Në MPJD për të njëjtën pozitë u paguan dy zyrtarë

0
161

Për të njëjtën pozitë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) gjatë vitit 2020 kishte paguar dy zyrtarë, për muaj të tërë, ndonëse një gjë e tillë është e ndaluar me ligj.

Fjala është për pozitën e “Udhëheqësit të Divizionit të Personelit”.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, kjo pozitë në MPJD ishte mbajtur me Ushtrues detyre për një periudhë nëntë mujore duke filluar nga muaji tetor i vitit 2019. Më pas, zyrtares së njëjtë në korrik të vitit 2020 i është lëshuar një vendim përmes të cilit ishte caktuar si zëvendësim në pozitë në Divizionin e Personelit deri në përfundim të procesit të rregullt të rekrutimit.

Mirëpo, nga muaji prill 2020 MPJD e kishte të punësuar me akt emërim të rregullt “Udhëheqësin e Divizionit për Burime Njerëzore” si rezultat i bashkimit me Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike (MDIS). “

Rrjedhimisht nga muaji prill i vitit 2020 për të njëjtën pozitë paguhen dy zyrtarë” thuhet në raportin e auditorit të vitit 2020 për këtë ministri.

Neni 30.4 i Ligjit për Shërbim Civil thekson që “Në rast të mbetjes së një pozite të lirë në shërbimin civil, ushtruesi i detyrës nuk mund të emërohet më gjatë se tre (3) muaj”.

Sipas Auditorit, kompensimi i dy zyrtarëve për pozitën e njëjtë përveç që nuk është në pajtueshmëri me autoritetet ndikon në rritje të pa-arsyeshme të shpenzimeve.

Auditori rekomandon që Ministrja të ndërmerr masa konkrete për të zgjidhur problemin e pozitës së udhëheqësit të divizionit të personelit konform kërkesës ligjore, në mënyrë që të evitojë shpenzime të paarsyeshme për pozitat të cilat tashmë janë të mbuluara me staf të rregullt. /Buletini Ekonomik/