Oferta e lekut drejt normalizimit, rritje më e ngadaltë në pjesën e parë të 2021

Oferta monetare në lekë po rritet me ritme më të ngadalësuara në pjesën e parë të këtij viti, duke sinjalizuar ndoshta një normalizim gradual në procesin e daljes nga pandemia.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se agregati monetar M2, që përfaqëson ofertën e parasë në monedhën vendase në fund të muajit maj ishte në rritje vjetore me 9.9%.

Ritmet e rritjes ngelen ndjeshëm më të larta krahasuar me periudhën e para pandemisë. Në fund të vitit 2019, rritja vjetore e agregatit M2 kishte qenë 3.6%. Por, megjithëse ky agregat vazhdon të zgjerohet me ritme të konsiderueshme, që nga fundi i vitit të kaluar ritmi i rritjes paraqitet më i ngadalësuar. Në fund të vitit 2020, rritja vjetore e këtij agregati kishte qenë në nivelin 13.8%.

Reklama e sponzorizuar

Në strukturën e shpërndarjes së lekut sipas mënyrës së mbajtjes, megjithatë, ajo që bie në sy është se komponentët më likuidë vazhdojnë të rriten me ritme më të larta se mesatarja. Llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë në fund të muajit maj kishin normën më të lartë të rritjes, me 19.7%; megjithatë, edhe këtu ritmi i rritjes është më i ngadalësuar krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kur kishte arritur nivelin 25.9%.

Edhe paraja jashtë bankave vazhdon të rritet me ritme dyshifrore, me 12.5% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, edhe këtu rritja është më e ngadaltë krahasuar me fundin e vitit të kaluar, kur shënonte nivelin 18.2%.

Depozitat me afat në lekë janë i vetmi përbërës i ofertës së lekut që ngelen në rënie, por kjo është tendencë që vazhdon prej vitesh dhe lidhet më shumë me normat shumë të ulëta të inetresit, sesa me efektet e pandemisë. Në fund të majit, rënia vjetore e depozitave me afat ishte 4.5%, ndërsa në fund të vitit të kaluar rënia kishte qenë 3.9%. Duke qenë se normat e interesit të depozitave ngelet në nivelet minimale historike, depozituesit përgjithësisht nuk kanë shumë stimuj për t’i mbyllur paratë në depozita me afat dhe preferojnë t’i mbajnë në llogari të disponueshme për tërheqje në çdo kohë.

Nëse oferta e lekut gjatë këtij viti po e ngadalëson rritjen, oferta e euros, të paktën në pjesën e saj të matshme, të depozitave bankare, këtë vit po rritet me ritëm më të lartë. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të majit depozitat bankare në euro ishin në rritje vjetore me 8%, nga 6.1% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar.

Edhe nënçmimi i euros në kursin e këmbimit me lekun gjatë pjesës së parë të këtij viti tregon një ofertë në rritje të monedhës europiane në tregun valutor vendas. Kjo konfirmohet në komponentin e saj të formalizuar, atë të depozituar pranë bankave tregtare. /Monitor.al/