Energjia nga era, e pastër dhe pa ndotje të mjedisit

Prodhimi i energjisë me erë, aty ku ka mundësi dhe potencial natyror, tash e tutje dhe sa më shpejtë që është e mundur, duhet të bëhet imperativ te institucionet relevante kosovare dhe te zyrtarët tanë vendimmarrës. Dhe në bazë të ekspertëve të energjetikës, Kosova ka goxha mundësi të mira për realizimin e disa projekteve të prodhimit të energjisë me erë.

Mehmet Gjata

Energjia e prodhuar nga era është fare e pastër. Turbinat me erë prodhojnë energji elektrike pa ndotur dhe pa degraduar fare ambientin rreth e qark vendit ku instalohen ato dhe në këtë mënyrë energjia e përfituar nga era është mjaft e rëndësishme si alternativë për më shumë energji elektrike dhe për ruajtjen e ambientit.

Pra, sado që investimet për ndërtimin e parqeve të erës fillimisht kanë kosto relativisht të lartë, më pastaj përfitimet nga ky lloj i energjisë janë të mëdha, sidomos në Kosovën e degraduar në përmasa të frikshme nga ndotja e vazhdueshme që nga vitet e 60-ta, kur u ngritë blloku i parë i termocentraleve “Kosova A”, në bazë të thëngjillit.

Pastaj , ndër vite u ngritën edhe blloqet e tjera të termocantralit “Kosova A” (gjithsej 5 blloqe) dhe 2 blloqe të “Kosovës B”, me gjithsej fuqi instaluese mbi 1. 1 mijë megavatë-orë energji elektrike.

Termocentralet kosovare, të ndërtuara në Obiliq, dhe në afërsi të drejtpërdrejtë të Prishtinës së mbipopulluar, me emetim shpesh herë të pakontrolluar të CO2, pos degradimit permanent të tokave përreth Obiliqit dhe përreth 2 minierave sipërfaqësore të thëngjillit (në Mirash dhe në Bellaqevc), kaherë kanë paraqitur rrezik evident edhe për shëndetin e popullsisë rreth e qark Obiliqit deri në kryeqytet.

Prandaj, prodhimi i energjisë me erë, aty ku ka mundësi dhe potencial natyror, tash e tutje dhe sa më shpejtë që është e mundur, duhet të bëhet imperativ te institucionet relevante kosovare dhe te zyrtarët tanë kompetentë, domosdoshmëri. Dhe në bazë të ekspertëve të energjietikës, Kosova ka goxha mundësi të mira për realizimin e disa projekteve të prodhimit të energjisë me erë.

Pas analizave dhe matjeve të shumta vlerësohet se pos parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, me kapacitet 105 megavatë, i cili do të fillojë punën në muajin e ardhshëm dhe projektit në Kitkë të Gjilanit, që është në prodhim tani 2 vjet, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të verifikuara për mundësitë për të ndërtuar parqe të reja të energjisë së erës.

Kapaciteti i gjithmbarshëm i këtyre projekteve mund të arrinte në 600 megavatë, që do të ishte një prodhim solid, thuaja sa prodhimi i një termocentrali me kapacitet mbi mesataren të energjisë elektrike, dhe që do të ndikonte përfundimisht në stabilizimin e ndjeshëm të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.

Por, siç theksojnë ekspertët, dobia më e madhe nga energjia në bazë të erës është ruajtja e ambientit dhe bashkë me të e shëndetit të kosovarëve. Asnjë dëm nuk e kemi nga prodhimi i energjisë me erë, thotë Ilir, Grapci, drejtor menaxhues në Sowi Energi Kosova , një nga partnerët e ndërtimit të parkut të energjisë me erë në Shalë të Bajgorës.

Asociacionet kompetente ndërkombëtare, nga investitorët dhe ndërtuesit e projekteve në bazë të erës kërkojnë ruajtjen e habitatit, evitimin e rrezikut të përplasjeve të mundshme të shpendëve dhe lakuriqëve të natës; kujdesin rreth blerjes së tokës dhe ndikimet ndaj përdoruesve të tokës, si dhe ndikimet sociale, duke përfshirë ndikimet vizuale, hijen dhe zhurmën.

Natyrisht kërkohet edhe ruajtja me ngulm e biodiversitetit të ndryshëm. Këto kërkesa të asociacioneve kompetente ndërkombëtare i kanë, gjithsesi, parasysh bankat huadhënëse, të cilat shqyrtojnë paraprakisht dokumentacionin, ku përfshihen këto kërkesa për të identifikuar fusha të ndryshme ku kërkohen studime dhe vlerësime të mëtejshme për të përafruar plotësimin e kërkesave mjedisore dhe sociale të huadhënësve të Projektit.

Investitorët e parkut të energjisë së erës në Shalë të Bajgorës kanë pasur diku rreth 100 ditë afatë për t’i bindur bankat huadhënëse se këto kërkesa rreth ruajtjes së ambientit, gjegjësisht rreth rrezikimit eventual të të shpendëve, lakuriqëve të natës dhe florës, janë përmbushur tërësisht. Dhe, vetëm kur bankat janë bindur, ndërtuesit kanë mundur të marrin kreditë e nevojshme.

Ka qenë në një farë mënyre, fat i mirë që zogjtë shtegtarë gjatë shtegtimeve të tyre nuk kanë shfrytëzuar fare hapsirat dhe ambientet përmbi Shalë të Bajgorës. Zogjtë shtegtarë, si duket si rrugë për shtegtimet e tyre e përdorin Kosovën qendrore.

Sidoqoftë, zhvillimi i energjive të ripërtërishme, pra edhe energjisë së erës, është fokus i shteteve të Evropës Juglindore përmes nënshkrimit të Traktatit të datës 25.10.2005 (Energy Community, Treaty establishing the Energy Community, 2005) për themelimin e një Komuniteti të energjisë.

Shtetet e Evropës Juglindore janë obliguar ndër të tjera të ngritin efiçiencën, të shkaktojnë më pak CO2 si dhe ta përparojnë shfrytëzimin e energjive të ripërtërishme në 20% deri në vitin 2020. Vetëm në energjinë e erës duhet të arrijë kapacitetin prej 150MW deri në vitin 2020. Kosova këtë kusht e arriti sivjet, pra me ndërtimin e parkut të energjisë së erës në Shalë dhe atë në Kitkë.

Tani, punët duhet të vazhdojnë në ndërtimin e kapaciteteve të reja në Zatriq, në Budakovë, në Çyçavicë dhe në Kozhicë. Sa më shpejtë që të nisë realizimi i këtyre projekteve të reja, aq më mirë për Kosovën. Përfitimet janë të gjithanshme. /Buletini Ekonomik/