‘Hidromorava’ nuk ua zbret borxhet qytetarëve për pagesat nga llogaritë bankare

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava”, secilën pagesë të borxhit nga qytetarët prej llogarive bankare, e regjistron si pagesë nga konsumatorë të paidentifikuar.

Gjatë vitit 2020, kjo kompani kishte pranuar në llogarinë e saj gjithsej 9 mijë e 58 euro pagesa nga tashmë konsumatorë të paidentifkar sipas saj, të cilat si rrjedhojë nuk u janë zbritur fare konsumatorëve përkatës për obligimet e shlyera ndaj kompanisë, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), të gjitha pagesat që kryhen nga konsumatorët përmes llogarive bankare mbesin të paidentifkuara deri në momentin kur konsumatori i cili ka kryer pagesën, lajmërohet nëpër sportelet e kësaj kompanie për shlyerjen e borxhit.

Reklama e sponzorizuar

“Kjo kishte ndodhur për shkak të vështirësive në identifikimin e konsumatorëve me rastin e realizimit të pagesës nga llogaria bankare në vitet e mëhershme”, thuhet në raportin e auditimit për këtë kompani.

Mirëpo, pagesat nga konsumatorët e paidentifikuar ndikojnë në rritjen e ankesave për shkak të mos shlyerjes së obligimeve në kartelat e këtyre konsumatorëve, si dhe mbesin llogari të hapura në fund të vitit.

Buletini Ekonomik ditë më parë ka raportuar për problemin e njëjtë edhe me Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “KRU Prishtina”, e cila nga pagesat e njëjta kishte grumbulluar gjithsej 672 mijë e 890 euro.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit, “KRU Prishtina” nuk e kishte fshirë në sistem borxhin e paguar nga shumë konsumatorë, të cilët i kishin kryer këto pagesa ndaj ndërmarrjes.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, bëhet fjalë për gjithsej 672 mijë e 890 euro të regjistruara si “Pagesa të pa identifikuara dhe të jashtëzakonshme”, edhe pse në parim qytetarët i kishin kryer obligimet për ujin e shpenzuar ndaj kësaj ndërmarrjeje.

“Arkëtimet në shumën prej 672,890€, nuk u janë zbritur konsumatorëve përkatës për obligimet e paguara ndaj ndërmarrjes, por këto mjete ishin regjistruar në zërin kontabël me përshkrimin “Pagesat e pa identifikuara dhe të jashtëzakonshme” thuhet në raportin e ZKA-së për KRU Prishtina për vitin 2020.

Sipas Auditorit, kjo kishte ndodhur si pasojë e vështirësive të njëjta në identifikimin e konsumatorëve me rastin e shkarkimit të pagesave nga llogaria bankare.

Sipas zyrtarëve të ndërmarrjes, ky është një problem i bartur që nga fillimi i vitit 2003, kur ka filluar të mbahet në analitikë gjendja e konsumatorëve.

Pra, pagesat nga llogaria bankare që bëjnë qytetarët ndaj kësaj ndërmarrjeje, mund të përfundojnë si pagesa nga konsumatorë të paidentifikuar, përcjell Buletini Ekonomik.

Auditori i rekomandon Bordit të Drejtorëve që të sigurojë se janë ndërmarrë veprimet e duhura për të identifikuar këta konsumatorë, mjetet monetare të të cilëve janë grumbulluar në llogarinë “Pagesat e dyshimta dhe të jashtëzakonshme”.

Po ashtu, ky bord duhet të sigurojë që këtyre konsumatorëve u janë zbritur obligimet e papaguara ndaj ndërmarrjes. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/