Telekomi rrezikon tërheqjen e licencës nga ARKEP-i

Telekomi i Kosovës rrezikon që ta humbë edhe licencën e operimit për shkak të borxheve të grumbulluara vit pas viti, përcjell Buletini Ekonomik.

Kjo pasi ndërmarrja nuk ka arritur t’iu përmbahet pagesave për shfrytëzimin e resurseve frekuencore në brezin 900 MHz dhe 1800 MHz, që lidhen direkt me licencën e operimit të vet ndërmarrjes.

Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin e auditimit për këtë ndërmarrje për vitin 2020, ka ngritur konstatime serioze se Telekomi i Kosovës mund të kërcënohet me përmbarim dhe tërheqje të licencës, si pasojë e kësaj.

Reklama e sponzorizuar

Më 30 korrik të vitit 2019, kompania kishte ripërtërirë marrëveshjen për shfrytëzimin e resurseve frekuencore, e cila do të kushtonte 15 mijë e 774 mijë e 128 euro. Mirëpo, ndërmarrja kishte bërë kërkesë që këtë shumë ta paguante me 10 këste të ndara për pagesë.

E Telekomi i Kosovës, as këto pagesa nuk ka mundur sërish t’i kryej për shkak të borxheve të grumbulluara, dhe si rrjedhojë borxhi i papaguar deri më 31 dhjetor 2020 ndaj ARKEP ka arritur në 6 milionë e 899 mijë e 284 euro.

“Kompania për shkak të vështirësive financiare nuk ka arritur t’i përmbahet pagesave të kësteve dhe borxhi i papaguar deri me 31 dhjetor 2020 ndaj ARKEP ka arritur në 6,899,284€. Kjo situatë mund të kërcënoj Kompaninë me përmbarim ose tërheqje të licencës”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/