Dështimet institucionale në luftimin e ekonomisë së fshehtë

Nëpër vite, dihet për shifrat galopante të ekonomisë joformale dhe për pasojat e frikshme të saj në Kosovë. Janë bërë publike të dhëna të panumërta për dëmet e shkaktuara nga ekonomia e fshehtë, janë organizuar me qindra mbledhje, seminare, tryeza, studime dhe hulumtime për këtë “epidemi” që nuk po e lëshon dot Kosovën. Dhe,  edhe më tutje me shifra më të mëdha, herë pak më të vogla,  ekonomia e zezë po vazhdon të përmbytë zhvillimin e Kosovës, por edhe vizionet zhvillimore të saj.

Mehmet GJATA

Ekonomi nën hije, ekonomi e nëntokës, ekonomi e fshehtë, ekonomi e zezë, ekonomi e padeklaruar, ekonomia gri, sektori informal, evazioni fiskal – të gjitha këto emërtime janë futur thuaja si sinonime  edhe në gjuhën shqipe, për ekonominë joformale, e cila praktikisht tashmë dy decenie duke i  ngulfatur proceset zhvillimore dhe ekonomike ne përgjithsësi, është bërë “lëngatë”  e pashërueshme në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Nëpër vite, është alarmuar ky problem i ndjeshëm me pasoja të shumfishta, janë bërë publike shifra të panumërta për dëmet nga pasojat e ekonomisë së fshehtë, janë organizuar me qindra mbledhje, seminare, tryeza, studime dhe hulumtime për këtë “epidemi” që nuk po e lëshon dot Kosovën, përkundrazi edhe më tutje me shifra më të mëdha, herë pak më të vogla, ekonomia e zezë po vazhdon të përmbytë zhvillimin e Kosovës, por edhe vizionet zhvillimore të saj. Ç’është më keq, po vazhdon të dëbojë investitorët e huaj dhe të varfërojë buxhetin edhe ashtu të varfër nëpër vite të vendit.

Edhe në tryezën e organizuar këto ditë nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës me temë “Luftimi i Ekonomisë Joformale: Fiskalizimi në Fokus”, ekonomia   joformale u cilësua si kancer për ekonominë e shtetit, si pengesë dhe bllokuese e ashpër dhe e drejtpërdrejtë në ecuritë zhvillimore.  

Ndërkohë që shifrat e dëgjuara në këtë tryezë për përmasat e ekonomisë informale të bëjnë me dhimbje koke. Ato janë të tmerrshme, frikësuese dhe alarmante.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj edhe këtu e përsëriti se në bazë të vlerësimeve rreth 31 për qind është shkalla ekonomisë së zezë.

“Për që kemi ekonomi informale kemi, shohim se ka laramani të zbatimit të ligjeve nga ana e bizneseve. Nga fillimi i pandemisë e këndej fatkeqësisht është rrit numri i bizneseve që nuk zbatojnë ligjet në tërësi. Në bazë të të dhënave 36 mijë biznese janë të fiskalizuara. Fatkeqësisht nuk e dimë zyrtarisht numrin e bizneseve të pa fiskzlizuara”, është shprehur Murtezaj.

Dihet, por se numri i bizneseve pa arka fiskale është enorm, shumë i madh në Kosovën e vogël. Ndërsa sipas Valon Jahajt nga Shoqata e operatorëve të autorizuar për PEF,  në bazë të të dhënave nga Ministria e Financave llogaritet se mbi 10 mijë biznese janë të pa fiskalizuara.

Ndërkohë, dihet  tashmë qe sa vite ka filluar fiskalizimi i Kosovës, i cili po dëshmohet se nuk dihet kur do të përfundojë, sikundër dihen me vite ndikimet e drejtpërdrejta të mungesës së fiskalizimit në nxitjen e ekonomisë së fshehur.

Në Kosovë, ka vite që nga institucionet e sidomos nga ekspertët, janë bërë publike të dhënat e përafërta, herë më të sakta, herë jo edhe aq të besueshme për përqindjet e ekonomisë së fshehur në ekonominë e gjithëmbarshme kosovare, dhe në Bruto-Produktin vendor, për dëmet që ka shkaktuar dhe vazhdon të shkaktojë dhe që shumë ngadalë, me hapa të breshkës, po sanohen nga nismat e herë pas herëshme institucionale të ndërmarra kundër ekonomisë joformale.

