BE-ja miraton 14.2 miliardë euro për vendet në zgjerim, përfiton edhe Kosova

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhanë dritën jeshile për ndarjen e 14.2 miliardë eurove si ndihmë financiare për shtetet që janë në proces të zgjerimit.

Mjetet do të vlejnë për periudhën 2021-2027. Shtetet që do të përfitojnë janë Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Islanda, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia.

Në një deklaratë të BE-së thuhet se, këto mjete do t’u ndihmojnë atyre të zbatojnë reforma, me synim anëtarësimin e ardhshëm në BE.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, ndihma financiare nuk do të jetë pa kushte. Sipas deklaratës, ndihma do të ndryshojë në sasi dhe intensitet, varësisht performancës së përfituesve.

“Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet përpjekjeve të bëra në fushat e reformave themelore (sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, institucionet demokratike dhe reforma e administratës publike, si dhe zhvillimi ekonomik dhe konkurrenca)”, thuhet në deklaratë.

Me të po ashtu bëhet e ditur se shtrirja dhe intensiteti i ndihmës mund të pësojnë modifikime, në rast të mungesës së vazhdueshme të përparimit të përfituesve në fushat e reformave themelore. /REL/