Tregu i përbashkët rajonal, 73 për qind e bizneseve raportojnë barrierat jo-tarifore si pengesa të mëdha

0
46

Një anketim i këtij viti në 400 biznese në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i realizuar nga Forumi Rajonal i Odave të Tregtisë (WB6 CIF) gjeti se, 73 për qind e kompanive të intervistuara përballen me probleme tregtare lidhur me masat jo tarifore në tregtinë ndër rajonale.

Barrierat kryesore jo-tarifore janë rregullat e origjinës, barrierat teknike për tregti dhe masa që lidhen me eksportin.

76 për qind e kompanive të intervistuara pohuan se përballen me probleme në lidhje me administrimin dhe procedurat në dogana.

Shumica e tyre raportuan mungesë informacioni në dispozicion të publikut, probleme me formalitetet që lidhen me importin, eksportin dhe tranzitin, probleme që lidhen me zhdoganimin e mallrave dhe problemet me tarifat dhe gjobat e vendosura në lidhje me tregtinë.

Për funksionimin e Tregut Rajonal, kompanitë ngritën çështjen e standardeve unike si një nga çështjet më të rëndësishme për krijimin e një tregu rajonal. Gjithashtu pengesa e dytë më e madhe shihet marrja së lejeve të punës për punonjës që kërkojnë të angazhohen në vende të tjera të rajonit.

70 për qind e kompanive të intervistuara janë të angazhuara në tregtinë e jashtme dhe rreth 5 për qind e kompanive janë të interesuara për tregti, por raportojnë barrierat në tregti.

Në kuadër të nismës për krijimin e tregut rajonal, odat e tregtisë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia kanë formuar një forum të përbashkët për të paraqitur në mënyrë të njehsuar problematikat dhe kërkesat e biznesit në kuadër të këtij procesi.

Forumi i përbashkët përfaqëson rreth 350 mijë kompani, kryesisht ndërmarrje të vogla dhe të mesme dhe ka për mision bashkëpunimin e komunitetit të biznesit brenda rajonit për të lehtësuar pengesat e mbetura për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimeve në tregjet e rajonit të BB.

Bizneset në të gjithë rajonin përveç barrierave tregtare, kanë vlerësuar si problematike kohën e gjatë në proceset e përpunimit të mallrave në dogana. Koha e pritjes është vënë në monitorim nëpërmjet buletini të përditshëm për minutat që harxhon një kamion në doganat hyrëse.

Forumi Rajonal i Odave të Tregtisë gjithashtu ofron asistencë dhe ndihmesë për kompanitë e Rajonit që duan të futen në tregjet e BE-së. Dy platforma online po zhvillohen për këtë qëllim. Njëra është “platforma e qasjes në tregje” e cila do të ketë të dhëna furnizuesit e dyta është “Platforma e Inteligjencës së Tregut”.

Gjatë këtij viti më shumë se 2,000 kompani në Rajon do të listohen si furnizues të mundshëm dhe përfshijnë sektorë që nga industria e lehtë, industria automobilistike, biznese që aplikojnë ekonomin qarkulluese dhe agro-ushqimi. /Monitor.al/