Dhe, në të gjitha të dhënat e deritashme të bëra publike ndër vite, informaliteti ka mbetur thuaja pa ndryshim pozitiv duke lëvizur nga 30 deri në 40 për qind, ose me dëme të shkaktuara nga ekonomia joformale në procest zhvillimore të vendit nga  1,8  deri në 2 miliardë euro. Këto shifra frikësuese kush do mund t’i gjejë në të gjitha studimet, raportet, hulumtimet e bëra nëpër vite në periudhën e pasluftës.

Nga një raport hulumtues të shkruar nga Akademia e Shkencës dhe Arteve të Kosovës përmes mbështetjes së jashtme të Qendrës për Biznes të Qëndrueshëm në Shkollën e Ekonomisë së Stokholmit në Riga (Letoni) të bërë  në vitin 2019, del se  Kosova ka një shkallë më  të lartë të ekonomisë së fshehur, dhe ajo sillet rreth  40 për qind, ose rreth 2 miliardë euro në vit, që është thuaja afër  buxhetit të shtetit. Qëllimi i këtij studimi ka qenë ndërtimi dhe matja e indeksit të ekonomisë në hije për Kosovën si dhe eksplorimi i faktorëve kryesor që ndikojnë në prezencën e kësaj ekonomie në Kosovë. Hulumtimi në prioritet i është dedikuar studiuesve të ekonomisë, institucioneve shtetërore dhe bizneseve”.

Sipas akademikëve, duke u bazuar në këtë studim dhe në  të dhënat e BB-së, del se informaliteti në Kosovë lëvizë rreth 40 për qind të produktit të brendshëm në vlerë monetare rreth 2 miliardë euro. Vlerësohet që indeksi i ekonomisë në hije në Kosovë në vitin 2018 ishte 39.5 për qind, ndërsa po në këtë vit produkti i brendshëm bruto ishte 6.7 miliardë euro, kurse ekonomia në hije ishte rreth 2.66 miliardë euro në vit që është diçka më e lartë se buxheti vjetor i Kosovës. 

Duke  u bazuar në këtë studim dhe në të dhënat e  Bankës Botërore vërejmë se informaliteti në Kosovë lëvizë rreth 40 për qind të produktit të brendshëm në vlerë monetare rreth 2 miliardë euro në vit. Nga ky numër shihet se  buxheti i shtetit humb  rreth 300 milionë euro në vit, që  është një humbje mjaft e madhe për shtetin”.

Ç’është e vërteta, niveli më i lartë i ekonomisë informale përfshihet në  veriun e vendit, ku shumica e bizneseve janë të regjistruara në regjistrin biznesor të Serbisë. Por, nivel i lartë, madje me shifra tmerruese  i informalitetit mbizotëron edhe brenda teritorit të Kosovës.

Në raportin e hulumtues të ASHAK-ut, vlerësohet po ashtu se zvogëlimi i ekonomisë në hije i kontribuon rregullimit të konkurrencës në treg, i redukton humbjet e mëdha të buxhetit si pasojë e fshehjes së të ardhurave apo e mos raportimit të tyre dhe rrjedhimisht mospagimit të detyrimeve ndaj financave publike nga aktivitetet e kryera ekonomike.  Por këto vlerësime kanë mbetur vetëm në letër sikundër shumë të tjera të ngjashme.

Pra, dihet për dëmet dhe për përfitimet në rast të zbutjes së ekonomisë informale, por shifrat e kësaj “lëngate” vazhdojnë të mbesin identike, thuaja, fare të pandryshuara dhe gjithnjë të larta.
Pse gjithë ky informalitet, kur në raste jo të rralla krerët e institucioneve që kanë obligim ligjor luftimin e informalitetit bëjnë publike shumë aktivitete, madje me qindra sosh për luftimin e shmangies tatimore dhe me dhjetëra miliona dëme nga kjo shmangie. Nuk është se kanë munguar tashmë edhe plane konkrete, madje platforma e dokumente të tjera për ta luftuar ekonominë e hirtë. 

