Pezullimi i vendimit për taksën prej 5 eurove për automjetet, kush do të marrë përgjegjësi?

Pas reagimeve të shumta, Ministria e Infrastrukturës ka vendosur që të pezullojë vendimin për tiketën prej 5 eurove për regjistrim të automjeteve.

Këtë vendim e ka marrë dhe bërë të ditur zëvendësministri Hysen Durmishi i cili sipas Emir Abrashit nga Demokracia Plus i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Abrashi ka thënë se zëvendësministri nuk ka kompetencë të marrë vendime pa autorizimin e ministrit.

Reklama e sponzorizuar

“Me rregulloren për fushat e përgjegjësisë së Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, tek roli i zëvendësministrave nuk parashihet kompetencë për marrje të vendimeve vetëm në rastin kur e njëjta bëhet me autorizim të ministrit”, tha Abrashi për RTV 21.

Tutje, ai shtoi se, “Pika 4 e Nenit 10, parasheh që zëvendësministri i raporton ministrit në baza të rregullta, ndërsa kryeministrit çdo gjashtë muaj, dhe pika 5.2 e të njëjtit Nen, thotë se zëvendësministri me autorizim të ministrit mund të ushtrojë kompetenca që me ligj i janë dhënë ministri”, tha Abrashi.

Abrashi tha në fund se “Me marrjen e këtij vendimi kemi tejkalim të kompetencave të zëvendësministrit”, tha ai.

Derisa disa nga qytetarët e Prishtinës, janë pajtuar që të ketë një tarifë të tillë për tu identifikuar veturat e regjistruara, disa të tjerë kanë thënë se ky vendim duhet të shqyrtohet.

Ndryshe, Ministria e Infrastrukturës ka vendosur që të pezulloj vendimin për tiketën prej 5 eurove për regjistrim të automjeteve.

Lajmin e ka bërë të ditur, zv.ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Sot kam marrë vendim që të pezulloj marrëveshjen për tiketa ngjitëse deri në marrjen e vendimit përfundimtar për këtë çështje.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe vëmendjes së madhe të opinionit publik kam gjetur dokumente e raporte që janë kontradiktore me njëra tjetrën”, ka shkruar Durmishi.

Ai ka theksuar se “unë jam bazuar në dy dokumente të rëndësishme para se të nënshkruaja marrëveshjen e ato janë: raporti i auditorit të brendshëm të ministrisë dhe opinioni i zyrës ligjore të Kryeministrisë i datës 20.01.2020, i harmonizuar me zyrat ligjore të MI, MAP dhe MD”.

Durmishi ka theksuar se vendimin përfundimtar do ta marrin pas rishikimit të funksionimit të sistemeve dhe standardeve të kontrolleve të brendshme të ministrisë.

Për vendosjen e tiketës ngjitëse ka pasur kundërshtime nga partitë opozitare.