Dosja e Telekomit: Borxhi në rastin Z-Mobile u ‘fry’ për 6.3 milionë euro

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Një padi voluminoze e Telekomit e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ngre pretendime për fryrje të borxhit në rastin “Z-Mobile”.  Shuma e kontestuar është 6.3 milionë euro. Buletini Ekonomik sjell dosjen që mund ta kthejë rastin “Z-Mobile” në pikën zero.

Agon Sinanaj

Rasti “Z-Mobile” mund të kthehet në pikën zero. Një padi voluminoze e Telekomit e dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese ngre pretendime për fryrje të borxhit nga ana e kompanisë Dardafon.

Reklama e sponzorizuar

Shuma e kontestuar është 6.3 milionë euro, prej 26 milionëve sa është borxhi në total.

Mirëpo, Telekomi po e vazhdon betejën në Kushtetuese vetëm për 3.1 milionë euro, pasi gjysma tjetër nuk është përfshirë si borxh në marrëveshjen ‘Telekom-Dardafon’ të datës 17 nëntor 2020.

Padia përfshin edhe një ekspertizë financiare të ekspertëve në Telekomit, një kopje të së cilës e ka siguruar Buletini Ekonomik.

Shqetësimi i zyrtarëve të Telekomit se ndërmarrja është duke pranuar një borxh të paqenë, vërehet në një letërkëmbim të brendshëm të asaj kohe, që është pjesë e dosjes së dorëzuar në Kushtetuese.

“Nga tabela mund të shihni që ekziston një diferencë prej rreth 6.3 milionë euro ndërmjet kalkulimeve tona dhe atyre të Dardafon”, thuhet në letrën që Feim Kelmendi, zyrtar i lartë financiar në Telekom ia kishte drejtuar Bordit më 13 gusht 2020.

Një muaj pas kësaj letre, Bordi urdhëroi nisjen e hetimeve ku u përfshinë ekspertë të Telekomit nga departamenti financiar dhe ai ligjor.

“Lidhur me shumën e borxhit ndaj Dardafon.net, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve TK sh.a. i rekomandon Departamentit Ligjor dhe Departamentit Financiar që të konstatohet me saktësi gjendja e borxheve mes palëve në raportin kontraktual, përfundimisht me dt.01.08.2020”, thuhet në letrën e Bordit që mban datën 31.08.2020.

Rezultatet e ekspertizës finanaciare vërtetuan dyshimet e ngritura nga zyrtari i lartë financiar, Feim Kelmendi. Aty thuhet se ekziston një diferencë prej 6.3 milionë euro ndërmjet kalkulimeve të Telekomit dhe atyre të Dardafon-it.

Një seri e takimeve mes zyrtarëve të Telekomit dhe atyre të Dardafon-it kishte pasuar në ditët në vijim. Letërkëmbimi i asaj kohe zbulon negociatat e vështira mes palëve për borxhin e kontestuar prej 6.3 milionë euro.

Në fund “Dardafon” hoqi dorë nga pretendimet për gjysmën e këtij borxhi, mirëpo pjesa tjetër e kontestuar prej 3.1 milionë eurove u fut në borxhin e përgjithshëm si pjesë e marrëveshjes për ekzekutimin e borxhit të datës 17 nëntor 2020. Kështu, nga totali prej 26 milionë euro, borxhi i mbetur që doli nga kjo marrëveshje është 17.281.141.98 euro. Kjo sepse rreth 6 milionë euro, Dardafon-i tashmë i kishte tërhequr përmes përmbaruesit privat.

Letërkëmbimet shpërfaqin mospajtimet e ekspertëve të Telekomit, për pjesën e kontestuar prej 3.1 milionë eurove.

“Në borxhin e përgjithshëm prej 17,281,141.98 euro është përfshirë edhe shuma e aneksit të marrëveshjes në vlerë 3.172, 635.96 euro. Për këtë pjesë të borxhit nuk ka pasur pajtim që është borxh real nga ekipi i ekspertëve të Telekomit”, thuhet në një letër tjetër të ekspertit financiar Feim Kelmendit, të datës 24 nëntor.

Në letër thuhet se Telekomi këtë pjesë të kontestuar të borxhit është detyruar ta pranojë si borxh të vërtetë pas kushtëzimit të Dardafon-it se në të kundërtën nuk do të ketë marrëveshje.

“Telekom është detyruar të pranoj por në të njëjtën kohë në pikën 6 të marrëveshjes ruan të drejtën që këtë pjesë ta kontestoj në gjykatë. Varësisht sesi vendoset nga gjykata për këtë cështje, shumat e paraqitura në këtë tabel duhet të korrigjohen së bashku me efektet e tyre”.

Për të gjitha këto pretendime, Buletini Ekonomik ka kërkuar që ta ketë edhe verzionin e Z-Mobile, mirëpo ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të shkrimit.

Tri gabimet në kalkulim sipas ekspertëve të Telekomit

Sipas pretendimeve të ekspertëve të Telekomit, gabimet në kalkulim të borxhit nga ana e Z-Mobile kanë të bëjnë me tri çështje kryesore.

