Qeveria s’jep hollësi kur pritet të shqyrtohet ligji për skemat sociale

Reforma e sistemit pensional të Kosovës është domosdoshmëri për t’i eliminuar padrejtësitë ligjore dhe për të siguruar një trajtim të barabartë për qytetarët e saj.Nisma për ndryshimin e këtij ligji diskriminues, që u kërkon pensionistëve të kenë përvojë 15 vjeçare para luftës për të marrë pensionin kontributdhënës, ka pasur edhe gjatë legjislaturës së kaluar por nuk janë finalizuar.

Qeveria aktuale thotë se këtë projektligj e ka të përfshirë në agjendën legjislative, por nuk ka dhënë detaje se kur pritet të shqyrtohet.

Nisma për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti edhe pse ishte para finalizimit, me rënien e qeverisë së kaluar është kthyer në pikën zero. Qeveria aktuale thotë se këtë projektligj e ka të përfshirë në agjendën legjislative, por nuk ka dhënë detaje se kur pritet të shqyrtohet.  Zëdhënësja e qeverisë, Rozafa Kelmendi,  në një përgjigje me shkrim dhënë Radio Kosovës tha:

Reklama e sponzorizuar

“ Në agjendën e qeverisë është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04 /L – 131 për Skemat Pensionale të Financuar nga Shteti”.

Ish deputetja e legjislaturës së kaluar të Kuvendit, Teuta Haxhiu, ka punuar gjatë në ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji diskriminues, i cili kriter për marrjen e pensionit të plotë e ka kushtin prej 15 vite përvojë punë para lufte. Haxhiu i tha Radio Kosovës se për dy mandate ka kërkuar të ndryshohet ky udhëzim administrativ që sipas saj derivon nga një nen i ligjeve të ish Jugosllavisë.

“ Ky nen nuk kanë pranuar  të ndryshohet dhe kam marrë nismën ligjore, e cila fatmirësisht në legjislaturën e kaluar të Kuvendit është miratuar në lexim të parë dhe ka shkuar në qeveri. Është kthyer vendimi prej qeverisë, por fatkeqësisht është vonuar në Komisionin për Shëndetësi dhe nuk ka shkuar fare në lexim të dytë”, tha ajo.

Ajo tha se ka kontaktuar me deputetë të subjektit të saj por edhe të partive të  tjera që të vazhdojnë të ndryshojnë këtë udhëzim administrativ, ta heqin komplet këtë kriter dhe për aq vite sa kanë punuar pensionistët të paguhen. Ajo tha se qeveria i ka numrat dhe brenda dy muajve mund ta ndryshojnë këtë ligj.

“Është nismë shumë e mirë dhe deputetët nëse bëhen seriozë mund ta ndryshojnë këtë ligj për dy muaj në afat maksimal, duke i ndjekur të gjitha procedurat e rregullta”, shtoi ajo.

Ani pse mund të ketë implikime buxhetore, kjo nuk duhet t’i interesojë askujt,   sepse pensionistëve u takojnë kontributet e tyre, thotë Haxhiu.

Edhe pensionistët mendojnë se ky ligji duhet të ndryshohet. Ish udhëheqësi i shërbimeve sociale në Drenas, Shaban Cervadiku, tha diskriminimi  i këtij ligji  bazohet në dy faza, e para sepse bëhet një dallim shumë i madh i njerëzve që kanë qenë në administratë dhe i kanë dëgjuar qëndrimet e Organeve Legjitime të Republikës së  Kosovës para vitit 1999, që të mos pranohen masat e dhunshme serbe, e ata nga kjo e kanë humbur këtë të drejtë që sot ua mohojnë organet tona legjitime.

“Ky ligj është diskriminues  është edhe në aspektin tjetër për shkak se nuk bënë diferencën e atyre që kanë punuar një vit, dy, tre e katër, por për një ditë apo një muaj e ka humbur këtë të drejtë dhe ai sot ka ra në shkallën e atyre që nuk kanë punuar fare, d.m.th 95 euro pension.  Kërkoj nga qeveria që gjithsesi t’ia fillojnë procedurës dhe ketë ligj diskriminues me vu në baza të së drejtës humanitare njerëzore për të gjithë punëtoret që janë diskriminuar deri sot me ketë ligj .

Edhe raporti i Avokatit të Popullit thotë se mos heqja e këtij kushti, është shkelje elementare e të drejtave të njeriut.