Skepticizmi mbi skemat e papunësisë

Kompanitë gjermane janë në mëdyshje për skemën e papunësisë Kurzarbeit. Bizneset duket se po e shmangin nëse kanë mundësinë.

Për herë të parë në historinë e tij mbi 100-vjeçare, Adlon, një hotel luksoz brenda Portës Brandenburg në Berlin, përdori Kurzarbeit, një skemë nëpërmjet të cilës, qeveria gjermane paguan pjesën më të madhe të pagave të njerëzve që ndalojnë përkohësisht punën ose që punojnë me orë të reduktuara, shkruan The Economist.

“Biznesi ynë pothuajse kishte marrë fund”, shpjegon Daniela Welter, shefja e personelit të hotelit, duke iu referuar masave të rënda bllokuese të vendosura nëntorin e kaluar, të cilat ndaluan qëndrimin në hotele për personat që udhëtonin për argëtim dhe turizëm. Falë skemës Kurzarbeit, hoteli Adlon ishte në gjendje të kursente vendet e punës të të gjithë 347 punonjësve të tij. Tani po punëson sërish.

Reklama e sponzorizuar

Kurzarbeit daton mbi një shekull dhe është imituar në të gjithë botën gjatë krizës Covid-19. Në Gjermani, ajo është shtrirë thuajse kudo. Ndërsa 1.5 milionë punëtorë gjermanë në 56,000 kompani u zemëruan në kulmin e krizës globale financiare në maj 2009, rreth 6 milionë punonjës të 610,000 bizneseve, shfrytëzuan këtë skemë në prill 2020, kur karantinat ishin në periudhën më të rreptë.

Muajin e kaluar, 2.3 milionë njerëz, ose 7% e fuqisë punëtore gjermane, merrnin pjesërisht ose plotësisht ndihma papunësie, sipas IFO Institute, një think-tank. Kostoja për agjencinë federale të punësimit është 35 miliardë euro (42 miliardë dollarë). Në qershor, ministri i Punës i Gjermanisë njoftoi një zgjatje të skemës deri në fund të shtatorit.

Punëtorët dhe përfaqësuesit e tyre e përgëzuan këtë vendim. Një studim i fundit nga IMK, instituti kërkimor i Hans-Böckler-Stiftung, një fondacion që punon me sindikatat, zbuloi se skema Kurzarbeit kurseu 2.2 milionë vende pune në kulmin e pandemisë, krahasuar me 330,000 vende pune në kulmin e krizës financiare globale të viteve 2007-‘09.

Punëdhënësit janë më të kujdesshëm. Shumica janë dakord se skema Kurzarbeit ka përfitimet e saj. Sebastian Dullien, drejtori i IMK, thotë se kjo u mundëson bizneseve që të mbajnë punëtorët dhe të rifillojnë lehtësisht aktivitetin, ndërsa ekonomia hapet përsëri, edhe ndërsa homologët e tyre amerikanë përpiqen të gjejnë personel. BDA, një nga dy shoqatat kryesore të punëdhënësve në Gjermani, e mirëpret zgjatjen e afatit të skemës.

Sidoqoftë, grupi i lobimit paralajmëron kundër financimit të fondeve me kontribute më të larta për sigurimin e papunësisë, gjë që do të shtonte kostot e punës tashmë të larta të firmave. Madje, BDA e kundërshton pagesën e plotë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të punonjësve të siguruar nga qeveria deri në fund të vitit, siç kërkohet nga federata e sindikatës. Kjo do të zvogëlonte kostot e punës së kompanive, por krijon “stimuj të gabuar” për t’u regjistruar në skemë, paralajmëron BDA.

Nga ana tjetër, mund të ketë pasoja potencialisht të padëshirueshme për konkurrencën e firmave. Megjithëse kompanitë paguajnë më shumë se 30% të kostos së punës të stafit që përkohësisht nuk punon, skema mund t’i shkurajojë bizneset që të përshtaten me realitetin post-pandemik.

Studimi nga Oliver Stettes i Institutit për Kërkime Ekonomike në Këln, një tjetër institut kërkimor, zbuloi se firmat që përdorën skemën gjermane Kurzarbeit, kishin 15% më shumë probabilitet të shkurtonin vendet e punës sesa ato që nuk e përdornin skemën. Kjo nuk do të thotë se skema nxit pushimin e punonjësve. Shpjegimi më i mirë është se vetëm kompanitë më të prekura, si Adlon ose Lufthansa, kompania ajrore e Gjermanisë, operimi i së cilës u pezullua për muaj me radhë, zgjodhën të merrnin pjesë në skemë. Kjo, nga ana tjetër, tregon se nëse do të kishin mundësi zgjedhje, kompanitë gjermane nuk do ta përdornin skemën.