Më shumë se 2.5 milionë qytetarë nga Shqipëria kanë depozita bankare, rriten kursimet nga gratë

Euro

Gratë po fitojnë terren si depozituese në sektorin bankar. Të dhënat e INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë tregojnë se vitin e kaluar 43.5 për qind e depozituesve në banka ishin gra.

Kjo shifër është në rritje për të dytin vit radhazi. Për vitin 2019, gratë përbënin 42.7 për qind të depozituesve, ndërsa për vitin 2018 ishte 41.9 për qind.

Burrat vazhdojnë të dominojnë në strukturën e llogarive të depozitave bankare sipas gjinisë me 56.5 për qind të totalit. Megjithatë, pjesa e tyre është në rënie për të dytin vit radhazi, nga niveli 57.3 për qind i vitit 2019 dhe 58.1 për qind i vitit 2018.

Reklama e sponzorizuar

Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2020 numri i llogarive depozituese të familjeve në sektorin bankar arriti në 3.74 milionë, në rritje me 7.5 për qind krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, numri i depozituesve në këtë segment arriti në 2.51 milionë apo 3.3 për qind më shumë krahasuar me vitin 2019. Numri i depozituesve përbën rreth 87 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Shqipërisë në fund të vitit 2020, por në këtë shifër përfshihen edhe shumë depozitues emigrant ose jo rezidentë në Shqipëri.

Shtimi i llogarive të depozitave gjatë vitit të kaluar përputhet edhe me rritjen e ndjeshme të vlerës së tyre. Pandemia nxiti prirjen për kursim mes shqiptarëve dhe në vlerë depozitat bankare vitin e kaluar u rritën me pothuajse 8 për qind.

Një strukturë e ngjashme me depozitat vërehet edhe në llogaritë e kredive bankare, ku pjesa e burrave është lehtësisht më e lartë. Sipas Bankës së Shqipërisë, 56.8 për qind e llogarive të kredisë iu takojnë burrave, ndërsa 43.2 për qind grave. Krahasuar me një vit më parë, pjesa e llogarive që mbahen nga burrat është rritur me 0.2 pikë përqindje, ndërsa pjesa e grave ka rënë në të njëjtën masë.

Në fund të vitit të kaluar, numri i llogarive të lidhura me kreditë bankare në segmentin e individëve arriti në mbi 394 mijë, me një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me një vit më parë. Rritje më të lartë shënoi numri i huamarrësve, me 339 mijë gjithsej apo 8.6 për qind më shumë krahasuar me vitin 2019. Numri i huamarrësve është afërsisht sa 12 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë së Shqipërisë në fund të vitit.

Mbështetur në të dhënat e bazuara në Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS), portofoli neto i kredisë së sektorit bankar në fund të vitit 2020 arriti vlerën rreth 4.7 miliardë eurove. Teprica e kredisë u rrit me rreth 5 për qind krahasuar me një vit më parë. Kjo është rritja më e lartë e portofolit të kredisë bankare që prej vitit 2014. Rritja po vijon me ritme të larta edhe këtë vit dhe kontributin kryesor po e jep pikërisht segmenti i ekonomive familjare, ku portofoli i kredisë në mesin e këtij viti rezulton në rritje vjetore me mbi 13 për qind. /Monitor/