te 200 milionëshi. Por, natyrisht te çmimi ndikon edhe numri i ofertave të punëkryesve, pra ai varet nga gara e operatorëve të ndërtimit pas shprehjes së interesit të organeve vendimmarrëse (KEK-u dhe Qeveria e Kosovës) për këtë investim, që për rrethana kosovare është goxha kolosal.

Pos Gazmend Begollit në KEK, ka edhe shumë kuadro të tjerë që favorizojnë ndërtimin e Kosovës A para ndërtimit të një kapaciteteti të ri termoenergjetik. Reth idesë për ndërtimin e “Kosovës A”, Zyra e BE-së në Kosovë, vlerëson se Kosova duhet të punojë drejt zbatimit të reformave për dekarbonizimin në përputhje me zotimet e bëra në Samitin e Sofjes dhe Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.

Në përputhje me këto zotime, Kosova do të duhej të përgatiste një Strategji të re për Energji dhe të sigurojë koherencën me Planin e integruar Kombëtar për Energji dhe Klimë (2021-2030), i cili do të definojë caqet për zvogëlimin e emetimeve të gazrave serë (GHG), për energji të ripërtëritshme dhe efiçiencë të energjisë, si dhe do të vendosë masat e politikave për arritjen e këtyre caqeve në mënyrën me kosto më efektive. Sipas kësaj Zyreje, të gjitha impiantet operative me thëngjill do të duhej të ishin në pajtueshmëri me kërkesat e traktatit të Komunitetit të Energjisë të lidhura me Direktivën për Impiantet e Mëdha me Djegie dhe Direktivën për Emetimet Industriale.

BE-ja është zotuar tashmë për financimin e dekomisionimit të aseteve jo-funksionale të termocentralit Kosova A. Zbatimi i këtij projekti është vonuar për shkak të mosmarrjes së vendimit për lokacionin e deponimit të mbetjeve të rrezikshme. BE-ja nuk mundet dhe as nuk do të mundet të mbështesë çfarëdo investimi për ndonjë termocentral të ri me thëngjill, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë për Buletinin Ekonomik.

Ndërsa në përgjigjen e KEK-ut për Buletinin Ekonomik të dërguara me shkrim nga zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli, thuhet se vendimi i Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve të KEK-ut (i publikuar në ueb faqen zyrtare të KEK-ut) parasheh realizimin e analizave teknike nga ana e menaxhmentit të KEK-ut për të qartësuar gjendjen reale të TC Kosova A, më saktësisht: sigurisë së punëtorëve, sigurimit të qëndrueshëm me energji elektrike, shifrës së saktë të investimeve vjetore për mirëmbajtje dhe përmbushjen e parametrave mjedisor. Së fundmi, ju bëjmë me dije se ky vendim në asnjë mënyrë nuk mund të cilësohet si vendim për inicim të procesit të rindërtimit apo revitalizimit të TC-A-së. Ndërsa, projekti i elektrofiltrave të TC Kosova B do të vazhdojë. /Buletini Ekonomik/