Çmime të larta për shportën e varfër të konsumatorit

Çmimet e konsumit, të cilat kanë shënuar rritje gjatë muajve të fundit në Kosovë, kanë shtrenjtuar shumë shportën mujore, thonë qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë.

“Është shqetësuese kjo ngritje, rrogat janë të vogla, 150 dhe 180 euro. Qeveria do të duhej të ndërmerrte veprime që të ndalohet ngritja e çmimeve”, thotë Hasan Bekteshi.

Lëvizje të çmimeve, sipas tij, kanë pasur: qumështi, gjalpi, djathi e shumë produkte të tjera elementare.

Reklama e sponzorizuar

Ngjashëm shprehet edhe Miradije Ziberi:

“Çmimet janë rritur, më shumë këto bazike, ushqimet elementare që janë shumë të nevojshme. Këto që janë të luksit edhe po të shtrenjtohen, nuk është problem. Nuk është ngritur çmimi i bukës që është me rëndësi, por ngritje ka”.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka qenë më i lartë me një mesatare prej 2.4 për qind në qershor, krahasuar me muajin qershor 2020.

Ngritje më e madhe e çmimeve në Kosovë, sipas ASK-së, është vërejtur te vajrat dhe yndyrat ushqimore. Ngritje është regjistruar edhe te buka dhe drithërat, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, më pas te duhani dhe produkte tjera.

Masat anti-COVID-19 ndikuan në rritjen e çmimeve

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritjen e çmimeve të konsumit e kanë diktuar masat e vendosurapër parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19.

Industria prodhuese, shton ai, ka punuar nën masat kufizuese, me numër më të vogël të punëtorëve, duke reduktuar kështu edhe prodhimin.

Sipas tij, rritja e çmimeve të konsumit është edhe më e lartë sesa 2.4 për qind.

“Në AKB vlerësojmë se inflacioni është 3 për qind. Kjo shifër është tepër e lartë karshi gjendjes dhe momentit ekonomik në të cilin po kalon vendi. Mungesa e prodhimit dhe ngritja e kërkesave me automatizëm kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Pandemia ka ndryshuar shumë parametra botërorë, ka ndryshuar shumë statistika edhe në tregjet globale. Kanë mbetur shumë punëtorë pa vende pune, janë reduktuar shumë vende pune, është rritur kërkesa për konsum, kurse mundësia për prodhim është reduktuar”, thotë Shahini.

Numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deri në fund të vitit 2018 ka qenë mbi 850,000.

Qytetarët e Kosovës jetojnë në numër më të madh në Gjermani dhe në Zvicër dhe remitencat, sipas të dhënave të BQK-së, dërgohen kryesisht nga këto vende.