Perspektivat e Euros

0
88

Roli ndërkombëtar i monedhës së përbashkët. Aspiratat e monedhës europiane po rriten

Kur Bashkimi Europian krijoi Euron dy dekada më parë, ekonomistët ngritën pyetjen nëse monedha e re mund të arrinte diçka që asnjë monedhë tjetër nuk e kishte arritur në periudhën e pasluftës: të sfidonte dollarin e fuqishëm amerikan. Sidoqoftë, menaxherët në bankat qendrore të botës, si dhe bizneset në të gjithë botën, vazhduan të operonin me dollarë, shkruan The Economist. Tani Europa po përpiqet të forcojë besimin e Euros përtej kufijve të saj.

Një hap i rëndësishëm u ndërmor më 15 qershor, kur u emetuan bono me vlerë 20 miliardë euro (24.3 miliardë dollarë) si pjesë e skemës së programit Next Generation të BE-së (NGEU) për të rritur ekonomitë europiane. Këto bono mund të rivalizojnë bonot e Thesarit Amerikan, si një alternativë e sigurt zgjedhjeje.

Monedhat ekzistojnë kryesisht për të lehtësuar transaksionet e njerëzve dhe bizneseve brenda kufijve të vendeve që i lëshojnë ato. Por prania ndërkombëtare e një monedhe mund të ndihmojë në shumë mënyra. Për firmat është më e volitshme që t’i kenë importet dhe eksportet në monedhën e tyre vendase sesa, për shembull, në dollarë, sepse kjo nënkupton më pak përçarje kur kurset e këmbimit ndryshojnë në mënyrë të paparashikuar, gjë që është e pashmangshme. Duke emetuar një monedhë që të huajt duan ta mbajnë, qeveritë mund ta kenë më të lehtë që të grumbullojnë para prej tyre me norma të lira. Kjo, nga ana tjetër, ul koston e huamarrjes për kompanitë dhe bankat.

Euro është gjerësisht e disponueshme jashtë 19 shteteve që e përdorin atë zyrtarisht. Rreth dy duzina vende i lidhin, në njëfarë mënyre, monedhat e tyre me euron, megjithëse këto janë kryesisht ish-kolonitë europiane dhe fqinjët e ngushtë. Rreth një e treta apo gjysma e të gjitha kartëmonedhave euro mbahen jashtë Eurozonës, sipas Bankës Qendrore Europiane (BQE). Sidoqoftë, për nga përdorimi ndërkombëtar, ai mbetet një rival i largët i dollarit.

Rreth një e pesta e të gjitha rezervave të këmbimit valutor në pronësi të bankave qendrore, dhe një përqindje e ngjashme e kredive dhe bonove ndërkufitare, janë të shprehura në euro – kjo pjesë për dollarin është rreth 60%. Pjesa e pagesave në euro për transaksionet është shumë më pranë nivelit në dollarë (shih grafikun), një fakt aspak i habitshëm duke pasur parasysh se BE-ja është tregtuesi më i madh në botë i mallrave dhe shërbimeve. Por mallrat si vaji dhe pambuku kryesisht i kanë çmimet në dollarë.

Në vitet e saj të para, monedha e përbashkët dukej se mund të rivalizonte kampionin e pasluftës. Deri në vitin 2007, euro madje u bë zgjedhja më popullore për emetimin e borxheve në monedhë të huaj (për shembull nga kompanitë shumëkombëshe). Por kjo nuk zgjati. Kriza financiare që nisi atë vit i shtyu investitorët drejt dollarit si monedha e tyre e zgjedhur. Më vonë, performanca e dobët e euros, gjatë së cilës madje u vu në pikëpyetje vetë mbijetesa e monedhës së përbashkët, dukej se e justifikonte vendimin e tyre. Që atëherë, euro duket se ka mbetur në vend ose e ka humbur rëndësinë.

Tani Europa dëshiron të provojë sërish, nëse jo për të tejkaluar dollarin, të paktën për të ulur dominimin e tij. Dy ndryshime rrethanash tregojnë se ka një shans që euro të fitojë terren.

I pari është ndryshimi i vazhdueshëm i qëndrimit të Amerikës ndaj politikëbërjes ekonomike ndërkombëtare – mbi të gjitha nën presidencën e Donald Trump. Politika e tij e proteksionizmit nacionalist, binte ndesh me përgjegjësitë e shtetit emetues të valutës rezervë të botës. Edhe nën administratën më miqësore të Biden, Europa ka ngritur shqetësimin se interesat e saj nuk do të jenë gjithmonë në përputhje me ato të Amerikës. Mbështetja te dollari perceptohet si një dobësi potenciale, edhe më e madhe se më parë.

Në mars, udhëheqësit e Eurozonës thanë se rritja e përdorimit ndërkombëtar të monedhës do t’i ndihmonte ata të arrinin një “autonomi strategjike”. BE-ja ka qenë veçanërisht e irrituar nga ideja se bizneset në rajon ishin të detyruar të respektonin sanksionet amerikane që Europa i kundërshtoi, për shembull mbi Iranin. Amerika ka përdorur nevojën e bankave të mëdha për të pasur qasje në dollarë, për të policuar sjelljen e tyre përtej brigjeve të saj. Ata që kanë kundërshtuar urdhëresat amerikane, kanë pësuar gjoba të mëdha.

Kritikët e shohin këtë avantazh jashtë-territorial si një përdorim të padrejtë të dollarit si armë. Kjo ka ndikuar që disa subjekte, të cilët historikisht e kanë kundërshtuar rritjen e rolit ndërkombëtar të euros, tashmë të ndryshojnë mendje. Në kohë krize, monedhat rezervë globale zakonisht kanë prirjen të rriten, ndërsa investitorët kërkojnë strehë.