“Rreth 3.1 milionë euro është diferenca për vlerat e papaguara nga Dardafon ndaj Telekomit të Kosovës në periudhën 2016-2019, në vendimin e Gjykatës (I bazuar në kërkesën e Dardafon). Në emër të këtyre faturave nga borxhi i arbitrazhit është zbritur vlera prej 10.4 milionë euro, por në bazë të shënimeve tona kjo vlerë duhet të jetë 13.5 milionë euro”, thuhet në ekspertizë.

Gabimi i dytë ka të bëjë me diferencën prej 1.66 milionë euro që Dardafon-i e ka përfshirë në borxh, e që lidhet me dënimet për shkelje kontraktuale për vonesat në dhënien e SIM dhe shërbimeve 3G pas vendimit të Arbitrazhit.

“Sipas pikës 5 të vendimit të Arbitrazhit, këto dënime nuk duhet të paguhen derisa shuma e tyre të mos e tejkalojë vlerën e fitimit të humbur prej 17.3 milionë euro”, konstatohet aty.

Ndërsa, borxhi rreth 1.5 milionë euro ka të bëjë me periudhën e përllogaritjes së kamatave nga Dardafon-i. Sipas ekspertëve të Telekomit, Dardafon ka përllogaritur kamatën në shumën totale të borxhit të caktuar nga Arbitrazhi prej 14/04/2015 deri me 08/07/2019 (kur ka dërguar rastin në gjykatë). Po ashtu, sipas vendimit të gjykatës ka llogaritur kamatën nga 08/07/2019 deri me 15/07/2020.

“Sipas vlerësimit tonë, kamata e llogaritur në periudhën nga 24/05/2017 deri me 08/07/2019 është e pabazë, sepse nuk mund të llogaritet kamatë për një borxh në periudhën për të cilën është nënshkruar marrëveshja e vitit 2017”, thuhet në ekspertizë.

Telekomi: Nuk na u dha mundësia nga gjykata t’i parashtrojmë pretendimet

Këto pretendime, Telekomi i Kosovës tashmë i ka dorëzuar në formë të një padie në Gjykatën Kushtetuese. Në padi atakohet vendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, e cila ia njeh Z-Mobile-it të drejtën në borxhin 26 milionësh.

Në arsyetimin e kërkesës për padi, zyrtarët e Telekomit pretendojnë se gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk ua ka dhanë mundësinë që t’i parashtrojnë pretendimet e tyre.

“Meqenëse Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që lidhur me Prapësimin e Telekomit të mbanë shqyrtim gjyqësor, në momentin kur Dardafoni ende pa përfunduar shqyrtimi gjyqësor, ndryshoj propozimin, vlerën e propozimit dhe parashtroj prova të reja të cilat nuk i kishte parashtruar deri atëherë, Gjykata ka qenë e obliguar ta caktojë shqyrtimin e ri me qëllim që Telekomit ti jepet mundësia të deklarohet rreth këtyrë cështjeve dhe rrethanave të ndryshuara”, thuhet në padi.

Në kundërshtim me detyrimin ligjor, sipas padisë, gjykata e shkallës së parë fare nuk e kishte caktuar shqyrtimin e radhës duke ia mohuar Telekomit, në këtë mënyrë, të drejtën e garantuar ligjore për t’u deklaruar lidhur me propozimin e ndryshuar, vlerën e ndryshuar dhe provat e reja.

“Këto shkelje të procedurës përmbarimore ishin edhe ndër pretendimet kryesore të Telekomit në ankesën e dorëzuar me datën 10.07.2020. Duke vendosur sipas ankesës, Gjykata e Apelit nxjerri aktvendimin Ac.nr. 3610/20 të datës 08.10.2020 me të cilin , as që I ksihte trajtuar, e lërë më vlerësuar këto pretendime ankimore”, thuhet në padi.

Në shqyrtimin e mbajtur më datë 22 qershor 2020, lidhur me validitetin e Prapësimit të Debitorit (Telekomit), Gjykata Themelore në Prishtinë kishte nxjerrë konkluzionin me të cilin e kishte detyruar kreditorin që brenda afatit prej 3 ditësh ta dorëzojë Parashtresën për precizimin e propozimit për përmbarim.

Këtë Parashtresë, Kreditori (Dardafon) e kishte dorëzuar më datë 29 qershor 2020, të cilën Debitori (Telekomi i Kosovës) e kishte pranuar me datën 6 korrik 2020.

“Mirëpo ende pa u deklaruar Debitori, apo në të njëjtën datë kur Kreditori e kishte dorëzuar Parashtresën, pra me datën 06 Korrik 2020, Gjykata Themelore në Prishtinë veq e kishte përgatitur dhe nxjerrë Aktvendimin, duke ia mohuar të drejtën ligjore Debitorit (Telekomit) që të deklarohet  rreth Parashtresës së Kreditorit për Precizimin e Propozimit për Përmbarim dhe vlerës së re të përmbarimit e cila dallonte nga vlera fillestare”, thuhet në padi. /Buletini Ekonomik/