Universitetet më të mira për master në menaxhim biznes

0
21

Aplikimet rriten në shkollat ​​kryesore të biznesit ndërsa studentët përballen me vështirësitë e pandemisë.

Universiteti St Gallen në Zvicër ka kryesuar listën e Financial Times 2021 të universiteteve më të mira për master në degën menaxhim biznesi. Ky universitet e kryeson tashmë listën për të njëmbëdhjetin vit radhazi dhe lista mbizotërohet kryesisht nga universitetet europiane.

Pavarësisht ngërçit ekonomik të shkaktuar nga koronavirusi, pagat mesatare të raportuara nga studentët që janë diplomuar në këto universitete, u rritën paksa: duke arritur në 81,537 dollarë tre vjet pasi përfundonin studimet, krahasuar me 79,985 dollarë në vitin 2020.

Reklama e sponzorizuar

Të diplomuarit e universitetit St Gallen kishin pagat më të larta mesatare tre vjet pasi mbaronin Masterin në Strategji dhe Menaxhim Ndërkombëtar.

Në një kohë pasigurie mbi perspektivat e punësimit për studentët, shumë shkolla të larta raportuan një rritje të kërkesës për master në menaxhim biznesi.

“Ka një rritje të fortë të interesit për të studiuar, përfshirë online,” tha Andrew Crisp, bashkëthemelues i CarringtonCrisp, një konsulencë arsimore. “Një diplomë universitare nuk është e mjaftueshme për shumë punëdhënës, kështu që studentët mendojnë se tashmë kanë nevojë për diçka më shumë.”

Katër shkolla të larta ​​franceze – HEC Paris, Essec, ESCP dhe Edhec – u përfshinë në listën e universiteteve më të mira për menaxhim biznesi. Nga Mbretëria e Bashkuar u përfshinë dy shkolla, London Business School (LBS) dhe Imperial College London. Në listë u përfshinë gjithashtu edhe universitete ​​nga Irlanda, Hollanda, Spanja, Suedia, Gjermania dhe Republika Çeke.

Gjatë 18 muajve të fundit, koronavirusi i ka detyruar shkollat ​​e biznesit të ofrojnë mësimdhënie kryesisht online dhe ka kufizuar hapësirën për studentët që të udhëtojnë për arsye studimi.

Tim Mescon, zëdhënësi kryesor për Europën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën në AACSB International, organi i akreditimit, tha se kishte një kërkesë të madhe nga studentët për të studiuar për menaxhim biznesi. Ka gjithashtu një fokus të ri në tema si zinxhirët e furnizimit, përfshirja, dhe rëndësia që të diplomuarit të demonstrojnë “gatishmëri të fuqisë punëtore”./Monitor.al/


LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here