Auditori ngreh dyshime për dallavere me subvencione në Ministrinë e Bujqësisë

Sektori i bujqësisë

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka ngritur dyshime serioze në lidhje me menaxhimin e  dhënies së subvencioneve për fermerët nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) gjatë vitit 2020, përcjell Buletini Ekonomik.

Nga testimet që ka bërë ZKA-ja brenda kësaj ministrie, ka hasur në disa parregullsi, me ç’rast në 6 pagesa në vlerë të 61 mijë e 541 eurove, ministria në fjalë kishte subvencionuar përfituesit nga pagesat direkte, edhe pse përfituesit nëpër aplikacionet e tyre kishin ofruar fletat poseduese të tokave të punueshme nga kadastra, të cilat nuk ishin në pronësi të tyre, por e kishin mbiemrin e njëjtë si të tyre.

Të njëjtit nuk kishin ofruar as ndonjë dokument si dëshmi të afërsisë familjare apo kontratë për marrjen me qira të pronës.

Reklama e sponzorizuar

Arsyetimi nga menaxhmenti i Ministrisë së Bujqësisë dhënë për ZKA-në, ishte se e gjithë kjo ka ndodhur si pasojë e problemeve pronësore në nivel të përgjithsëm vendi.

Mirëpo, subvencionimi i përfituesve me fonde publike pa mbështetje të dokumenteve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ mund të rezultojë me pagesa potencialisht të parregullta dhe keqpërdorim të subvencioneve, vlerësojnë nga ZKA-ja.

Ndërkohë, sipas Udhëzimit Administrativ për Pagesat Direkte në Bujqësi, përcaktohet se një nga dokumentet e nevojshme për plotësimin e kushteve administrative për përfitimin e subvencioneve është fleta poseduese nga kadastra për sipërfaqen e tokës së punueshme në pronësi të aplikuesit ose në rast të marrjes me qira kopjen e kontratës që dëshmon disponueshmërinë e tokës bujqësore.

Prandaj, Auditori i rekomandon ministrit që t’i rishikojë rastet e mësipërme dhe të sigurohet se financimi i fermerëve do të bëhet vetëm pasi të jenë plotësuar të gjitha kërkesat e përcaktuara në UA.

“Kontrollet lidhur me ndarjen e subvencioneve duhet të jenë shumë më rigoroze”, përfundojnë nga ZKA.

Përveç kësaj, Ministria e Bujqësisë gjatë vitit 2020, kishte nënshkruar marrëveshje me një përfitues, i cili gjendej në listën e zezë të ministrisë për mospërmbushje të një kontrate paraprake.

Ky përfitues kishte përfituar edhe më herët projekt nga kjo ministri, projekt ky që nuk ishte përfunduar sipas kushteve të kontratës, dhe se për të përfitues ishte në procedura gjyqësore.

Ministria në fjalë kishte nënshkruar marrëveshje të re për financim duke lidhur kontratë me të në vlerë të 399 mijë eurove. Prej kësaj kontrate, sipas ZKA-së, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) do të mbështeste financiarisht subjektin në vlerë 199 mijë e 500 eurove apo 50% të shumës maksimale të investimit të pranueshëm për “Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore”.

Kjo kishte ndodhur për arsyen se Drejtoria e Miratimit të Projekteve për Zhvillimin e Bujqësisë, gjatë procesit të kontrollit administrativ dhe vlerësimit të aplikacionit, nuk kishte pasur informatën zyrtare nga Drejtoritë përkatëse, se aplikuesi është në proceduara gjyqësore apo në listën e zezë për mos përmbushje të kontratës, thonë nga ZKA.

Megjithatë, Drejtoria e Miratimit menjëherë pas marrjes së informacionit kishte pezulluar njëherë zbatimin e projektit deri në marrjen e vendimit nga gjykata, ndërsa pas vendimit të lëshuar nga gjykata në favor të përfituesit, ministria gjegjësisht AZHB, prapë kishte përgatitur vendimin për vazhdimin e zbatimit të projektit.

E nga ZKA-ja thonë se vlerësimi dhe përzgjedhja e përfituesve të subvencioneve në kundërshtim me udhëzimin administrativ rritë rrezikun e favorizimit të fermerëve si dhe ndarjen e paligjshme të fondeve. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/