Impiantet që kushtuan mbi 11 milionë euro po mbahen të mbyllur qe 2 vite

Dy impiante të ndërtura për mbeturina, me kosto rreth 11 milionë euro vazhdojnë të mbeten ende të mbyllura edhe pse ndërtimi dhe pranimi teknik i tyre ka përfunduar totalisht më 2019.

Janë bërë afro dy vite që dy impiantet, njëri në Mitrovicën Jugore e tjetri në Drenas, nuk kanë filluar së funksionuari për reciklimin dhe ripërpunimin e mbeturinave, ndonëse u shpenzuan rreth 11 milionë euro për to nga buxheti i shtetit.

Impianti për mbeturina në Mitrovicën Jugore është ndërtuar për ndarjen e mbeturinave të përgjithshme, kurse ai në Drenas, ka për qëllim trajtimin e mbetjeve shtazore në nivel vendi, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit të performansës për mbledhjen, trajtimin dhe asgjësimin e mbeturinave komerciale, ka treguar se mosfunksionalizimi i impianteve me kohë ndikon në humbjet materiale që dalin nga përpunimi, riciklimi dhe shitja e mbeturinave.

Përveç kësaj, sipas Auditorit, ndarja e mbeturinave në nivel vendi nuk bëhet nga burimi dhe si rrjedhojë ato dërgohen të pa kategorizuara në deponi duke përfunduar pa ndonjë klasifikim.

Kështu, për kategorizimin e mbeturinave më 2018, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) kishte ndarë 7 milionë euro duke synuar ndërtimin e dy impianteve, njërin në Suharekë e tjetrin në Mitrovicën Jugore. Mirëpo, ky i Suharekës kishte dështuar që në fazat e prokurimit, ndërkohë impianti në Mitrovicën Jugore ishte finalizuar në fund të vitit 2019, e i cili kishte kushtuar gjithsej 3. 5 milionë euro.

Sipas marrëveshjes së MMPHI-së me komunat përkatëse, pas ndërtimit, objekti do të bartej në pronësi të komunës.

Edhe pse pranimi teknik i impiantit në Mitrovicë ishte bërë në fund të vitit 2019 dhe aktualisht është i gatshëm për të hyrë në funksion, komuna për më shumë se një vit e gjysmë vazhdon ta mbajë të mbyllur këtë objekt, konstatojnë nga ZKA.

Ky impiant, sipas zyrtarëve përgjegjës nuk është aktivizuar për shkak se nuk ka arritur të miratohet në Kuvendin Komunal edhe pse bazuar në dëshmitë e ofruara dy herë është propozuar për rend dite.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me impiantin tjetër të ndërtuar në komunën e Drenasit.

Impianti në Drenas ishte ndërtuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në bashkëfinancim me Zyrën e Komisionit Evropian (ZKE), impiant ky i destinuar për trajtimin e mbetjeve shtazore në nivel vendi.

Kostoja e tërë projektit ishte 7.7 milionë euro dhe si proces kishte përfunduar në dhjetor të vitit 2019, por prapë as ky impiant nuk ka filluar ende punën.

Kjo për shkak se në vitin 2019, kur ishte bërë edhe pranimi teknik i pajisjeve në impiant, është vlerësuar se nuk janë përfshirë edhe disa pajisje tjera, sikurse gjeneratori elektrik, tanku për deponimin e gazit natyror dhe dritat e posaçme për hapësirat ku punohet me gaz për ta funksionalizuar impiantin në mënyrë të duhur. E në mungesë të këtyre pajisjeve, sipas AUV-it nuk mund të vihet në funksion ky impiant.

“Sipas AUV-së, në fazën e parë të këtij projekti nuk kanë qenë të përfshirë zyrtarët e tyre, kjo fazë është zhvilluar dhe menaxhuar nga ZKE-ja. Në vitin 2019, kur është bërë pranimi teknik i pajisjeve në impiant, është vlerësuar se nuk janë përfshirë edhe pajisjet sikurse gjeneratori elektrik, tanku (cisterna) për deponimin e gazit natyror dhe dritat e posaçme për hapësirat ku punohet me gaz për ta funksionalizuar impiantin në mënyrë të duhur”, thuhet në raport.

Pra, ky projekt ende nuk është vënë në funksion edhe pse pajisjeve që do të shërbejnë për trajtimin e mbetjeve shtazore me kosto afër 3.9 milion euro të blera që atëherë, iu ka skaduar edhe afati një vjeçar i garancisë.

Ndryshe, ndërtimi i këtij impianti ishte bërë në tri faza. Në fazën e parë ishte bërë përzgjedhja e lokacionit, dizajni i objektit, specifikimi i vijës së prodhimit dhe ndikimi mjedisor, kurse në fazën e dytë ishte përfshirë ndërtimi i objektit dhe infrastrukturës përreth, dhe faza e tretë ka paraparë furnizimin dhe instalimin e pajisjeve. Dy fazat e para kishin qenë bashkëfinancim me Zyrën e Komisionit Evropian (ZKE).

Nga ZKA-ja thonë se vonesat në funksionalizimin e impianteve përveç që do të kenë për pasojë amortizimin e pajisjeve, do të ndikojnë edhe në mostrajtimin e mbeturinave sipas klasifikimit, që do të ketë ndikim direkt në ruajtjen e mjedisit dhe ujit në vend. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/