Reagon ish-Bordi i ARH: Shkarkimi ynë pa asnjë argument faktik e as ligjor

Ish-Bordi i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave ka reaguar ndaj vendimit të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e tij.

Në një reagim publik të këtij ish-Bordi thuhet se Kuvendi i Kosovës, dje mori vendim për shkarkimin e Bordit të ARH-së, në një proces krejtësisht të paqartë, antiligjor dhe të mbingarkuar me shpifje e trillime. I njëjti është sulm edhe ndaj vet institucionit të pavarur të ARH-së, thuhet në reagimin e ish-Bordit të ARH-së.

Sipas tij vendimi i tillë, cenon pavarësinë e institucionit dhe krijon një pasiguri juridike në vazhdimin e funksionimit të ARH-së.

Reklama e sponzorizuar

“Aq më shumë, kur tanimë kemi një vakum institucional në ketë institucion të pavarur pasi që, nga muaji gusht, ARH mbetët pa titullar dhe procedurat për zgjedhjen e titullarëve të ri, marrin kohë”, thuhet ndër të tjera në reagim, ndërsa shton se Bordi i ARH-së do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar dhe shpifjet e prezantuara.

Ky është reagimi i plotë:

“Kuvendi i Kosovës, dje me datën 21.07.2021, mori vendim për shkarkimin e Bordit të ARH-së, në një proces krejtësisht të paqartë, antiligjor dhe të mbingarkuar me shpifje e trillime. I njëjti është sulm edhe ndaj vet institucionit të pavarur të ARH-së.

Vendimi i tillë, cenon pavarësinë e institucionit dhe krijon një pasiguri juridike në vazhdimin e funksionimit të ARH-së. Aq më shumë, kur tanimë kemi një vakum institucional në ketë institucion të pavarur pasi që, nga muaji gusht, ARH mbetët pa titullar dhe procedurat për zgjedhjen e titullarëve të ri, marrin kohë.

Arsyetimi për shkarkimin e Bordit të ARH-së, nga ana e disa deputetëve të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë të Kuvendit të Kosovës nuk ka asnjë argument faktik e as ligjor. Përdorimi i informatave të prezantuara nga ky komision kanë qenë të sponsorizuara nga nivelet shumë të ulëta, ku nga prezantimi i tyre është vërejtur se edhe vetë deputetet kanë rënë pre e lajthitjeve të tilla dhe si të tilla kanë dalë tërësisht tendencioze e aspak të vërteta. Këtë do ta dëshmojmë, në adresimin tonë për organet e drejtësisë.

Arsyeja reale, e parë dhe e fundit, është tendenca për të instaluar ndikimin dhe kontrollin në këtë institucioni në tërësi nga pushteti aktual, sepse në fund të muajit korrik, të këtij viti i skadon kontrata Kryeshefit Ekzekutiv dhe në bazë të ligjit, ky Bord ka mundur të bëj vazhdimin e kontratës për Kryeshefin e tanishëm ose të zhvillojë procedurat sipas ligjit për zgjedhjen e Kryeshefit të ri. E po ashtu, edhe vet ky Bord, nuk ka pasur mandat më shumë se edhe 3 muaj e 1 javë.

Është interesant se si në pikat e shkarkimit, arsyetimi bazë i dhënë është një rekomandim i Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), e që në të vërtetë ai rekomandim është i një institucioni krejtësisht tjetër, mirëpo adresimi i këtij rekomandimi përdoret për shkarkimin e ARH-së. Ky është një dezinformim që i është bërë deputetëve dhe opinionit publik. Kjo është lehtë e faktuar.

Përkundrazi, në vitin 2016, kur Bordi aktual ka marrë detyrën, ZKA, ka dhënë 6 rekomandime për të gjeturat/shkeljet e evidentuara. Ndërsa më punën profesionale dhe performancën e mirë të këtij Bordi, në vitet 2018, 2019 dhe 2020, ZKA nuk ka gjetur asnjë shkelje dhe nuk ka dhënë asnjë rekomandim.

Ky fakt ARH-në e bën institucionin e vetëm në vend të këtij niveli, që ka performancë të shkëlqyer, e cila është vlerësuar edhe nga ZKA. Rrjedhimisht, edhe gjitha shpenzimet e bëra janë proceduar konform Ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi, gjë që është dëshmuar ndër vite.

Arsyetimet tjera, tregojnë për injorancën e disa deputetëve në Komisionin funksional, ku akuzohemi për të drejta dhe përgjegjësi të institucioneve tjera (Ministria e Infrastrukturës, Ndërmarrja Publike “Trainkos”, Ndërmarrja Publike “Infrakos”, Ministria e Ekonomisë, etj), e për të cilat ARH nuk ka asnjë përgjegjësi ligjore.

Bordi i ARH-së do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar dhe shpifjet e prezantuara.

I bëjmë thirrje gjithë mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë të cilët merren më mbikëqyrjen e sundimit të ligjit por edhe ato që merren me punën e sektorit hekurudhor, që të reagojnë ndaj këtij vendimi arbitrar dhe jo ligjor dhe të parandalojnë degradimin e këtij institucioni, rrjedhimisht edhe gjithë sektorit.

Prishtinë, me 22.07.2021 Me respekt:

Anëtarët e shkarkuar të Bordit të ARH-së

Arsim Berisha

Gëzim Qërimi

Ilmi Ahmeti

Shkumbin Hyseni”, thuhet në reagim.