Pritet zhbllokimi i mungesës së letërnjoftimeve, MPB-ja negocion tenderin në vlerë 3.9 milionë euro

Mungesës së letërnjoftimeve pritet t’i vije fundi këtyre ditëve. Ministria e Punëve të Brendshme ka nënshkruar kontratën për furnizim me letërnjoftim.

Sikurse Agim Veliu para pak muajve, edhe ministri Xhelal Sveçla ka vendosur firmën në kontratën për furnizim me letërnjoftim me kompaninë e njëjtë, shkruan lajmi.net.

Me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës, MPB-ja ka lidhur kontratë me kompaninë gjermane “Veridos GmbH” për tenderin “Furnizim emergjent me dokumente të identifikimit dhe mirëmbajtje të sistemeve”.

Reklama e sponzorizuar

Ministria kishte parashikuar të bëjë blerjen në vlerë prej 3 milionë e 500 000,00 euro, por pas negocimit me kompaninë kontrata është rritur për më shumë se 11 %, ose fiks në vlerë prej 3 929 080,00 euro.

Negocimi në mes MPB-së dhe kompanisë kishte nisur në qershor të këtij viti.

Në këtë kontratë bëjnë pjesë artikuj: Furnizim me pasaporta të zakonshme 240 mijë copë, furnizim me letërnjoftim elektrik TIP A 360 mijë copë, leje qëndrimi 6 mijë copë Tip C, patentë shofer 10 mijë copë, dhe mirëmbajtja e sistemeve për 12 muaj.

Kontrata nuk është publikuar akoma, por sipas “njoftimit për dhënie të kontratës”, ajo ka validitet 12 muaj.

Qytetarët e Kosovës që disa muaj nuk kanë mundur të pajisen me letërnjoftim. Më këtë problem janë ballafaquar edhe mërgimtarët që kanë qenë në Kosovë gjatë pushimeve.

Tenderin për furnizim me letërnjoftime dhe pasaporta për vitin 2020-2021, e pati fituar kompania e njëjtë që ka bërë furnizimin deri më tash. Ka disa vjet që furnizimin me letërnjoftim e bënë kompania gjermane “Veridos”, që ka selinë në Kosovë. Ish ministri, Agim Veliu e kishte nënshkruar kontratën në tetor të vitit të kaur, dhe ajo përmbante 250 mijë letërnjoftime elektronike dhe 50 mijë pasaporta, ndërsa vlera e saj ishte 1, 204.500 euro.

Ndryshe, MPB-ja ka pasur probleme për furnizim me letërnjoftim edhe para rreth një viti.