Ndër to, ATK-ja më herët ka prezantuar edhe Planin për Përmirësimin e Përmbushjes në Sektorin e Ndërtimtarisë për vitet 2019-2021, përmes së cilit është bërë e ditur se do të kryejë aktivitete gjithëpërfshirëse në sektorin e ndërtimtarisë, në mënyrë që të shmanget evazioni fiskal. Ndërsa, muaj më parë, në kuadër të Qeverisë së Kosovës është miratuar Strategjia për luftimin e ekonomisë joformale, e cila përfshin të gjithë akterët zbatues të ligjit, që duhet të punojnë në këtë drejtim për të zvogëluar apo luftuar ekonominë joformale. 

Strategjia Kombëtare e Kosovës për Parandalimin dhe Luftën Kundër Punës së Padeklaruar, Pastrimit të Parave, Financimit të Terrorizmit dhe Krimeve Financiare 2014-2018 , e përkufizon ekonominë e hirtë të padeklaruar si tërësi e aktiviteteve që janë të ligjshme, por mbahen të padeklaruara  te autoritetet në përpjekje për të shmangur pagimin e tatimeve ose të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Pati edhe kërkesa konkrete nga ekspertët që “luftimi i informalitetit të fokusohet jo vetëm në rritjen e të hyrave për arkën e shtetit që është shumë e rëndësishme, por mbi të gjitha në trajtimin e barabartë të tatimpaguesve.

Nuk mundet dikush të paguajë taksa e dikush të mos paguajë. Nuk mund të zhvillohet një biznes nëse përballet me konkurrencë të pandershme, prandaj ju inkurajoj që të zbatohet ligji drejt dhe të trajtohen të gjithë tatimpaguesit barabartë”.

Mirëpo, efekte dhe rezultate nuk ka. Edhe më tutje ekonomia joformale, me shifra galopante, e pakrahasueshme me shumicën e shteteve të rajonit, vazhdon ta gërryejë të tashmen dhe të ardhmen e ekonomisë kosovare, edhe ashtu e vogël, jokonkurrente dhe të pafuqishme. Informaliteti ekonomik mbetet edhe më tutje një nga dëmtuesit më të mëdhenj të ekonomisë së shtetit.

Ndërkohë që shtrirja e ndikimit mbetet  e gjerë, si në aspektin e fushave që prek, ashtu edhe në atë kohor. Në Kosovë, sipas analistëve, ekonomia e fshehur ka përmasa që kalojnë logjikën, pasi i shprehur në vlerë monetare kalon buxhetin e vetë shtetit. Thënë shkurt, informaliteti vazhdon të jetë kancer i ekonomisë kosovare.

Por, informaliteti ka ekzistuar, ku më shumë e ku më pak edhe në shumë shtete të tjera të botës. Por, ata kundër tij kanë zhvilluar “luftë” të njëmendtë, dhe kanë ndërmarrë e kanë zbatuar deri në fund masa energjike kundër ekonomisë informale. Dhe sot kanë rezultate, madje inkurajuese. Edhe Kosova, domosdo,  mundet të ketë rezultate antiinformalitet.

Luftimi i informalitetit kërkon vullnet politik që deri tani nuk ka ekzistuar, ndërsa siç thotë një njohës i këtij problemi,  pjesët e tjera të zinxhirit të luftimit të informalitetit janë derivate të vullnetit politik.
Qeveria Kurti, domosdo duhet t’i ketë parasysh të gjitha pasojat që me vite po ia shkakton informaliteti Kosovës, dëmet në përmasa alarmuese, kërkesat e miqve ndërkombëtarë dhe partnerëve dashamirës ekonomik në vazhdimsi për ta ndalur një herë e mirë ekonominë joformale.
Pa rezultate në luftimin e këtij problemi, si një nga çështjet më shqetësuese në ekonominë e Kosovës, nuk ka investime të huaja, nuk ka donacione, por nuk ka as pranime dhe integrime në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Ky fakt është theksuar edhe në paketën vjetore të zgjerimit të Komisionit Evropian, e cila përcakton përparimin edhe në luftimin e ekonomisë joformale që kanë bërë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. /Buletini Ekonomik/