Flukse të tilla të paparashikueshme të kapitalit i shqetësuan politikëbërësit monetarë gjermanë në epokën e markës gjermane; dhe skepticizmi i tyre u transferua në BQE. Banka historikisht ka kërkuar që “as të mos e pengojë dhe as të mos e nxisë” një euro ndërkombëtare, por tani duket se është më e pranueshme ndaj kësaj ideje.

Ndryshimi i dytë erdhi papritur, si rezultat i pandemisë. Megjithëse recesioni i fundit global e çoi euron buzë greminës, këtë herë, veprimet e shpejta të BQE-së dhe qeverive kombëtare për të mbështetur ekonomitë e tyre, u pritën mjaft mirë. Kjo ka rritur besueshmërinë e euros në kohë krize – një veçori kyçe që duhet të ketë një monedhë globale.

Për më tepër, blloku i është përgjigjur krizës duke ndryshuar arkitekturën e monedhës së përbashkët në mënyra që pritet ta bëjnë monedhën edhe më tërheqëse në nivel ndërkombëtar. Një hap i madh ishte krijimi i skemës NGEU dhe emetimi i bonove.

Bonot mbështeten nga bilanci i të gjitha vendeve anëtare të BE-së, duke i bërë ato përafërsisht të ngjashme me bonot e Thesarit të Amerikës. Kjo është një risi relative në Europë, ku huamarrja është bërë kryesisht nga qeveritë kombëtare, aftësia e kreditit e të cilave, ndryshon. Kjo krijon një mënyrë të re që investitorët të kursejnë në euro pa marrë përsipër rrezikun e kredisë (për shembull, siç mund të rrezikohej nëse do t’i jepnin hua Italisë).

Pikërisht mungesa e këtij “aseti të sigurt” kishte qenë një element që pengonte përdorimin e euros në shkallë ndërkombëtare. Të gjitha llojet e operacioneve ndërkufitare, nga menaxhimi i rezervave të bankës qendrore, tek kompanitë që marrin hua para në valutë të huaj, mbështeten në një pikë referimi të parrezikshme. Emetimi nga NGEU “kontribuon për ta bërë Euron një zëvendësim më të mirë të Dollarit”, thotë Reza Moghadam nga Banka Morgan Stanley.

Barrierat

Por nuk janë zhdukur të gjitha barrierat për përdorimin më ndërkombëtar të euros. Së pari, “aseti i sigurt” mund të rezultojë i përkohshëm: në teori, bonoja e fundit nga NGEU do të emetohet në vitin 2026, megjithëse shumë mendojnë se skema do të zgjatet në njëfarë mënyre. Shumat e parave janë gjithashtu të vogla sipas standardeve financiare globale. Borxhi total i BE-së do të arrijë kulmin në rreth 1 trilion dollarë, ndërsa Amerika ka mbi 20 trilion dollarë borxh të pashlyer që investitorët mund të tregtojnë.

Dhe disa nga të metat e monedhës së përbashkët vazhdojnë të mbeten. Eurozonës i mungojnë disa nga elementet e rëndësishëm të një bashkimi koherent financiar, për shembull ndarja e rrezikut nëse bankat lëkunden. Mungesa e rishpërndarjes fiskale nënkupton se një përsëritje e krizës së Eurozonës është ende e mundur. Tregjet e kapitalit janë ende të pakta dhe të ndara, ndryshe nga ato të Amerikës. Një tjetër problem është edhe mungesa e një qendre të vetme financiare pas Brexit.

Nuk është e sigurt nëse fitimi i terrenit ndaj Dollarit do ta ndihmojë Europën të qëndrojë më larg ndikimit të Amerikës: bankat do të kenë gjithmonë nevojë për dollarë, dhe kështu për një seli në Nju Jork, pavarësisht nëse Euro lulëzon apo jo. (Një plan europian për të anashkaluar sanksionet ndaj Iranit, u hodh poshtë.)

Pak mendojnë se monedha e përbashkët mund të zhvendosë monedhën kryesore, por ndoshta mund të ribalancojë sistemin monetar ndërkombëtar. Kjo mund të ndihmojë në zvogëlimin e përçarjeve të shkaktuara nga bankierët qendrorë amerikanë, për shembull kur një shtrëngim i lehtë i politikës monetare në vitin 2013, shkaktoi një “protestë të fortë” që bëri jehonë globale. Euro është monedha e qartë që mundëson diversifikim.

Në vitin 2019, Mark Carney, guvernatori i Bankës së Anglisë, mendoi se teknologjia mund të prishte efektet e rrjetit që e ankorojnë dollarin në zemër të financave ndërkombëtare. Rritja e monedhave dixhitale të emetuara nga bankat qendrore, mund të rezultojë në një ekuilibër të ri ku shumë monedha ndajnë statusin e valutës rezervë globale. Kjo mund të sigurojë hapësirë për juanin e Kinës, i cili ka aspiratat e veta globale, por që tani pengohet nga mungesa e konvertibilitetit.

Një rezultat i tillë është ende disa vite larg. Por kjo do të shënonte një kthim në normën para Luftës së Dytë Botërore, kur disa monedha, përfshirë dollarin, kishin një dominim të përbashkët. Europa është ankuar prej kohësh ndaj “privilegjit të tepruar” që gëzon Amerika falë statusit të veçantë të dollarit. Mund t’i duket më e tolerueshme nëse edhe monedha e saj gëzon një pjesë të këtyre privilegjeve.